Pas poshtërimit që i ndodhi në Detin e Zi, Putini shkarkon “komandantin më të lartë detar” të Rusisë

11 mars 2024 | 16:54

Rusia duket se ka shkarkuar komandantin e saj të lartë detar pas një sërë pengesash poshtëruese në Detin e Zi, ku luftanijet e saj janë goditur nga dronët dhe raketat ukrainase.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy burime ruse të lajmeve thanë se admirali Nikolai Yevmenov, komandanti i përgjithshëm i marinës ruse që nga maji 2019, ishte shkarkuar dhe zëvendësuar nga admirali Alexander Moiseev.

Si Izvestia, një gazetë me bazë në Moskë e lidhur me Kremlinin, dhe Fontaka, një agjenci lajmesh në Shën Petersburg, cituan burime të paidentifikuara që konfirmonin ndryshimin e komandës në krye të marinës ruse, me qendër në Shën Petersburg.

Por as ministria ruse e mbrojtjes dhe as Kremlini nuk kanë komentuar një lëvizje të tillë.

Në mënyrë të pazakontë, gjithashtu, blogerët ushtarakë rusë të lidhur me Kremlinin gjithashtu nuk e kanë konfirmuar ende ndryshimin e udhëheqjes.

Sidoqoftë, Marina e Rusisë është kritikuar shumë gjatë luftës për pamundësinë për të mposhtur flotën më të vogël ukrainase.

Javën që lamë pas, inteligjenca ukrainase tha se një nga dronët e saj kishte goditur dhe fundosur një anije patrullimi ruse, duke vrarë shtatë marinarë.

Ndërkohë në shkurt, ministria ruse e mbrojtjes shkarkoi komandantin e saj të Flotës së Detit të Zi për të tretën herë që nga fillimi i luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 12.03.2024 Punime të…