Partitë tregojnë preferencat e tyre për datën e zgjedhjeve

22 gusht 2019 | 17:21

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vendosë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas vendimit të sotëm të deputetëve të Kuvendit për shpërndarjen e legjislaturës së gjatë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kushtetutës, pas shpërndarjes së Kuvendit, vendi duhet të organizojë zgjedhjet jo më larg se 45 ditë dhe jo më afër se 30 ditë nga dita e shpërndarjes.

Mirëpo, datat opsionale për t’i organizuar zgjedhjet janë 29 shtator dhe 6 tetor. Këto dy data janë duke iu shkuar përshtati edhe partive politike.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë për “FaktePlus” se ata janë për respektimin e afateve kushtetuese dhe ligjore, duke mos shprehur preferencë për ndonjërën nga datat.

“Ne jemi t’i respektojmë afatet kushtetuese dhe ligjore, nuk ka preferenca këtu. Vetëm të respektohen afatet kushtetuese dhe ligjore, për ne nuk prish punë. E rëndësishme është të organizohen zgjedhjet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë preferencë për datën e zgjedhjeve, porse kurdo që mbahen ato brenda afateve kushtetuese dhe ligjore për ta është e pranueshme.

“Nuk kemi preferenca aktualisht. Për ne është me rëndësi që po mbahen zgjedhjet, kurdo që caktohen ato brenda afatit kushtetues”, ka thënë Krasniqi.

Edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se respektojnë cilëndo datë që propozon presidenti që të organizohen zgjedhjet brenda afateve që lejon Kushtetuta.

“Datat 29 dhe 6 tetor janë opsionale dhe ne jemi pro cilado që vendoset. Tani i mbetet presidentit që të propozojë datën dhe cilëndo që propozohet ne jemi për”, ka thënë Isufi.

Sikurse Isufi, mendon edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, për të cilin nuk është me rëndësi nëse zgjedhjet caktohen një javë më herët apo më vonë.

“29 shtatori apo 6 tetori janë opsione kushtetuese. Prandaj për neve s’ka rëndësi cila. Një javë me shumë apo një javë me pak nuk përbën ndonjë dallim, cilado të jetë jemi në rregull”, ka thënë Sherifi.

Ndërsa, si datë e preferuar për Partinë Socialdemokrate të Kosovës, është 6 tetori. Shqipe Pantina nga PSD-ja, ka thënë për “FaktePlus” se e preferojnë 6 tetorin për shkak të mundësisë me të madhe për t’u organizuar sa më mirë.

“Data 22 shtator është ligjërisht e pamundur sepse duhet të paktën 30 ditë nga data e zgjedhjeve. Mendoj se 6 tetori është me i përshtatshëm për shkak se ka mundësi për përgatitje me të mira”, është shprehur Pantina.

Deputetët me dy të tretat e votave kanë miratuar propozimin për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj muajin e kaluar për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale.

Caktimi i datës së zgjedhjeve do të bëhet nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, në konsultim me përfaqësuesit e partive politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, bashkë me përfaqësuesin…