Pasaporta zvicerane, ndër më të fuqishmet në botë për vitin 2026
Pasaporta e Zvicrës vazhdon të renditet ndër më të fuqishmet në botë, duke zënë vendin e dytë në Indeksin Global të Pasaportave 2026, të publikuar nga Global Citizen Solutions.
Renditja tregon dominimin e vendeve evropiane, të cilat zënë nëntë nga dhjetë pozitat e para, ndërsa Singapori është i vetmi shtet jashtë Evropës që bën pjesë në “Top 10”.
Ndryshe nga renditjet tradicionale, të cilat bazohen vetëm në numrin e vendeve ku qytetarët mund të udhëtojnë pa vizë, ky indeks merr në konsideratë edhe faktorë të tjerë, si mundësitë për investime, cilësinë e sistemit shëndetësor, sigurinë, nivelin e inovacionit, klimën, infrastrukturën sociale dhe politikat tatimore. Këta elementë synojnë të vlerësojnë jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe cilësinë e përgjithshme të jetesës që ofron secili shtet.
Në krye të renditjes qëndron Suedia, e ndjekur nga Zvicra. Në dhjetëshen e parë renditen gjithashtu Finlanda, Gjermania, Holanda, Danimarka, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Singapori, transmeton “albinfo.ch”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar rënie në këtë renditje, duke u pozicionuar në vendin e 12-të për vitin 2026, pas rikthimit të disa regjimeve të vizave nga vende partnere.



