Pas Jasharit, Tare synon edhe Berat Gjimshitin

06 gusht 2025 | 16:48

Milani po ndërton një projekt të ri ambicioz dhe nuk ndalet në merkato. Me një valë ndryshimesh në të gjitha hallkat, klubi kuqezi po krijon një identitet të ri – dhe shqiptarët po luajnë një rol kyç në këtë transformim.

Pas emërimit të Igli Tares si drejtor sportiv dhe zgjedhjes së Massimiliano Allegrit në bankinë, Milani bëri edhe një goditje me aromë shqiptare në fushë – transferimin e Ardon Jasharit nga Club Brugge. Një mesfushor premtues, që shihet si investim për të ardhmen.

Por, prania shqiptare në “San Siro” nuk pritet të ndalet këtu. Mediat italiane raportojnë se Berat Gjimshiti, lideri i mbrojtjes së Kombëtares shqiptare dhe një element kyç te Atalanta, është futur në orbitën e Milanit si një opsion serioz për prapavijën.

E gjithë kjo vjen në një moment kur Malick Thiaw mund të largohet, me interesime konkrete nga Liga Premier dhe Serie A.

Nëse ndodh shitja, Milani do të ketë nevojë urgjente për të gjetur një zëvendësues të denjë.

“La Gazzetta dello Sport” përmend disa alternativa të brendshme si Comuzzo dhe Leoni, por emri i Gjimshitit qëndron lart në listë për shkak të eksperiencës, lidershipit dhe njohjes së Serie A.

Ai shihet si një profil i gatshëm për të marrë përgjegjësi menjëherë. Nëse kjo lëvizje realizohet, Milani do të kishte tre shqiptarë në organikë, një fakt që do të krijonte entuziazëm te tifozët shqiptarë dhe do të konfirmonte ndikimin në rritje të lojtarëve kuqezi në skenën e madhe të futbollit evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…