
Pas thirrjes së ministrit Vitia, Prokuroria nis hetime për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, në rastin e vaksinave
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë rastin lidhur me zbulimin e detajeve nga procesi i sigurimit të vaksinave.
Kështu kanë bërë të ditur nga Prokuroria e Kosovës, të cilëve dje iu bëri thirrje ministri i Shëndetësisë së Kosovës për të bërë hetime lidhur me këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së.”, thonë nga prokuroria.
Gjithashtu, në komunikatë thuhet se do të veprohet konform autorizimeve ligjore.
Kështu thuhet se kushdo që tenton dëmtimin e një profesi të tillë do të dalë para drejtësisë.
“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë.”, thotë prokuroria.
Dje “Insajderi” ka publikuar një hulumtim që thotë se ministri Vitia ka vonuar procesin e nënshkrimit të kontratës për të siguruar vaksinën anti-Covid.
Lidhur me këtë, Vitia i quajti “të pavërteta, dashakeqe dhe të dëmshme”, raportimet e “Insajderit”.
“Insajderi’ pas konferencës së mbrëmshme të Vitisë, ka publikuar edhe dokumentacione, ku shihen email-a të shkëmbyer me kompaninë “Pfizer dhe BioNTech”.