Pas dështimit në Interpol, Ambasada e ShBA-së thotë se Kosova do ta ketë mbështetjen e saj të fuqishme

20 nëntor 2018 | 10:49

Sot, Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.

Pas dështimit të këtij procesi, ka reaguar përmes një deklarate edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës.

“Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore. Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Interpol, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim”, është theksuar në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar përkrahjen për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që t’i shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie”, është thënë në këtë deklaratë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prodhimi i opiumit në Afganistan ka rënë për 29 për…