Pas zgjedhjeve në ShBA, pritet zhbllokimi i proceseve në Kosovë

03 nëntor 2020 | 11:14

Analisti politik Faton Abdullahu ka thënë se nga perspektiva e Kosovës nuk mund të nxjerrim një përfundim se kush i ka gjasat të fitojë tani në ShBA, Donald Trump apo Joe Biden. Ai ka bërë me dije se ai që do të jetë në krye të Administratës në Uashington për katër vjetët e ardhshëm do të jetë e rëndësishme për të gjitha shtetet, duke përfshirë edhe Kosovën.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Trumpi dhe Bideni nuk kanë dallime përmbajtjesore sa i takon shtetit tonë. Abdullahu në këtë intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se kur klasa politike në Kosovë do ta marrë vesh kush është në krye të administratës në Uashington do ta ketë më të lehtë për të ecur tutje.

“Pas konsolidimit të ri në Uashington, pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, kur ta kemi presidentin e ri amerikan, tek ne pritet zhbllokim i proceseve dhe lëvizje të reja të rëndësishme politike”, ka thënë Abdullahu. Ai ka theksuar se Kosova duhet t’i ruajë raportet e mira me ShBA-në, duke kultivuar dy vlera: atë të proamerikanizimit dhe të proshqiptarizimës

“Epoka e re”: Sot (e martë) do të mbahen zgjedhjet për president të Amerikës. Kush mendoni se i ka gjasat më të mëdha për fitore, Trumpi apo Bideni?
Abdullahu: Në zgjedhjet e kaluara për president në ShBA, me prognozat tona ia kemi huq pothuajse të gjithë. Simpatia për zonjën Clinton në atë kohë na kishte mjegulluar prirjen, por edhe venitur interesimin për ta vlerësuar pragmatikisht presidentin aktual Trump, që jo vetëm për ne në atë kohë ishte i panjohur. Konsideroj se nuk e kemi të lehtë nga perspektiva jonë, sidomos nga informacionet që i kemi, të vijmë në një përfundim bindës, bile as të përafërt, se kush i ka gjasat të fitojë tani në ShBA. Ma thotë mendja se nëse është kuptuar nga qytetarët amerikanë, ashtu siç pretendojnë republikanët se Trumpi ka filluar një rend të ri biznesor e, për rrjedhojë, edhe politik kundër Kinës (dhe atyre që e përkrahin dhe e vënë në rend të parë në raportet e tyre biznesore, këtë shtet) në të mirë të kualitetit të jetës së qytetarëve amerikanë, atëherë Trumpi mund të fitojë. Por nëse ky rend i ri ka krijuar armiq të ri për ShBA-në, sikundër thonë demokratët, dhe nëse Trumpi me të vërtetë ka nxitur përçarje raciale, ndërmjet të bardhëve në njërën dhe të tjerëve në anën tjetër, atëherë Bideni do të jetë gjithsesi fitues.

“Epoka e re”: Cila është rëndësia e këtyre zgjedhjeve për Kosovën?
Abdullahu: Se kush do të jetë në krye të Administratës në Uashington për katër vjetët e ardhshëm do të jetë e rëndësishme për të gjitha shtetet, për të gjitha proceset politike ekonomike dhe jo vetëm rajonale dhe ndërkombëtare. Për sigurinë, paqen dhe demokracinë gjithandej në botë është e rëndësishme që këto zgjedhje të shkojnë korrekt dhe të jenë shprehje e vullnetit të qytetarëve amerikanë. Në këtë drejtim s’ka fakte, bile as indice, për dyshim a brengë dhe ky stabilitet është i mirë dhe duhet të çmohet. Në anën tjetër tash një kohë disa procese tek ne kanë mbetur pezull, disa të tjera edhe kanë ngecur. Procese të cilat ne tradicionalisht i koordinojmë me Uashingtonin zyrtar. Kur klasa jonë politike e merr vesh se kush është në krye të administratës në Uashington e ka më të lehtë që në bashkëpunim me presidentin e ri, me përfaqësuesit e tij, edhe të ndërmarrë hapa të ri sa për raportet me Brukselin, po aq edhe me zgjedhjet te ne, riformatimin, apo vazhdimin kështu sikundër jemi, por edhe për çështje të tjera. Pas konsolidimit të ri në Uashington, pas zgjedhjeve të 3 nëntorit kur ta kemi presidentin e ri amerikan, tek ne pritet zhbllokim i proceseve dhe lëvizje të reja të rëndësishme politike.

“Epoka e re”: Gjatë fushatës zgjedhore kemi parë që liderë të caktuar në Kosovë kanë dalë hapur në përkrahje të njërit kandidat. Ka qenë veprim i duhur ky?
Abdullahu: Z. Kurti e di që është naive dhe jopragmatike që një politikan i Kosovës të rreshtohet dhe të deklarohet haptas për këtë apo atë president amerikan në prag të zgjedhjeve atje. Por, ai e ka bërë këtë i shtrënguar nga gabimet e hershme ndaj administratës Trump, me qëllim që t’i amortizojë sulmet që po ia bëjnë tash sa kohë atij dhe subjektit të tij se janë antiamerikanë. Pra, ndërmjet të keqes jo të vogël që prodhon rreshtimi për Trumpin apo Bidenin dhe kualifikimit ndaj tij se po e paragjykon dhe po gabon në raport me politikat e Uashingtonit zyrtar, Kurti zgjedh të parën. Kështu shpreson se së paku kualifikimi i tij për antiamerikanizëm do të amortizohet për gjysmë nëse e përkrah Bidenin. Ai harron se sot republikanët nuk dallojnë nga demokratët ashtu sikundër dallojnë LV-ja dhe LDK-ja. Edhe kur dallojnë në disa sfera, nuk bëjnë atë që bënin LV-ja dhe LDK-ja kundër njëra-tjetrës, diçka që ai nuk e kuptoj asnjëherë drejt. Në të vërtetë Kurti, me atë që ka bërë dhe me atë që nuk ka bërë tash sa vite në raport me ShBA-në, e ka dëshmuar se nuk di të “notojë politikisht në oqeanin euroatlantik” prirje që, për fat të mirë, e kanë të sofistikuar politikanë të tjerë në Kosovë dhe në përgjithësi te shqiptarët në Ballkan.

 “Epoka e re”: A mund të pritet që ShBA-ja të ndryshojë diçka në raport me Kosovën pas këtyre zgjedhjeve?
Abdullahu: Nëse lexohet me kujdes dhe vlerësohet esëll e pa emocione, ajo çfarë thotë presidenti Trump, ta zëmë në letrat e tij dërguar përfaqësuesve tanë kohë më parë dhe ajo çfarë ka thënë kandidati aktual për president, Bideni, në deklarimet e tij të fundit për Kosovën, ato nuk kanë dallime përmbajtjesore, bile ato janë minore dhe krejt dytësore. Është çështje tjetër se sa do të jenë rrethanat e tjera në favorin tonë dhe sa do të jemi ne në gjendje që t’i shfrytëzojmë ato rrethana në të mirën dhe përfitimet tona. Kështu sikundër qëndron puna, e kemi të vështirë sepse e kemi një qeveri e cila punon sot për nesër, për më keq ajo, as nuk është unike, as e guximshme, as me shumicë shqiptare në të. Kjo duhet të ndryshohet nëse ne duam që të punojmë bashkë dhe të nxjerrim përfitime politike dhe të tjera në raport me presidentin e porsazgjedhur amerikan dhe me rrethanat e reja.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjë Kosova që t’i ruajë raportet me ShBA-në?
Abdullahu: Për proamerikanizmin në Kosovë duhet të angazhohemi pandalshëm si për proshqiptarizmën. Kjo nuk ka ndodhur tash sa kohë. Këto vlera, për shtetin e Kosovës, për demokratizimin dhe për lirinë tonë sot, nuk shkojnë pa njëra-tjetrën. Shqiptarizma dhe pro-amerikanizmi janë bebëza të lirisë sonë në Kosovë, të identitetit tonë nacional dhe të identitetit shtetndërtues. Që t’i ruajmë raportet tona të mira me ShBA-në ne duhet, në të njëjtën kohë, t’i kultivojmë e t’i dyfishojmë funksionalisht këto dy vlera. Për më shumë ne duhet që në të njëjtën kohë të jemi – funksionalisht dhe përmbajtësisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë, selektivë dhe me ide bindëse e liberal-demokratike kundër majtizmit ekstremist të cilin nuk po na shkon për dore as ta identifikojmë e që po na bën dëm të madh me rreshtim antiamerikan dhe mendërisht dhe praktikisht në emër të paqes dhe sigurisë të jemi kundër islamit politik i cili është strukur, por nuk është mundur.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar…