Pas 545 episodash përfundon seriali “Çka Ka Shpija”

02 janar 2026 | 11:50

Njoftim nga Naser Rafuna:

Të nderuar ndjekës të serialit “Çka Ka Shpija”… Kanë kaluar dymbedhjetë vite që nga dita kur, në vitin 2014, ky serial nisi rrugetimin e tij në RTK, fillimisht me tetë sezone, e më pas vazhdoi ne Klan Kosova deri në këtë fundvit. Sot, kur shikoj pas, shoh nje rrugë të gjatë prej 545 episodash, 13 sezonesh, dhe një udhëtim që e bëri “Çka Ka Shpija” serialin më jetëgjatë në historinë televizive ballkanike. Kjo, pa asnjë dyshim, është sukses — por mbi të gjitha është amanet i besimit tuaj.

Si autor, producent, skenarist dhe aktor i ketij projekti, me falenderim ndaj Zotit Një dhe ndaj jush, audiencës sonë besnike, si dhe ndaj të gjithë kolegëve e bashkepunetorëve që kanë qene pjesë e këtij rrugëtimi — në aspektin organizativ, administrativ, punues, artistik, madje edhe pengues — ju shpreh mirënjohjen time më të thellë. Pa ju, ky rrugëtim nuk do të kishte kuptim.

Si çdo gjë që ka një fillim dhe nje fund, i udhëhequr nga bindja se masa është kulturë, kam vendosur ta përmbyll këtë serial. Me shumë respekt dhe dashuri për ju, ju njoftoj se episodi i fundit i serialit “Çka Ka Shpija…” do të transmetohet në Klan Kosova më 1 janar 2026.

Jam thellësisht i lumtur qe personazhet, të cilëve vetë ua dhashë emrat, u jetësuan, aktorët u rriten, u afirmuan dhe u identifikuan me ta. U rritëm bashkë — me ulje e ngritje, me probleme që ngjanin me një EKG — dhe kaluam vite të tëra, 545 javë, që sot duken sikur kaluan shpejt. Kujtimet mbesin, mesimet mbesin, dhe njerëzit mbesin. Disa për t’u falënderuar, disa falënderues, disa ndryshe — ashtu siç dimë të jemi ne si popull, me gjithë larminë dhe të verteten tonë.

Kam përjetuar sulme të mëdha, të porositura, nga jashtë dhe nga brenda. Por dashuria është dritë. Dhe, për të qenë pak poetik, ajo dritë sundon mbi gjithçka. Me dashuri kam arritur deri ketu.

Gjatë gjithë ketyre viteve kam kritikuar qeveritë e kohës, por me mirënjohje të sinqertë falënderoj si RTK-në ashtu edhe Klan Kosovën, sepse kurrë nuk kam përjetuar censurë. Kjo flet per nje shoqëri mendjehapur, që di të dëgjojë. Falënderoj posaçërisht Mentor Shalën, ish-drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, për besimin që më dha si producent i jashtëm; po ashtu Ngadhnjim Kastratin, Lorik Arifajn, dhe gjithë ekipin realizues e punues të RTK-së. Falënderimi im shkon edhe për Adriatik Kelmendin, Barlet Imamin, Valonin, gjithë ekipin realizues, punues e administrativ të Klan Kosovës, deri te punëtorët e bufesë, si dhe Devolli Corporation, për përkrahjen dhe besimin në punën tone.

Një falënderim i veçantë shkon për ekipin artistik, me të cilin kemi punuar gjatë e me vite — dhe nuk ka qenë gjithmonë e lehtë të jesh udhëheqës i këtyre njerëzve të talentuar. Falënderoj me respekt të thellë e të çmuar :

Gresa Pallaskën, Dardan Gashin, Fiona Gllavicën, Irena Aliun, Ilir Prapashticën, Teuta Krasniqin, Teuta Krasniqin Fatbardha Hoxhajn, të ndjerit Adem Mikullovci dhe Leze Qena, Shkëlqim Bunjakun, Orik Morinën, Donikë Ahmetin, Astrit Kabashin, Zana Radogoshin, Genc Berishën, Ilir Bokshin, Agan Asllanin, Shkumbin Veselin, Ben Halitin, Leonora Mehmetin, Megzime Ibrahimin, Anesa Ukën, Hava Eminin, Ben Mehmedin, Kastriot Saqipin, Yll Brajshorin, Muhamet Bujakun, Shpend Lutollin, Basri Lushtakun, Treva Rizën, Lis Ademin, Roma Gllavicën, Songyl Meniqin, Avni Hotin, si dhe dhjetëra e dhjetëra aktorë të tjerë dhe studentë të aktrimit, të cilëve ua hapëm dyert dhe ua dhamë mundësinë të jenë pjesë e këtij seriali.

Dhe në fund, ndoshta gjëja më e çmuar: pas 545 episodash, nuk i kam mbetur borxh askujt në këtë rrugëtim. Falënderim Zotit për këtë nderim të madh.

Mbi të gjitha, faleminderit audiencës. Ju na mbajtët gjallë, na deshët dhe nuk na latë kurrë.

Kjo ishte “Çka Ka Shpija…” — emër që ia vura vetë, bashkë me emrat e personazheve. Ky ishte fundi i këtij seriali.

Por rrugëtimi vazhdon:nga muaji shkurt shihemi me projektin e radhës “Mamma Mia Llaperqino”, ndërsa nga muaji prill me serialin për fëmijë “Kumerrnuna”, dhe në muajin maj fillojmë xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Mi marrsh t’ligat” si dhe HBO TV pilotin “QOSK”.

Edhe një herë, faleminderit nga zemra.

Me dashuri, i juaji,�Naser Rafuna

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paramilitarët serbë që operonin në Vaganicë të Mitrovicës nxorrën para…