
Pas intervistimit të Pecit si i dyshuar, rikthehen sulmet ndaj Prokurorisë Speciale
Shqetësuese e të papranueshme i kanë vlerësuar shoqata e prokurorëve sulmet e zyrtarëve qeveritar e të partisë Guxo, karshi Prokurorisë speciale e prokurorit Admir Shala. Pjesëtarë të shoqërisë civile, sulmet drejt prokurorisë i kanë konsideruar si një strategji të pushtetit që përdoret secilën herë që një zyrtar hetohet për korrupsion.
“Nuk kam koment” ka qenë përgjigja e prokurorit special Admir Shala, karshi akuzave e sulmeve nga partia Guxo pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci si i dyshuar për korrupsion.
Ky rast, nxiti një valë të re sulmesh drejt Prokurorisë si nga zyrtarë të kësaj partie edhe të tjerë pjesëtarë të qeverisë.
Intervistimin e Pecit partia të cilët e udhëheq ai e quajti lojë politike, e rast të sajuar nga prokurori Admir Shala, për të cilin shkruan se dikur ka qenë sekretar i Forumit rinor të PDK-së, në Prizren.
“Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Prokurorisë Speciale, e cila dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci. E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren. Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës. Po ashtu, z. Peci ka qenë zëri dhe veprimi i lirimit të pronave publike të uzurpuara padrejtësisht, duke vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një ringjallje të vërtetë. Grantet dhe donacionet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, duke u orientuar drejt fermerëve dhe bujqve që realisht kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ushqimor të vendit.Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”.
Akuzat e tilla, nuk i kanë komentuar në prokurorinë speciale të cilët kanë thënë se punën e tyre e zhvillojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk komenton deklarimet politike dhe qëndrimet e shprehura nga palët që janë subjekt i hetimeve. Prokuroria Speciale zhvillon punën e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Çdo veprim hetimor ndërmerret në bazë të fakteve dhe provave, duke respektuar në përpikëri të drejtat e garantuara të palëve në procedurë”.
Në mbrojtje të prokurorit Shala dhe kryeprokurorit të speciales, Isufaj, kanë dal nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, të cilët i vlerësuan këto deklarime të papranueshme e shqetësuese.
“Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, z. Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese. Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve”.
Mbulesë për skandalet e tyre i vlerësojnë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, akuzat e zyrtarëve të qeverisë, karshi PSRK-së.
“Duke dënuar fuqishëm këto sulme që po i bëhen prokurorisë në çdo rast kur partia në pushtet ose zyrtarë të saj, janë subjekt të hetimeve për vepra penale të korrupsionit, fatkeqësisht partia në pushtet tanimë ka ndërtuar një strategji ku sa herë zyrtarët e saj të lartë janë të dyshuar për vepra penale të korrupsionit ose janë duke u hetuar fillojnë sulmet ndaj prokurorëve, ndaj gjyqtarëve”, ka deklaruar Ehat Miftaraj – Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Përveç Pecit, gjatë katër viteve në krye të ekzekutivit, disa ministra të qeverisë Kurti u intervistuan përfshirë Rozeta Hajdarin, Albulena Haxhiun e Artane Rizvanollin.
Ftesë për të dëshmuar në prokurori rreth një rasti për korrupsion ka marr edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili është gjobitur dy herë nga Gjykata për mos paraqitje të tij./Periskopi/