Partitë përqendrohen në fushatë digjitale

17 shtator 2021 | 12:26

Partitë politike e kanë filluar të enjten fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, nuk kanë bërë hapje të zakonshme me organizime të mëdha. Hapja e fushatës është bërë me ceremoni digjitale, duke i informuar qytetarët me pikat kryesore të programeve të tyre.

Përfaqësuesit e subjekteve politike janë zotuar se nuk do të mbajnë tubime të mëdha elektorale dhe do t’i respektojnë në përpikëri rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) kundër përhapjes së pandemisë Covid-19.

Ata kanë bërë me dije se aktivitetin e tyre elektoral do ta orientojnë në rrjetet sociale dhe në debatet në televizione.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi në profilin e tij në “Facebook” ka deklaruar se kjo partia do ta shpalosë projektin e vet politik para qytetarëve në përputhje me rrethanat e rënda, të krijuara nga pandemia Covid 19.

“Kjo fushatë për zgjedhjet e 17 tetorit, e cila po fillon sot, në rrethana normale do të dukej ndryshe. Do të ishim bashkë, do t’ia shtrëngonim dorën njëri-tjetrit, e nga afër do ta ndanim vizionin për të ardhmen e një Kosove që na bashkon të gjithëve në nevojën për t’i transformuar qytetet tona. Por, Kosova nuk po kalon në rrethana normale. Kosova po kalon ditë të rënda, për shkak të pandemisë”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka kërkuar nga të gjithë kandidatët e PDK-së, strukturat partiake dhe mbështetësit e partisë në çdo komunë dhe në secilin nivel të organizimit, që të mos organizojnë tubime elektorale masive dhe të respektojnë në mënyrë strikte masat mbrojtëse dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Atë që nuk do të mund ta ndajmë së bashku në takime publike e tubime të mëdha elektorale, do ta ndajmë së bashku në forma të tjera të komunikimit, si kjo formë digjitale që po e bëj unë sot. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet komunave të Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë te secili qytetar. Sepse, koncepti politik i PDK-së për komunat e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri dhe emergjencë. Së bashku, do ta vëmë në jetë potencialin e zhvillimit, kundër stagnimit që kemi parë këto katër vjet në shumicën e komunave”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka deklaruar se kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave kanë në fokus kërkesat, mirëqenien e qytetarëve dhe interesat e tyre lokale. “Misioni ynë themelor është mirëqenia e qytetarëve, zgjerimi i potencialit të ekonomive dhe perspektiva e pamohueshme e të rinjve anekënd Kosovës. Ditëve në vijim, kandidatët e PDK-së do të ndajnë me ju plane konkrete që këtë mision e bëjnë të mundur. Prandaj, edhe kërkojmë besimin tuaj. Jemi krenarë për të kaluarën, të angazhuar për të sotmen dhe absolutisht të pakonkurrencë për të ardhmen. Për komunat e Kosovës, kjo e ardhme nis më 17 tetor. E ardhme për qytetarët, përtej ngjyrave partiake. E ardhme që na bën bashkë për Kosovën”, ka deklaruar Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, hapjen e fushatës e ka bërë në mënyre digjitale. “Pavarësisht se kjo fushatë nuk është si të tjerat, pra, s’do të mund të ju takojmë sy më sy, për shkak të Pandemisë, ekipi jonë po punon shumë që programi ynë të vijë në secilën shtëpi tuajën për secilën komunë nëpërmjet fushatës digjitale. Sonte bëmë hapjen. Ditët në vijim do të shpalosim programet e kandidatëve tanë. Do të komunikojmë në distancë por do të jemi afër me ide për të gjithë. 160 është numri ynë. LDK është shtëpia jonë dhe e juaja padallim”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një video në profilin e vet në “Facebook”, ka kërkuar votë nga qytetarët për AAK-në. “Shëndeti është mbi të gjitha, meqenëse nuk do të kemi mundësi të takohemi si herëve të tjera që të bashkëbisedojmë, që po ashtu të paraqesim programin tonë zgjedhor të Aleancës dhe njëkohësisht të prezantojmë kandidatët tanë dhe kandidatët për kryetar komune dhe për asamble komunale, atëherë ju drejtohem në këtë mënyrë. Ju siguroj se programi i Aleancës për qeverisjen në komuna, që bazohet në qeverisje me qytetarin, është programi i duhur për të kthyer jetën, zhvillimin ekonomik dhe normalitetin në komunat tona dhe në Kosovë”, ka shkruar ai, duke i ftuar qytetarët të votojnë për kandidatët e AAK-së më 17 tetor.

“Ju siguroj se kandidatët për kryetarë nga Aleanca, kryetarët aktualë të komunave dhe kandidatët e tjerë janë njerëz me dinjitet, janë njerëz të zotë, janë profesionistë të mirë që nga Ardian Gjini në Gjakovë, Daut Haradinaj në Prishtinë, Bali Muharremaj në Suharekë, Zenun Elezaj në Klinë, Smajl Latifi në Rahovec, Bashkim Ramosaj në Deçan, Besnik Tahiri në Podujevë, Bekë Berisha në Istog, Rrustem Berisha në Pejë, Agron Kuqi në Junik, Lulëzim Kabashi në Prizren, Faton Jakupi në Kamenicë, Arta Ahmeti Xhylani në Drenas, Nazim Gagica në Gjilan, Agron Gashi në Dragash, Hasan Ismajli në Fushë-Kosovë, Xhelal Krasniqi në Obiliq, Arben Halili në Ferizaj, Mensut Ademi në Vushtrri, Kastriot Berisha në Malishevë dhe Bashkim Budakova në Lipjan. Të gjithë këta janë njerëz të dinjitetshëm, profesionistë dhe të aftë t’i udhëheqin komunat”, ka thënë Haradinaj.

Edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike janë zotuar se në aktivitetet e tyre do t’i respektojnë masat kundër Covidit.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi Komunal në Rahovec ka mbajtur mbledhjen e radhës, nën…