Pas zgjedhjeve të gjithë duhet të jemi bashkëpunues

19 shtator 2019 | 15:29

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka bërë me dije se në mandatin e ardhshëm Republikën e Kosovës e presin sfida të rëndësishme.

Ai i ka ftuar të gjitha subjektet politike që pas zgjedhjeve, pavarësisht prej rezultatit, të tregohen bashkëpunuese.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sherifi ka deklaruar se është obligim i të gjitha partive që të tregohen konstruktive në raport me interesat e shtetit.

“Në këto zgjedhje sovrani, qytetari i Kosovës do t’i mandatojë partitë politike sipas vullnetit të vet. Dikë do ta nxjerrë partinë e parë, dikë të dytën, dikë të tretën e kështu me radhë. Pavarësisht prej radhitjes, është detyrë e të gjitha  partive politike që ta marrin seriozisht mesazhin e elektoratit në zgjedhje dhe ta shtrijnë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin në interes të shtetit”, ka thënë Sherifi.

Ai ka vlerësuar se si pozita ashtu edhe opozita e ardhshme duhet ta japin kontributin e vet në procesin e dialogut me Serbinë. “E kanë për detyrë që të gjithë të bëhen bashkë për shtetin, sepse shtetin e presin sfida jashtëzakonisht të mëdha në periudhën e ardhshme qoftë nga pozicioni i pozitës apo i opozitës, secili nga ta duhet ta japë kontributin e vet”, është shprehur ai.

Kandidati i Nismës për deputet ka folur edhe për ofertën e koalicionit Nisma-AKR-PD për zgjedhjet e 6 tetorit dhe për veçoritë e kandidatit për kryeministër të këtij koalicioni, Fatmir Limaj. Sipas tij, ky kandidat është më i përgatituri për të qenë kryeministër i vendit.

“Pikë tjetër shumë e fortë e kandidatit tonë për kryeministër është përgatitja e tij e jashtëzakonshme politike dhe juridike. Duke pasur parasysh faktin se qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e cila do ta projektojë vizionin e bisedimeve me Serbinë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, mendoj se përvoja e tij do të jetë shumë e nevojshme”, është shprehur Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, si po e pret koalicionin Nisma-AKR-PD elektorati i këtyre subjekteve politike?
Sherifi: Tanimë ju jeni në dijeni se Nisma ka krijuar një bosht politik me AKR-në dhe PD-në. Kandidat për kryeministër kanë z. Fatmir Limaj, kryetarin e Nismës. Ne jemi në fazën e bashkëbisedimit me strukturat anekënd Kosovës, ku kandidati ynë për kryeministër është duke u pritur jashtëzakonisht mirë. Ne jemi të bindur se kjo pritje e mirë e elektoratit, e anëtarëve të partisë, e simpatizantëve, do të konkretizohet më 6 tetor.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta kryesore e këtij koalicioni për elektoratin?
Sherifi: Oferta jonë do të shpaloset pas 25 shtatorit, ditën kur hapet fushata. Tani për tani jemi duke biseduar me strukturat tona, ku po i shpalosim pikat e forta të z. Limaj.

“Epoka e re”: Çka e dallon z. Limaj prej kandidatëve të tjerë për kryeministër?
Sherifi: Përvoja e tij e jashtëzakonshme në institucione, pastaj e kaluara e tij e suksesshme gjatë luftës dhe ajo si ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, ku arriti të ndërtojë mbi 1 250 kilometra rrugë, aq kilometra rrugë sa kanë qenë të ndërtuar për 40 vjet në Kosovë. Gjithashtu, z. Limaj ka qenë një ndër aktorët e skenës politike që më së shumti është angazhuar të krijojë një unitet mes klasës politike pavarësisht a kanë qenë në pozitë apo pozitë, në funksion të unitetit në përballje me Serbinë, sidomos në rrafshin e dialogut. Ju e dini që prej rastit të demarkacionit e deri te krijimi i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë, periudhën e bashkëkryesimit me opozitën, z. Limaj ka qenë një ndër faktorët kryesor për ta arritur unitetin për aq sa ka qenë e mundshme në këto  rrethana. Mendoj se Limaj është personaliteti i duhur për ta udhëhequr vendin, prandaj ky koalicion e ka nominuar atë si kandidat për kryeministër dhe qëndron fuqishëm prapa tij. Z. Limaj një kohë të gjatë është përballur me padrejtësi dhe ka arritur të fitojë në procese të njëpasnjëshme. Pra, kemi të bëjmë me një njeri i cili është i pjekur mjaftueshëm për ta udhëhequr vendin, sidomos për fazën që po hyjmë.

“Epoka e re”: Vazhdimisht po e përmendini gatishmërinë e z. Limaj për të ndërtuar unitet politik. Do të thotë se kjo është pika më e fortë e tij?
Sherifi: Gjithsesi se pika më e fortë z. Limaj është aftësia e tij për të krijuar unitet në skenën politike, edhe për faktin se me asnjërin prej kandidatëve për kryeministër nuk është konfrontuar në rrafshin personal. Pra, gjithmonë i ka respektuar kundërshtarët pavarësisht se çka kanë përfaqësuar ata, përderisa të tjerat vazhdimisht kanë pasur përplasje mes vete. Gjithashtu, mendoj se pikë tjetër shumë e fortë e kandidat tonë për kryeministër është përgatitja e tij e jashtëzakonshme  politike dhe juridike. Duke pasur parasysh faktin se qeveria e ardhshme do të jetë qeveria e cila do ta projektojë vizionin e bisedimeve me Serbinë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, mendoj se përvoja e tij do të jetë shumë e nevojshme. Duke filluar prej kohës së Rambujesë, pastaj negociatat e Vjenës, procesi i shtetndërtimit të Kosovës, z. Limaj ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha fazat e zhvillimeve të rëndësishme për Kosovën. Tani mendojmë se kandidati ynë për kryeministër është më i përgatitur se të gjithë të tjerët për të qenë kryeministër i vendit.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për 6 tetor për këtë koalicion?
Sherifi: Atë që e kam thënë vazhdimisht mund ta përsëris edhe një herë. Koalicioni i Nismës Socialdemokrate me AKR-në dhe PDK-në gjithsesi do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve. Nëse dalim koalicioni i parë, koalicioni më i votuari në këto zgjedhje, atëherë do të jemi fitues i dyfishtë i këtyre zgjedhjeve. Pra, ne kemi hyrë në garë me kandidatin tonë për kryeministër dhe konsiderojmë se të pesë kandidatët kanë shanse të barabarta para qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se a qëndrojnë në krye të partive të mëdha. Kemi besim të madh se qytetarët e Kosovës kur ta hedhin votën e tyre nuk do të shikojnë vetëm se cilës parti i takojnë, por kush janë kandidatët për kryeministër. Besojmë dhe do të angazhohemi që në këto zgjedhje qytetarët t’i vlerësojnë  kandidatët më shumë se sa partitë.

“Epoka e re”: Pas zgjedhjeve cili do të jetë roli i këtij koalicioni për ndërtimin e institucioneve?
Sherifi: Në këto zgjedhje sovrani, qytetari i Kosovës, do t’i mandatojë partitë politike sipas vullnetit të tij. Dikë do ta nxjerrë partinë e parë, dikë të dytën, dikë të tretën e kështu me radhë. Pavarësisht radhitjes, është detyrë e të gjitha partive politike që ta marrin seriozisht mesazhin e elektoratit në zgjedhje dhe ta shtrijnë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin në interes të shtetit. Pra, e kanë për detyrë që të gjithë të bëhen bashkë për shtetin, sepse shtetin e presin sfida jashtëzakonisht të mëdha në periudhën e ardhshme qoftë  nga pozicioni i pozitës apo i opozitës. Secili nga ta duhet ta japë kontributin e tij. Limaj ua ka bërë një ftesë publike të gjitha partive politike, kandidatëve për kryeministër, që të zotohen paraprakisht para qytetarëve të Kosovës se do të jenë të gatshëm dhe të deklarohen publikisht se do të jenë konstruktivë në rolin e tyre që do t’ua caktojë sovrani, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë detyrimisht duhet të jetë një marrëveshje që do ta sjellë njohjen reciproke, në mënyrë që të dy shtetet të lirohen nga prangat që janë të lidhura njëra me tjetrën dhe të ecin drejt zhvillimeve të reja në integrimet euroatlantike.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 19 shtator 2013, zyrtari doganor i EULEX-it Audrius Senavicius…