Partitë politike ta rikonfirmojnë qëndrimin për kufijtë

29 shtator 2019 | 12:52

Njohësja e proceseve politike në vend dhe kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri, ka ftuar qytetarët e Kosovës që më 6 tetor t’i shikojnë programet e partive politike. Ajo ka deklaruar se në ditën e zgjedhjeve qytetarët nuk duhet t’i shikojnë liderët, por platformat e partive në të cilat shihet vizioni i partive për problemet e shoqërisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se në këtë mënyrë do të shprehej një kulturë e lartë politike.

“Mendoj se në këtë kohë qytetarët duhet t’i shikojnë programet e partive politike dhe të votojnë për programet e jo për liderët e tyre. Pra, në këtë mënyrë do të shprehej një kulturë më e lartë politike, në atë se si votojnë qytetarët dhe kush e merr besimin”, ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë me dije se në këtë mënyrë shërbimet qeveritare do të jenë në funksion të qytetarëve dhe jo në funksion të politikanëve.

Tahiri ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme po tregon për një pjekuri politike. “Mendoj se kjo periudhë e zgjedhjeve ka treguar se Kosova ka avancuar në kuptimin e konsolidimit të skenës politike, pse garimi i disa subjekteve politike në mënyrë individuale tregon një proces të avancuar të demokracisë. Shoqëritë që janë në tranzicion zakonisht janë të mbushura me parti politike. Ky është një rast që mund të shërbejë për profilizim të partive politike dhe të skenës politike në përgjithësi të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Në këtë intervistë Tahiri ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se subjektet politike gjatë fushatës duhet ta rikonfirmojnë edhe një herë qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve Kosovë – Serbi. “Mendoj se ka nevojë të rikonfirmohet qëndrimi i partive politike rreth çështjes së kufijve dhe se në dialog me Serbinë parim kryesor të jetë njohja reciproke mes dy shteteve në kufijtë e tashëm të Kosovës. Po ashtu, procesi i dialogut duhet t’i ketë vijat e kuqe siç kanë qenë prej vitit 2011, kur e kam udhëhequr unë këtë dialog”, është shprehur ajo.

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, që disa ditë ka filluar fushata zgjedhore. Si e keni parë aktivitetin zgjedhor të subjekteve politike gjatë këtyre ditëve?
Tahiri: Besoj se tani është koha kur duhet të shpalosen programet e partive politike sepse partitë politike në zgjedhje duhet të garojnë me programe të cilat pretendojnë se do të sjellin një mirëqenie më të mirë, zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit, si dhe një proces më të shpejtë të reformave drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. E fundit dhe më e rëndësishmja është që në këto platforma duhet të parashihet mbrojta e kufijve të Kosovës, sepse më herët kishin disa ide të rrezikshme në dëm të Kosovës dhe kufijve të saj. Kështu që, tani këto parti duhet ta bëjnë të qartë qëndrimin e tyre për këtë çështje, sepse ishim dëshmitarë që Kuvendi i Kosovës nuk kishte arritur të kalojë një rezolutë të qartë për këtë çështje. Mendoj se në këtë kohë qytetarët duhet t’i shikojnë programet e partive politike dhe të votojnë për programet e jo për liderët e tyre. Pra, në këtë mënyrë do të shprehej një kulturë më e lartë politike, në atë se si votojnë qytetarët dhe kush e merr besimin.

“Epoka e re”: Është pritur që edhe ju të bëni koalicion me ndonjë subjekt politik dhe të jeni pjesë e listave zgjedhore për deputete. Pse nuk ndodhi kjo?
Tahiri: Do të isha pjesë e listave sikur këto të ishin zgjedhje të rregullta nacionale. Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme nuk arrita, sepse unë pas përfundimit të punës në qeveri në vitin 2017, kam marrë angazhime ndërkombëtare të cilat janë me kontrata dhe është e pamundshme t’i ndërpres në këtë periudhë. Jam e angazhuar nga OKB-ja për proceset e paqendërtimit dhe të negociatave. Kush i njeh organizatat ndërkombëtare e di se këto obligime nuk është lehtë të ndërpriten.

 “Epoka e re”: Dihet që disa subjekte politike janë pretendente për t’i fituar zgjedhjet. Si e parashikoni ju 6 tetorin? Kush do të mund t’i fitojë këto zgjedhje?
Tahiri: Mendoj se kjo periudhë e zgjedhjeve ka treguar se Kosova ka avancuar në kuptimin e konsolidimit të skenës politike, sepse garimi i disa subjekteve politike në mënyrë individuale tregon një proces të avancuar të demokracisë. Shoqëritë që janë në tranzicion zakonisht janë të mbushura me parti politike. Ky është një rast që mund të shërbejë për profilizim të partive politike dhe të skenës politike në përgjithësi të Kosovës. Sa i takon saj se kush do të mund ta marrë besimin më të madh të qytetarëve, unë thërras qytetarët që të votojnë për programet e partive politike dhe jo për liderët. Mendoj se ka ardhur koha që qytetarët t’i shikojnë programet, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi mund të reformohet dhe shërbimet qeveritare të jenë në funksion të qytetarëve dhe jo në funksion të politikanëve.

“Epoka e re”: Pjesë e fushatës së partive është edhe çështja e dialogut me Serbinë. Cila duhet të jetë qasja e partive politike në këtë fazë për këtë çështje?
Tahiri: Çështja që më së shumti i ka hutuar qytetarët e Kosovës, edhe mua si politikane, ka qenë ideja për ndryshimin eventual të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë në dëm të Kosovës. Kjo do të ishte një ndarje e Kosovës dhe veriu me gjithë atë pasuri nëntokësore, duke përfshirë Trepçën dhe Ujmanin, nuk do të ishin nën kontrollin e shtetit të Kosovës. Fundja, në këta 100 vjet ne jemi shtypur e dëbuar vetëm pse Kosova ka qenë tokë e pasur, sidomos pjesa veriore e vendit. Tani mendoj se çështja e parë për dialog është qartësia e partive politike për mbrojtjen e kufijve dhe integritetit territorial. Në periudhën e kaluar të gjitha partitë e kanë bërë, sepse e dimë që presidenti Thaçi mbeti i vetëm në këtë ide. Mirëpo mendoj se ka nevojë që të rikonfirmohet qëndrimi i partive politike rreth çështjes së kufijve dhe se në dialog me Serbinë parim kryesor do të jetë njohja reciproke mes dy shteteve në kufijtë e tashëm të Kosovës. Po ashtu, procesi i dialogut duhet t’i ketë vijat e kuqe siç kanë qenë prej vitit 2011, kur e kam udhëhequr unë këtë dialog. Së pari ato vija të kuqe kanë të bëjnë që në këtë proces të mos flitet për statusin e Kosovës, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufij të njohur dhe të vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Së dyti, ky proces të mos lidhet me rregullimin e brendshëm të Kosovës. Dhe, së treti, për minoritetin serb vija e kuqe është plani i Ahtisarit. Këto kanë qenë tri vija të kuqe të mëdha që nga fillimi i këtij dialogu dhe kështu duhet të vazhdojë. Po ashtu, në këtë dialog duhet të kërkohet kompensimi i dëmeve të luftës në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

 “Epoka e re”: A do të duhej të zotoheshin liderët e subjekteve politike gjatë kësaj kohe se do të jenë konstruktivë në këtë proces, në mënyrë që më pas mos të kemi përplasje të mëdha për këtë proces?
Tahiri: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë se në politikën e jashtme duhet të mbrohen interesat nacionale në çdo vendim në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë edhe dialogun e Brukselit i cili duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Republikës. Këto janë dy shtylla themeltare të politikës së jashtme. Dialogu i Brukselit është një aktivitet ndërkombëtar, ku duhet të respektohen interesat nacionale dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kurse për formimin e delegacionit shtetëror do të mund të flitet pas zgjedhjeve.

 “Epoka e re”: Meqenëse dialogu me Serbinë pritet të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re, çfarë qeverie do të ishte më e mirë për këtë proces, qeveri e pakicës apo e shumicës?
Tahiri: Pas luftës ne kemi mbajtur disa palë zgjedhje dhe i kemi provuar të gjitha variantet e qeverisë, edhe qeveri të pakicës, po ashtu edhe qeveri të shumicës. Megjithatë, ne nuk kemi treguar që u përmbahemi formateve që mbrojnë interesat nacionale. Unë uroj se qeveria e re të shpreh një përbërje e cila është në gjendje t’i mbrojë interesat nacionale, kufijtë e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA  Përmbyllja e fushatës: Subjektet dhe…