‘Pash Zotin mos gjuaj bërllok’, del të jetë thirrje e qëlluar për mitrovicasit

03 qershor 2022 | 11:29

Thirrjen ndaj qytetarëve për të mos hedhur mbeturina vend e pavend, rrugëve të qytetit të Mitrovicës, dikush po e bën në një formë më ndryshe se zakonisht.

Në disa vende afër ndërtesave, shtëpive, apo edhe lokacioneve tjera në Mitrovicë, shihen të vendosura mbishkrime: “Pash Zotin mos gjuaj bërllok”, e që sipas qytetarëve, po del të jetë mënyrë e qëlluar dhe e suksesshme.

Leutrim Arifi, banor i lagjes “Miran Hajra” në Mitrovicë, ka bërë me dije se më herët qytetarët kanë hedhur mbeturina midis rrugëve të lagjes.

Mirëpo, ai ka thënë se dikush prej banorëve të lagjes ka vendosur në rrethojën e tregut një letër me mbishkrimin: “Pash Zotin mos gjuani bërllok”, dhe tani askush nuk hedhë më mbeturina.

“Përpara këtu ka qenë një kontejner dhe njerëzit kanë gjuajtur bërllok. Pastaj e kanë hequr kontejnerin dhe e kanë dërguar te stadiumi, dhe njerëzit kanë vazhduar prapë me gjuajtur bërllok. Mirëpo, një njeri i panjohur e ka vënë një letër ku shkruan:  ‘Pash Zotin mos gjuaj bërllok’ dhe njerëzit më nuk po gjuajnë bërllok. Nuk dihet, është njeri i panjohur, por ka bërë një gjest unik dhe siç shihet, qytetarët janë vetëdijesuar”, ka thënë Arifi për “Kosovapress”.

Edhe Asllan Fazliu, banor në njërën prej ndërtesave në rrugën “Xhelal Mitrovica”, ka thënë se ka një vit që dikush prej banorëve ka vënë një pllakë në mur me përmbajtje të ngjashme, e cila ka pasur efekt pozitiv.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdohet me vënien e pllakave të tilla nëpër lagje, por duhet të ngrihet vetëdija e qytetarëve dhe të mos hedhen mbeturinat aty ku nuk duhet.

“Ne duhet ta formojmë bindjen qytetare dhe të jemi të kulturuar që në realitet mos të hedhim mbeturina aty ku nuk është e përcaktuar me rregulla të komunës”, ka thënë Fazliu.

Gjithashtu edhe Fidan Terziqi, banor i njërës prej ndërtesave në këtë lagje, ka pranuar se një mbishkrim i tillë ka vetëdijesuar banorët.

Në anën tjetër, Ylber Murtezaj, ushtrues i detyrës së zëvendëskryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale për Mbeturina “Uniteti” në Mitrovicë, ka potencuar se në disa pjesë të qytetit, me iniciativën e vetë qytetarëve, janë vendosur mbishkrime me thirrje për mos hedhjen e mbeturinave, të cilat kanë pasur sukses.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri nesër në orën 12:00, PS do të dalë me…