Partitë opozitare në Shri Lankë mblidhen për ta formuar qeverinë e re

10 korrik 2022 | 13:34

Të gjitha partitë opozitare të Shri Lankës janë dakorduar të takohen sot, me shpresën për të krijuar një qeveri koalicioni për të marrë drejtimin, pasi protestat e ashpra detyruan presidentin Gotabaya Rajapaksa dhe kryeministrin Ranil Wickremesinghe të jepnin dorëheqje.

Partia kryesore e opozitës, Samagi Jana Balawegaya (SJB), do të takohet me partitë e tjera opozitare, me synimin për të arritur një konsensus, në mënyrë që ata të mund të formojnë një qeveri.

Ligjvënësi i opozitës ka thënë se një koalicion i të gjitha partive opozitare mund të arrijë lehtësisht 113 anëtarët e nevojshëm për të formuar një shumicë parlamentare.

Kryeministri Wickremesinghe , ka thënë dje se do të dorëhiqej për t’i  hapur rrugën një qeveri të re, raporton “DW”.

Presidenti Rajapaksa gjithashtu ka pranuar të jepte dorëheqjen disa orë më vonë, pas disa muajsh protestash që kërkonin largimin e tij, të cilat arritën dje kulmin, me mijëra protestues që sulmuan rezidencën e tij.

Sulmi i shtëpisë së Rajapaksas në kryeqytetin Colombo detyroi ushtarët të qëllonin me armë zjarri në ajër, në mënyrë që presidenti të mund të ikte me ndihmën e marinës. Nuk ishte e qartë se ku u dërgua më pas.

Protestuesit kanë qëndruar natën në pallatin presidencial, duke thënë të dielën se nuk do të largohen derisa Rajapaksa të largohet përfundimisht nga pushteti.

Aktivistët studentorë, të cilët kanë luajtur një rol të madh në protestat kundër qeverisë, thanë se gjetën 48 000 euro në dhomën e Rajapaksa, të cilat ia kanë dorëzuar policisë.

Protestat dhe zemërimi ndaj qeverisë erdhën teksa vendi rrëshqiti në krizën më të keqe ekonomike në historinë e tij të pas-pavarësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se…