Partneriteti publiko-privat, forma më e përshtatshme për investime në ‘Trepçë’

01 janar 2020 | 18:12

Shkruan: Ardian SYLA, kryetar i Bordit të “Trepçës”

Që nga miratimi i Ligjit për “Trepçën” në tetor të vitit 2016 e deri më tani Ndërmarrja “Trepça” ka kaluar nëpër transformimin më të madh të ndodhur që nga periudha e pasluftës. Ligji për “Trepçën” në preambulën e tij ka për qëllim kryesor krijimin e infrastructures ligjore përmes së cilës synohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik duke hapur rrugë për investime, rritje të vlerës së aseteve dhe avancim të kapitalit teknikoteknologjik si parakusht për rivitalizimin e “Trepçës” si ndërmarrje me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës. Transformimi i ndërmarrjes “Trepça”, nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare me aksionare kryesore Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe aksionarë të dytë punëtorët e “Trepçës”, përmes ligjit të veçantë dhe statutit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është ndër hapat më të rëndësishëm që janë ndërmarrë për “Trepçën”, që nga periudha e lëshimit në punë të minierave pas luftës.
Me ndryshimin e statusit juridik ndërmarrja “Trepça” i është nënshtruar një procesi të rëndësishëm të transformimit si në aspektin menaxhues, ashtu edhe në atë zhvillimor, pasi që shkëputja e “Trepçës” nga menaxhimi dhe administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe bartja e aksioneve në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ka hapur rrugë dhe mundësi të shumta për një zhvillim sa më të qëndrueshëm ekonomik të ndërmarrjes. Për më shumë, miratimi i Ligjit dhe statutit të “Trepçës” ka vërtetuar faktin që shteti i Kosovës ka interes që ta zhvillojë sektorin minerar, në veçanti ndërmarrjen “Trepça”.
Prandaj, pas miratimit të ligjit, përzgjedhja e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës, miratimi i statutit, konsolidimi i ndërmarrjes, si dhe përzgjedhja e Bordit Menaxhues kanë qenë parakushte themelore për ta filluar aplikimin e qeverisjes moderne korporative në ndërmarrjen  “Trepça”. Porse, përkundër faktit që Bordi Mbikëqyrës nuk është i kompletuar në tërësi ashtu siç e parasheh Ligji për “Trepçën”, si dhe përkundër faktit që statute është miratuar me vonesë, ndërmarrja “Trepça” për një kohë relativisht të shkurtër ka arritur që të jetë konform legjislacionit në fuqi, për ndërmarrje publike dhe qeverisje korporative duke marrë formën e një shoqërie modern aksionare, ashtu siç e meritonte prej kohësh.
Megjithatë, i gjithë ky transformim i rëndësishëm për ndërmarrjen nuk ka kaluar edhe pa sfida të tjera të cilat janë duke e përcjellë ndërmarrjen në vazhdimësi që nga paslufta. Ndërmarrja “Trepça” është ndërmarrje prodhuese dhe i gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe shitja e xehes. Prandaj, duhet një prodhim i qëndrueshëm nga muaji në muaj në mënyrë që ndërmarrja të mos ketë probleme funksionale.
Mirëpo, për të arritur një prodhim të qëndrueshëm dhe vetëstabilitet financiar, duhen ndërmarrë disa hapa jetikë për minierat e “Trepçës”. Së pari, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ripërtërirjes së moshës së vjetër të fuqisë punëtore, pastaj investimeve në kapitalin teknologjik në miniera, investimit në modernizimin e flotacioneve, investimit në kuadrot e reja, hulumtimit të vazhdueshëm të trupave xeherorë, rihapjes së minierave të cilat aktualisht janë jashtë funksionit, janë ndër shtyllat thelbësore për një prodhim të qëndrueshëm dhe funksionim të mirëfilltë të ndërmarrjes “Trepça”.
Fatkeqësisht, “Trepça” me kapacitetet aktuale financiare nuk e përballon asnjërën nga veprimet e sipërcekura. Investimi në teknologjinë nëntokësore, investimi në modernizimin e flotacioneve, si dhe rihapja e minierave kanë një kosto të papërballueshme për “Trepçën”.
Ligji për “Trepçën” ka paraparë që në kuadër të transformimit dhe ristrukturimit, me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim të saj, edhe mundësitë e pjesëmarrjes së kapitalit privat vendor dhe të jashtëm përmes formave si parneriteti publiko-privat, investimet direkte private, investimet e përbashkëta, si dhe emetimi dhe shitja e aksioneve të cilat janë disa nga mundësitë për një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të ndërmarrjes “Trepça”.
Që të katër këto forma janë të përshtatshme dhe do të ishin një lëvizje e madhe drejt ngritjes së kapaciteteve prodhuese të “Trepçës”, si dhe bërjes së ndërmarrjes profilabile, njëkohësisht edhe konkurrente si në tregjet rajonale ashtu dhe në ato ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, një kontribuuese në Bruto Produktin Vendor. Prandaj, s’duhet harruar faktin që për të gjitha këto ekziston legjislacioni i duhur në Republikën e Kosovës.
Nëse i referohemi sektorit të minierave, i cili është bërthama e ndërmarrjes “Trepça”, partneriteti publiko-privat si formë e investimit do të ishte metoda më e përshtatshme e kësaj kohe, deri në fuqizimin e ndërmarrjes, për faktin që partneriteti publiko-privat përfshinë edhe ndarjen e rrezikut në mes të sektorit publik dhe atij privat.
Pjesëmarrja e qeverisë si aksionare, me pronar të 80 për qind të aksioneve, e ka të pashmangshme rrugën e investimeve kapitale në “Trepça Sh. A.”, në mënyrë që ta rimëkëmbim atë. Prandaj, i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në bashkëpunim me organet udhëheqëse të “Trepça Sh. A.” ta gjejnë formën adekuate të investimeve, gjithmonë brenda kufijve të lejueshëm që përcakton Ligji për “Trepçën” dhe statuti i saj.
Po të kthehemi në retrospective dhe të mendojmë për namin që kishte kjo ndërmarrje, në punësim, zhvillim ekonomik, si dhe imazhin me anë të të cilit edhe e identifikon vendin, më pa mëdyshje jemi të thirrur që sërish t’ia kthejmë këtë nam. Mirëpo, marrë parasysh rrethanat historike dhe shkatërrimet e infrastrukturore për rikuperimin e tyre, natyrisht se Qeveria e Kosovës, por as vetë ndërmarrja me kapacitetet prodhuese s’kanë mundur akoma që ta rimëkëmbin. Bazuar në rrethanat kronologjike, e themi lirisht që për ta kthyer namin e dikurshëm nevojiten investime bajagi të mëdha. Kjo do të thotë se nëse shikohet perspektiva e ndikimit ekonomik dhe social, në këndvështrim më të gjerë, komponentë kyçe janë investimet e huaja. Andaj, pa investime të huaja dhe investiture të brendeve më serioze, rimëkëmbja e “Trepçës” do të jetë shumë më e ngadalshme, për të mos thënë e pamundur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka…