Pasqyra e një gjenerali

21 prill 2020 | 19:11

Ndue Ukaj

Në qytetin verior Sh., rrëzë maleve të larta që preknin qiellin blu dhe përtej brigjeve të lumit, shtrihej fshati Lekë. Dhe aty, në një lartësi të dukshme për çdo sy kalimtari, rrinte një objekt i ngujuar – një shtëpi e vjetër – e vjetër sa s’mbahej mend. Askush s’dinte të tregonte saktësisht për vjetërsinë e saj. Askush s’e dinte nëse ekzistonte ndonjë e dhënë e shkruar për të, kurse ato gojore, ndonëse ishin të shumta, paraqiteshin krejt të turbullta. Askush s’e dinte se në ç’periudhë ishte ndërtuar ajo shtëpi, kush e kishte ndërtuar, kishte qenë kohë lufte a paqe, kishte jetuar kush në të – e më pak – pronë e kujt ishte; madje, s’dihej nëse ishte bërë ndonjë flijim në themelet e saj, sipas zakoneve të vjetra vendore.

E kështu kishin kaluar vite e vite dhe misteri s’kishte arritur të zgjidhej, kurse rrëfimet për shtëpinë, si për çdo gjë misterioze, veç sa ishin shtuar, duke ardhur deri në ditët tona. E nga kjo mjegullnajë e plotë të dhënash, veç një gjë dihej dhe dukej qartë: në atë shtëpi s’jetonte njeri, përveç minjve dhe gjarpërinjve që gjenin prehje në stinët e tyre.

Por kjo shtëpi pa pronar kishte diçka shumë misterioze në të dhe banorët asaj zone, por edhe ata që jetonin matanë kodrave, për shtëpinë flisnin me frikë, si për një tempull të vjetër mallkimesh, prej të cilit duhej të kihej kujdes, sepse mund të shitoheshe në të.

Shtëpia, prej se mbahej mend, ruante të pandryshuar, verë e dimër, ngjyrën e frikshme të mykut, të cilën, siç thuhej, po e prekje të ngjitej për duarsh. Por, kjo s’ishte e tëra. Shtëpinë e bënte krejt të pazakontë diçka që fshihej brenda saj. Një pasqyrë! Një pasqyrë misterioze që s’ishte si çdo pasqyrë.

Po – brenda saj ishte një pasqyrë me fuqi misterioze, prej së cilës dukej e tërë shtëpia, madje edhe skutat më të fshehta të saj, prej ku mund të shihej pluhuri i papastruar kohë të gjatë.

Po ashtu, sipas gojëdhënave, të cilat, ç’është e vërteta ditëve të fundit ishin shtuar, kishte vite, ndoshta edhe dekada e shekuj, që matanë pasqyrës s’kishte kaluar këmbë njeriu.

***

Pas stuhisë që kishte kaluar ai vend, kishte ardhur një qetësi e frikshme. Njerëzit kishin harruar ç’donte të thoshte të jetohej pa frikë, prandaj edhe askush s’donte të bëzante rreth gjërave të paqarta, siç ishte shtëpia dhe pasqyra në të. Por ishte e kotë, njerëzit s’mund të shqiteshin nga ajo, ndonëse beteja për të harruar ishte e ashpër dhe ndihmohej edhe nga udhëheqësit zëmëdhenj.

Shtëpia, njerëzve u shfaqej si një shajni, që i përndiqte, në ditë vere, kur qielli ishte i kthjelltë dhe në dimrin e mjegullt, kur pranvera duket larg sa një shekull.

Atëbotë, në atë zonë u emërua një gjeneral zëmadh, për bëmat e të cilit ishte folur dhe shkruar shumë. Me pamje të rëndë dhe trup të shëndoshë, ai vërtet kishte dukje të gjeneralit trim e zëmadh, për të cilin, ndër vite, ishin thurë gjithfarë legjendash. Thuhej se dikur, kur ishte më i ri dhe në vendin tonë bëhej luftë, ai ishte i shpejtë si vetëtima dhe i frikshëm si tërmeti. Kishte fuqi t’i përshkonte fushat e malet, të kalonte lumenjtë dhe rreziqet, pa menduar fare për plumbat e armikut që përshkonin qiellin si korba nate.

E kur ky gjeneral u emërua në detyrën e re, në qytetin verior Sh., mes gërmadhash të pasluftës dhe vuajtjeve të njerëzve, të cilat mund t’i vëreje në sytë e tyre, lajmi për shtëpinë dhe pasqyrën, ishte rikthyer befas, siç rikthehet i ftohti në stinën e pranverës, pasi të kenë çelë njëherë mirë lulet. Kështu, tregimet rreth pasqyrës dhe shtëpisë u bënë temë kryesore e bisedave të përditshme si nëpër ara, ku bujqit mbillnin tokën, po ashtu gjatë netëve të shkurtra të atij gushti të nxehtë ku, nën hije pemësh, flitej me ton të ashpër për histori dhe politikë.

***

Ishte verë.

Verë përvëluese.

Gjenerali detyrën e mori në pjesën e parë të gushtit. Pa vrarë mendjen shumë rreth sfidave që e prisnin, pasi u vendos në godinën madhështore, me shumë dyer e dritare, befas u zu në kurth nga shushuritjet që bëheshin rreth shtëpisë misterioze dhe pasqyrës misterioze në të.

Dhe përnjëherë, njeriu që s’ishte mësuar asnjëherë me fjalën makth e frikë, i kishte brenda vetës të dyja, por pa guxuar kujt t’ia rrëfente një gjendje të tillë.

Në fund të fundit askush s’mund ta priste nga një gjeneral i madh të rrëfehej përpara dikujt më të vogël se ai.

E gjëra të tilla s’ishte dëgjuar të kishin ndodhur ndonjëherë në histori.

Duhet ta zhbëj atë shtëpi të mallkuar dhe atë pasqyrë të marrë, që ma errëson qiellin në këtë mision të ri – tha me vete, por një ndjenjë e çuditshme e pasigurisë ia përshkoi trupin, duke i krijuar në zemër njëfarë zbrazëti varri, ku iu duk se qe çuar peshë një forcë e panjohur dhe e tunde fort, siç e tundë era e fortë një pemë të vetmuar në një fushë të madhe.

Ditët e para i kaloi mes qetësisë e stuhisë, duke tentuar të gjente drejtpeshim për anijen e mendimeve të tij që lundronte në ujërat e trazuara. Por, që të shqitej nga përfytyrimi për të ishte e pamundur. Shtëpia dhe pasqyra i ngjanin si shajni që e ndiqnin si hija. Po, shtëpia dhe pasqyra ia kishin rrëmbyer qetësinë: e trembin, e trishtonin dhe e bënin të ndihej një hiçgjë.

Pikërisht për këtë arsye, në ditët e para të punës, në vend se të merrej me organizmit e pushtit, të emëronte e të shkarkonte udhëheqës të tjerë, siç bëjnë zakonisht pushtetarët kur ulen në fron, ai iu përkushtua krejtësisht rrëfimeve për shtëpinë dhe pasqyrën. Vendosi të grumbullonte informata e tregime rreth saj, nga bashkëpunëtorë, fshatarë e njerëz të lexuar. Ndërkaq, në fund të atij gushti të nxehtë, e thirri një takim të hapur në sheshin e madh të lirisë. Një takim, të cilin e quajti njohje me njerëzit e asaj zone. Vetë u veshë e u ndreq me kujdes, si për ditë të shënuara dhe, me flamurin e lirisë në dorë, u paraqit në podiumin e rregulluar enkas për të.

Ishte ditë e bukur dhe me diell.

Dhe në podiumin e rregulluar me shije, gjenerali mbajti një fjalim të shkurtër para njerëzve që e dëgjuan me ndjenja të përziera. Pa i lëvizur fare sytë, me qëndrim të ashpër, u zotua se në atë zonë, njerëzit më s’do të kishin shumë tempuj ku të mund të kërkonin të vërtetën, sepse e vërteta ishte një dhe e qartë si dielli: ajo e luftës për liri.

Por për ç’liri fliste ai, askush s’e kuptonte.

Pa e përmendë fare punën e shtëpisë, për të cilën gjë u pëshpërit gojë me gojë se ishte thirr ai takim, gjenerali më zë të kujdesshëm dhe kumbues, në fund të fjalës së tij, banorëve u kërkoi besnikëri dhe u premtoi drejtësi. Dhe ashtu, nëpërmes duartrokitjeve të lehta, zbriti nëpër shkallët e vogla dhe u drejtua ka vetura. Në anën tjetër, turma u shpërnda e qetë.

Gjatë rrugës së kthimit në pallatin ushtarak, i shoqëruar nga dy komandantë besnikë, vështroi përmes dritares dhe tundi kokën pa thënë asgjë!

Të nesërmen, në zyrën e tij të madhe, priti disa banorë, të cilët i urdhëroi të tregonin krejt ç’dinin rreth shtëpisë dhe pasqyrës dhe nga ato biseda s’nxori asgjë të re.

Gjenerali kishte humbur qetësinë, ndonëse bënte përpjekje ta ruante atë, si dikush që mban një zog të ndrydhur në dorën e ligështuar, të cilin ose duhej ta mbyste ose ta lëshonte. Që ta bënte të parën, gjenerali s’kishte fuqi, sepse dukej se asgjë s’varej nga ai.

Kudo lëvizte, i dukej sikur ishte rrethuar nga ajo pasqyrë dhe fuqia e saj magjike, në të cilën shihte tërë kohën dhe gjithfarë imazhesh e fantazmash.

Ndonëse me karrierë të bujshme e të gjatë në punë ushtarake, s’e kishte tunduar asgjë më shumë në jetë sesa ajo që thuhej rreth pasqyrës dhe reflektimit të fuqishëm të saj.

Sidomos u trondit shumë, pas takimit me një burrë të urtë, afër të shtatëdhjetave, i cili, me një pamje të qetë dhe të kujdesshme, duke e shikuar në dritë të syrit, i kishte treguar se pasqyra në atë vend shihej si log mallkim dhe kishte fuqi misterioze dhe mund të shitonte. Dikujt ia kishte marrë sytë, dikë e kishte rrëzuar përtokë, e ndonjë, e kishte hedhë jashtë portës së shtëpisë, si të ishte një letër e lehtë. Ndërkaq, në anën tjetër, gjithashtu, një grua i kishte thënë se, pasqyra, në një kohë, sipas një gojëdhëne, kishte qenë fatkobe, për secilin që e kishte shikuar me hidhërim. Ajo mund të ishte pasqyrë, vetëm për ata që e shikonin vetveten në të, pa dëshira të fshehura e të tepruara si, për shembull, t’i mbulonin njollat në ballë ose gratë t’i fshehin rrudha në fytyrë.

Gjatë karrierës së gjatë ushtarake atij i kishte pëlqyer të quhej gjenerali i zgjidhjeve por, në detyrën e re, diçka e sëmbonte – e gërryente përbrenda dhe s’e linte rehat. Nuk kishte zgjidhje. Nuk i bënin punë strategjitë e luftës, librat e shumtë dhe rrëfimet e çuditshme për gjeneralë me famë.

Gjeneralit iu deshën plot dy javë që të takonte njerëz, të mblidhte informata të mjaftueshme dhe tregime të shumta rreth historisë së shtëpisë dhe pasqyrës në të, që në fund ta bënte zemrën gur dhe të shkonte vetë e të ballafaqohej me të, si dikur në lufta.

Ishte fillimi i shatorit kur vendosi të bënte një veprim të tillë.

Atë ditë qe një ditë e bukur dhe me diell.

Gjenerali u zgjua herët, as i gëzuar dhe as i mërzitur. Piu një kafe dhe një gotë raki, shfletoi një grumbull letrash në tavolinën e punës dhe pastaj doli në dritare. Vendosi duart në parzmakun e saj dhe për një kohë, vështroi gjithçka që mund të shihte përpara.

Natyra ishte e qetë dhe qielli i pafund. Ngadalë, por sigurt, riktheu në vëmendje gjithçka kishte dëgjuar prej kohës kur ishte vendosur aty rreth pasqyrës dhe shtëpisë. Dhe, rreth orës pesëmbëdhjetë të asaj dite me diell, e thirri një ushtar besnik, i tregoi krejt çka e kishte ndërmend të bënte dhe urdhëroi që të mbante në fshehtësi të plotë gjithçka do të shihte e përjetonte atë ditë.  Dhe, me një makinë të fortë ushtarake, u nis drejt vendit ku ishte shtëpia. Makina gumëzhinte nëpër rrugët e shkatërruara, ndërkaq ai ndiente se si një forcë e padukshme zbriste në trupin e fortë dhe ia rrëmbente pushtetin. Sa e sa herë kishte bërë strategji për ta mbrojtur pushtetin e vet nga fuqitë e jashtme e të brendshme, por asnjëherë s’kishte menduar për ndjenjat e frikës, ato që vijnë nga brenda, nga boshësia e njeriut, nga ato ndjenja që njeriut mund t’ia errësojnë qiellin.

Pas gjysmë orë udhëtimi, me fytyrë dhe pamje të trishtuar u gjend para shtëpisë, e cila në dukje të parë s’kishte asgjë të çuditshme.

Gjenerali s’foli asgjë, por kur e pa shtëpinë, e kaploi një plogështi dhe mezi qëndroi në këmbë. Nxori armën, të cilën e shtrëngonte fort, si gjen ma të çmueshme, e duart e trasha i dridheshin si kurrë më parë. Ushtari i brengosur e shikonte me kujdes shefin, pa kuptuar prej ku buronte ai trishtim.

Gjenerali me një thes të pështjelltë mendimesh u nis drejt derës së shtëpisë. E pa mbërritur krejt afër, e ndali hapin, futi armën në vendin e vet dhe lëshoi një ofshamë mbytëse që i vinte nga një shtresë e panjohur e qenies së tij.

U kthye nga ushtari, që i habitur shikonte retë e buta që lëviznin në paqen e bukur qiellore. E shikoi në fytyrë dhe e urdhëroi që të ishte vigjilent, të mos lëvizte nga vendi dhe të vëzhgonte çdo lëvizje.

Ushtari çdo gjë e pohoi me kokë.

Gjenerali ia hodhi dorën në krahët dhe i tha që ta thërriste vetëm nëse shihte dikë që vinte drejt tyre, urdhër të cilin ai e miratoi me përulje ushtarake.

E pa humbur kohë, gjenerali e drejtoi trupin sikur të parakalonte në një paradë ushtarake dhe lëvizi përpara. Me dorën e djathtë e ndreqi kapelën ushtarake dhe me hapa të ngadalshëm iu afrua portës së shtëpisë. Ajo ishte e vjetër dhe mezi mbahej, ndërkaq ngjyra ishte po ajo që ia kishin përshkruar; një ngjyrë myku e lëngshme. Gjenerali e shkelmoi derën si të ishte prej hekuri, por ajo u hap, pa krijuar zhurmë të çuditshme siç priste ai. Aty u ndal për një çast dhe kundroi një pamje të shkretë përpara vetes. Ç’të shihte! Humbëtirë! Nga vendi ku ishte asgjë s’dukej e qartë, prandaj, me hapa të menduar, që të mos prekte askund muret, kaloi derën dhe hyri brenda. Atë moment gjoksi donte t’i pëlciste nga të rrahurat e forta. Pastaj u ndal, e drejtoi trupin dhe shikoi me vëmendje çdo hollësi që mund ta kapte syri, por asgjë nuk dukej e çuditshme.

Dritaret ishin të vogla dhe mezi depërtonte drita, kurse dyert mezi dukeshin.

U lehtësua për një çast dhe tha me vete – të kthehem – por kjo ndjenjë e trishtë dorëzimi iu duk ligësi e madhe që s’i përkiste një ushtaraku. Prandaj, vendosi të shkonte përpara, sepse gjeneralët kurrë s’ndalen, tha me vete, por një zë nga brenda buçiste:

E kjo për një gjeneral s’mund të ishte pyetje, por një heshtë që ia shponte zemrën.

Me sy të zgurdulluar sikur të donte të skanonte çdo cep të shtëpisë, nxori rishtas revolen dhe shtrëngoi fort.

Paqartësia gjithmonë krijon ndjenja frike ndërkaq, kur njeriu ka përballë diçka të panjohur, e panjohura e turbullon edhe më shumë. Me këto ndjenja lëvizte në atë gjysmerrësirë dhe pas disa çastesh iu duk se po shihte diçka më shumë nga shtëpia.

Ndonëse asgjë s’iu duk e çuditshme dhe asgjë s’kishte që mund ta rrezikonte, ai frikën s’mund ta largonte, ngaqë ajo i ishte ngjitur në trup, si uniforma që e shtrëngonte dhe i jepte pushtet.

Gjatë jetës së bujshme ushtarake, me plot dekorata e lëvdata, ai kishte kryer plot aksione, me rreziqe të mëdha, por asnjë s’e kishte trazuar kaq shumë, sepse të kishe punë me njerëz i dukej më e lehtë sesa me fenomene misterioze, siç ishte çudia e shtëpisë dhe e pasqyrës në të.

Duke lëvizur nëpër korridorin e ngushtë, që të çonte drejt një korridori tjetër më të madh, e kujtoi specializimin që kishte bërë për mina dhe hapat i bëri me kujdes të shtuar. Këmbët i shkëpuste nga toka sikur të kalonte nëpër një kufi të minuar, ku ndaheshin e përplaseshin pamëshirshëm jeta dhe vdekja.

Jashtë, një re e zezë kaloi nëpër qiell dhe u ndal para diellit dhe përnjëherë një hije ra në krejt atë korridor. Gjenerali ktheu kokën prapa dhe pa derën nga hyri brenda. Pastaj lëvizi përpara dhe u gjend në hapësirën e gjatë të shtëpisë. Mori frymë thellë dhe me një shikim përbuzës e drejtoi trupin sikur kur jepte urdhra të rëndësishme ushtarake. Në një pikë, as të largët e as të afërt, e pa pasqyrën, ngjyrat e së cilës lëviznin si retë kur qielli trazohet. Pasqyra dukej sikur rrinte e pa kapur askund.

Një pasqyrë në ajër – qeshi me vete.

Dhe armën shpejt e shpejt e futi në brez, e para pasqyrës buzëqeshi me cinizmin e njohur prej ushtaraku urdhërdhënës. Por pasqyra shkaktoi një zhurmë të frikshme dhe përnjëherë lëvizi, duke bërë një rreth rrotullim të çuditshëm. Gjenerali u trishtua dhe u rrëzua përtokë.

Pas pak kohe – minutash apo sekondash – pasqyra u kthye në vendin e vet. Edhe gjenerali bëri përpjekje ta merrte vetën ngadalë dhe të çohej në këmbë. Vetullat e trasha që i pa pas sa e sa vitesh aq dukshëm në pasqyrë, ia errësuan shikimin dhe mërzia veç sa i shtohej. Në atë pasqyrë i bëhej sikur shihte një fytyrë tjetër: të egër, të zymtë, dhe jo fytyrën e vet.

Të jetë kjo fytyra ime, psherëtiu i dëshpëruar. Jo, është reflektimi i pasqyrës, tha dhe largoi sytë në një drejtim tjetër.

Atij i dukej sikur shtëpia i rrëzohej dhe e zinte aty. Ndërmjet atyre ndjenjave të trazuara, u mundua ta qetësonte veten, të zbutej dhe të flakte zemërimin. Mbuloi sytë dhe vetullat e trasha me duart që i dridheshin. Dhe ashtu qëndroi disa sekonda, dhe pastaj provoi të këqyrej sërish në pasqyrë, duke provuar të qeshte, mirëpo pasqyra sërish lëshoi zhurmë të njëjtë dhe u rrotullua, ndërkaq ai, sërish u përplas përtokë, si të ishte një lis i madh dhe pa rrënjë.

Gjenerali të njëjtin veprim e përsëriti disa herë radhazi.

Pas shumë veprimeve të njëjta, u zhgënjye pa masë me pafuqinë që e kishte kapluar dhe, i zemëruar, e kuptoi se pasqyra s’ishte lodër me të cilin mund të qesëndisej. I hutuar dhe pa ndonjë strategji që të dilte nga kjo gjendje, heshti dhe shikoi veten në të, prej ku pa trupin e vet të shtrirë përtokë.

Në jetën e tij kishte parë shumë njerëz në atë gjendje, por asnjëherë s’e kishte imagjinuar vetveten në atë gjendje. Më së paku përpara një sendi të çuditshëm, siç ishte ajo pasqyrë.

Provoi të ngrihej përsëri në këmbë por, sa herë që çohej, pasqyra kthehej në vendin e vet. Kjo lëvizje e trishtoi edhe më shumë. Në atë gjendje, duke bërë lëvizje të pakuptimta, i ra kapela nga koka dhe e këqyri pasqyrën me një ndjenjë pendimi, sikur t’i përgjërohej një figure të shenjtë. U habit kur pa një njollë të madhe në ballë, një njollë që e mbante të mbuluar prej kohës kur ishte bërë gjeneral, dhe kapelën s’e hiqte nga kryet deri kur binte në gjumë, sepse ajo ishte pushteti i tij. U step! Njolla, që dikur ishte e vogël, tani ishte rritur. Me dorën e majtë u mundua ta prekte por, s’guxoi. Iu duk sikur të prekte një plagë të rëndë që mund t’i shpërthente. Në ato çaste, si në agoni, iu kujtua rrëfimi për Krishtin e ringjallur dhe shfaqjen e tij në mesin e njerëzve. Po, gjeneralit iu bë sikur e pa të vdekurin mes të ngjallurve, tek flet me dishepujt e vet të dashur dhe me gratë që i qëndruan besnike deri në kryq.
Ndonëse s’kishte lexuar me vite, nga kujtesa i tij shpërtheu tregimi i Krishtit të ngjallur, i cili një ditë u shfaq në një dhomë ku apostujt e tij ishin mbyllur nga frika e persekutimeve. Por aty, siç thotë tregimi, s’kishte qenë Toma, njëri prej apostujve. E kur apostujt e tjerë i treguan Tomës se e kishin parë zotërinë, ai s’u kishte besuar dhe u kishte thënë: Pa e parë vetë dhe pa i vu gishtin tim në kraharorin e tij, pra në plagë, nuk besoj!

Dhe një ditë Krishti u rishfaq prapë mes tyre, aty ku ishte edhe Toma. E thirri dhe i tha: Tomë, eja dhe veje gishtin në plagë.

E Toma u trondit e i tha: Zotëria im dhe hyji im, dhe besoi!

Pse po më sheh po beson – i tha Krishti, dhe shtoi – lum ata që s’më kanë parë dhe besojnë.

Ç’ishte kjo plagë dhe në ç’ka të besonte gjenerali. Mendimet e tij ishin të shkreta, si një lule e vyshkur, që të kujton një stinë të kaluar. Ajo edhe mund të ngjallej, por i duhej një stinë tjetër, një stinë e re. Gjeneralin çfarë stine e priste?

Atij iu kujtua se atë plagë, që i ishte shndërruar në njollë, e kishte fshehë nën kapelën ushtarake dhe s’ia kishte treguar askujt. Donte të bërtiste dhe t’i ndiente qielli uturimat e tij, por s’mund të bënte asgjë. Ishte si i pagojë. Nuk ishte asnjë Krisht aty, që t’i thoshte, veje gishtin në plagë.

Po – atë shenjë, qysh moti, ai e kishte mbuluar me pëlhurën e shndërruar në kapelë ushtarake. Dhe ajo kapelë, me një shenjë në ballë, ishte shndërruar në simbol të fuqisë së tij. Ndër vite, i zënë me punë, ai kishte harruar shenjën që i kujtonte shumëçka.

Duke u shikuar në pasqyrë, ajo shenjë, sa çel e mbyll sytë, ia hapi një kapitull të ri, të cilin deri atë ditë kishte menduar se e kishte mbuluar pëlhura e harresës. Dhe përnjëherë, si në një ekran të madh, iu kujtua e kaluara, e cila ushtonte në veshët e tij, si jehona e një muzike të padëshiruar dhe pikëlluese.

Mendime ta palidhura e tërhiqnin zvarrë, ndërkohë që, pasqyra ndriçohej edhe më shumë dhe rrinte përballë trupit të rrëzuar përtokë, prej të cilit diçka shembej.

Gjenerali s’kishte besuar se dikush mund ta nënshtronte – më së paku një pasqyrë – në një shtëpi të tillë, të braktisur.

Në fillim, kur pati dëgjuar për të, qe tallur me të dhe me të gjithë ato që thuheshin për të. Por, i gjendur i vetëm përballë saj, e kuptoi se ai ishte i pafuqishëm dhe nuk ishte strategji triumfuese, veçse duhej t’i dorëzohej dhe t’ia mbathte nga kishte ardhur.

I dërrmuar në trup dhe në shpirt, e kuptoi se gjurmët e jetës nuk mund të fshiheshin përgjithmonë sepse, dashur apo jo, vinte një ditë kur frynte një erë e fortë dhe ta lëkundë kapelën nga koka ku ti mund të kesh fshehur një plagë, e ku një ditë të kërkohet ta vendosësh gishtin. Në mos jo gishtin, si Toma në kraharorin e Krishtit, mendjen, atë që s’e kontrollon, po.

Gjenerali tani e kuptoi njëmend se dielli nuk mund të mbulohej me shoshë, siç thuhej tash e sa kohë dhe, i dëshpëruar për vdekje, e largoi shikimin nga pasqyra, sikur me këtë gjest të kërkonte që të zhdukej prej saj dhe e ktheu kokën prapa, kah dera e mallkuar, nga kishte hyrë në perandorinë e tmerrit. Por atë çast, dera iu duk tepër e vogël që ta nxinte trupin e tij.

Si hyra aty – tha dhe nxitimthi bëri një lëvizje prapa. E dinte se duhej të ikte nga ajo shtëpi dhe nga ajo pasqyrë.

Ishte vonë të thoshte se ishte penduar fort që erdhi, por këtë e tha me vete. Donte të bërtiste që, së paku, ta dëgjonte ushtari që rrinte jashtë derës në diell, por zëri s’i dilte. Diçka i ishte lidhë në fyt. Dhe, ai s’ishte i zoti t’i lëvizte qepallat e as buzët e shkrumbuara për një pikë ujë.

Gjenerali s’kishte kohë për asgjë. As të ikte, e më pak kishte dëshirë të ballafaqohej me pasqyrën. I zymtë në fytyrë dhe i tronditur në shpirt, mendoi me vete: Unë jam një hiç, një gjeneral që kam nënshtruar shumëkënd e nuk mbërrij ta nënshtroj një pasqyrë të thjeshtë, që rri në ajër. Ah, ç’jemi ne, racë e ndyrë, të varur nga punët dhe sukseset, e këqyrim vetën shumë rrallë në pasqyrë. Jemi zero, të etur për fitore dhe beteja, për dekorata e pushtet dhe harrojmë gjitha ato gjurmë që lamë pas nesh, ato gjurmë që na përplasen në fytyrë kur detyrohemi të përballemi me pasqyrën. Thjesht, kur detyrohemi ta qesim gishtin në plagë.

***
Ndonëse gjeneralin s’e shihte askush, atij i dukej sikur të ndodhej para një ekrani të madh, ku kishin ngulur sytë qindra e mijëra njerëz të vendit të tij dhe po ia shihnin njollën në ballë dhe prisnin me padurim një tregim prej tij… një tregim të gjatë, për plagën, për besimin, për fitoren e rreme, për njollën… për fuqinë dhe pafuqinë e tij përballë një pasqyre…

Në të vërtetë, kishte kohë prej kur njerëzit e vendit të tij prisnin një rrëfim për gjithçka kishte ndodhur dekadave e viteve të fundit, për ato tonelata vuajtje që kishin pësuar njerëzit e vendit të tij.

Atij kurrë s’i kishte shkuar mendja të pendohej për zullumin që kishte bërë ushtria nën urdhrat e tij, për shumë jetë të vyshkura e të shuara. Lëshoi një ofshamë të tillë, çfarë lëshojnë vetëm njerëzit që humbin gjëra të çmueshme në jetë. Dhe, për herë të parë ndjeu një nevojë të çuditshme; një dëshirë që i vinte nga brenda, një nevojë që s’ishte gjë tjetër, veçse dëshirë e madhe për pendim. Ai donte përpara ta kishte një prift me zhgun, ku ta përkulte gjurin dhe të rrëfente gjithë jetën e tij të gjatë, gjurmët e fshehura, plagën që e fshihte nën kapelë. Të tregonte gjithçka! Po, por, ai s’e kishte përballë priftin, as një tryeze gjyqi, me letra të shumta dhe dëshmitarë që rrinin në radhë, por një pasqyrë te një shtëpie të vjetër, të cilën ishte betuar se do ta thyente dhe do ta zhbënte. Por, arma e tij qe sterile përballë fuqisë së saj dhe kështu, pavullnetshëm, iu dorëzua pushtetit të saj.

Kishte kaluar një kohë prej kur ishte brenda shtëpisë. I urrente vetullat që ia kishin errësuar sytë, ata sy që dikur kishin forcë dhe egërsi, por që atë ditë dukeshin si kreshta malesh të djegura që kundërmonin aromë të keqe.

***
Mblodhi forcën e fundit dhe u kthye kah kishte hyrë brenda. Dera i bëhej sikur po zvogëlohej dhe ai po mbeste pa frymë.

Donte të qante, por sytë e tij s’e kishin provuar lotin qëmoti dhe ishin si përrenj të thamë. Ndiente një nevojë të madhe për lot, që të shkrehej në vaj, të qante përmallshëm në prehrin e dikujt.

Ai s’dinte si dilej nga ajo skëterrë ku kishte hyrë me dëshirë. Në të vërtetë, skëterra më e madhe, ajo që s’mund ta kalonte, ishte në kujtesën e tij, aty ku ishin çuar peshë tregimet e shumta – ato që s’ia kishte treguar askujt.

Kështjella e kujtimeve i ishte shpartalluar ashtu siç shpartallohej një ushtri, ndërkaq trupi i tij i dërrmuar ndiente dhembje. Në ato çaste vetja iu duk si një flamur i braktisur, pas një beteje të ashpër, të cilin flamur pastaj e vizitonin korbat dhe krrokatnin me zërin e tyre të frikshëm.

Nuk mund të mendonte asgjë për të ardhmen sepse lumi i së kaluarës e kishte vërshuar dhe i dukeshin të afërta kohët kur ngarende pas pushtetit, përmendoreve, gradave dhe shkrimeve të shumta nëpër gazeta.

Me ato pak fuqi që i kishte mbetur, bëri edhe disa hapa drejt derës, prej ku e pa qiellin e kthjelltë dhe vargmalet e bukura.

Jashtë çdo gjë është mirë – mendoi me vete – teksa shihte përreth muret e shtëpisë me ngjyrë myku – të një shtëpie të vjetër, ku s’ndihej aromë njeriu dhe ku një pasqyrë e rrëzoi përtokë.

Dua të iki, dua të iki – pëshpëriti disa herë më zë të dridhur.

Duke ngarendur kah dera i përfytyroheshin figura njerëzish, si fantazma, që e shikonin me përbuzje dhe i thoshin:

Nuk ke kohë të ikësh, jo, s’ke ku të ikësh, është vonë!

Në atë gjendje të turbullt e çau dëshpërimin dhe doli matanë derës së vogël, pas së cilës u përplas dhe ra në mendime të thella. Ishte në gjendje të amullt, mes gjumit dhe vdekjes.

Pas një kohe u kthjell dhe u ndie i çliruar për një çast, kur mendoi se ishte nën qiell dhe larg pasqyrës, por zemra dhe mendja i kishin mbetur peng, brenda, te pasqyra, te muret e shtëpisë, te ngjyra, te njolla… të njollaaaaa në ballë!

Atë çast e kuptoi se detyra e re nuk ishte ajo e vjetra: të ushtronte pushtet, por ishte diçka që lidhej me vetveten e tij, me pasqyrën, njollën, kohën, kujtesën, me lumin e kujtimeve që e kishte vërshuar në kokën e tij.

Gjenerali me asgjë s’e ngushëllonte!

Pas shumë vitesh iu duk sikur nuk zotëronte asgjë, ndonëse nën thundrën e tij ishte komplet ajo zonë e madhe që priste ç’do të ndodhte me fatin e tyre.

Vajzat kur e këqyrin në pasqyrë, gjithmonë e mendojnë vetën ma të bukura sesa që janë, ndërkaq gjeneralët, në fund të jetës së tyre, kur rrëzohen për tokë, shpeshherë e shohin pasqyrën si të vetmin vend ku mund të rrinë pa u pështyrë.

Shoqëruesi e shikonte tkurrjen e shefit me përbuzje dhe, thellë në vete, ndiente një gëzim të çuditshëm që s’e kishte provuar kurrë.

Muzgu i mbrëmjes ra.

Dielli iku pas kodrave të thepisura, për të lindur diku tjetër, si një rrëfim i ri shprese.

Pas pak qielli do të mbushet me një mori të pafund yjesh.

Ndërkaq, në horizont kishin filluar të ndizeshin dritat e qytetit që shtrihej poshtë këmbeve të tij, por gjenerali më s’kishte fuqi…

 

(Marrë nga revista “Akademia”©)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë disa basketbollistë/e nga…