Paternalizimi destabilizues i ‘lehtësuesit’ Borrell për krimin e organizuar!

14 tetor 2021 | 13:49

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj deklaratës së përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, i cili qortoi dje Kosovën për aksionin e Policisë kundër kontrabandës në veri.

Sipas KMDLNj-së, në një vend normal kjo deklaratë e Borrellit do të konsiderohej si skandaloze, e papërgjegjshme dhe anuese.

KMDLNj ka theksuar se intervenimi i djeshëm i Policisë së Kosovës ishte krejtësisht në përputhje me ligjin dhe gjatë këtij intervenimi në asnjë rast nuk kishte tejkalim të autorizimeve zyrtare.

“KMDLNj është kundër zbatimit të standardeve të dyfishta në luftimin e krimit të organizuar siç kërkon zoti Borell që edhe më parë nuk e ka pasur si virtyt paanshmërinë dhe objektivitetin. Përkundrazi, është sjell si të ishte i deleguar i Aleksandër Vuçiqit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

PATERNALIZIMI DESTABILIZUES I ‘LEHTËSUESIT’ BORRELL PËR KRIMIN E ORGANIZUAR!

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë më të diskriminuarit në Europë për faktin se janë të mbyllur dhe nuk mund të lëvizin ngase iu mohohet e drejta elementare e njeriut, lëzija e lirë e që konsiderohet si kusht i domosdoshëm për një shtet demokratik.
Ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-a madje duke e dëmtuar edhe vet shtetin siç ishin Demarkacioni, Asociacioni i komunave serbe dhe Gjykata Speciale, përsëri iu mohua liria e lëvizjes përmes refuzimit të liberalzimit të vizave me arsyetim se nuk po luftohet mjaftueshëm korrupcioni dhe krimi i organizuar. Ishte dhe është pikërisht BE-a që ua mohon qytetarëve të Kosovës (të vetmit në Europë) lirinë e lëvizjes me kërkesë explicite të luftohet korrupcioni dhe krimi i organizuar.
Më 13.10.2021 Policia e Kosovës ndërmorri aksione në disa lokacione në Kosovë në luftë kundër kontrabandimit të mallrave ilegale dhe krimit të organizuar. Policia e Kosovës siguronte punën e doganierëve dhe inspektorëve rregull ky i zbatuar aty ku parashihej rreziku dhe ku do të kishte arrestime. Veriu i Kosovës , që nga përfundimi i luftës u shndërrua në “tokë të premtuar” për krimin e organizuar ku të papenguar bashkëjetonin dhe bashkëvepronin kriminelët e të gjitha përkatësive etnike të cilët, në jo pak raste kishin përkrahjen dhe mbrojtjen e politikës dhe politikanëve të fuqishëm të të gjitha përkatësive etnike. Ata që e pësonin ishin qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Në të gjitha raportet e BE-së dhe të tjera Kosova radhitej në majat e saj si kampion i korrupcionit dhe krimit të organizuar. Deri më tani, çdo veprim i Prokurorisë dhe Policisë që kishte për qëllim zbatimin e ligjit kishte përkrahje të plotë të shteteve të BE-së dhe SHBA-ve.
Tash, kur Prokuroria dhe Policia e Kosovës ndërmorrën një aksion kundër krimit të organizuar e që përfundoi me 9 shqiptarë të arrestuar, 1 serb dhe 1 boshnjak reagimi ishte përkrahës përjashtuar këtu Kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me kamarillën e tij dhe Josep Borel, përfaqësuses i lartë i BE-së dhe për fat të keq edhe “lehtësues” midis Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare. Edhe më i skjashëm ishte goran Rakiq, minister i qeverisë së Kosovës i cili vetëm sa nuk i shpalli luftë Kosovës, në mbrojtje të krimit të organizuar. Në një vend normal ai do të shkarkohej, menjëherë dhe pa asnjë hezitim.
Josep Borell e barazon të drejtën dhe obligimin ligjor të Policisë së Kosovës ta luftojë krimin e organizuar me të dyshuar dhe të arrestuar për krim të organizuar që është, sa e pamoralshme aq edhe e dënueshme. Në luftimin e krimit të organizuar nuk mund të zbatohen dy standarde; shqiptarët dhe të tjerët poshtë lumit Ibër mund dhe duhet të arrestohen kurse serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës nuk mund të arrestohen sepse rriten tensionet politike dhe të tjera. Në një vend normal kjo deklaratë do të konsiderohej si skandaloze, e papërgjegjshme dhe anuese. Josep Borell është shumë i vetdijshëm për këtë deklaratë dhe e gëzon përkrahjen e BE-së. Presedani ishte krijuar kur intervenimi i parafundit, krejtësisht i ligjshëm i Policisë së Kosovës ishte barazuar me barrikaduesit e kundërligjshëm duke imponuar një marrëveshje që barazonte mbrojtësit dhe zbatuesit e ligjit (Policia e Kosovës) me shkelësit dhe dhunuesit e Ligjit (grupet ekstremiste serbe) në Veri të Kosovës.
Sulmi i djeshëm i ekstrmistëve serbë me armë zjarri kundër Policisë së Kosovës përbënë elemente të veprës penale të terrorizmit dhe si i tillë duhet të trajtohet. Po këta ekstremistë sulmuan gazetarët, doganierët dhe inspektorët për punën që ishte përgjegjësi e tyre.
Sipas KMDLNj-së intervenimi i djeshëm i Policisë së Kosovës ishte krejtësisht në përputhje me ligjin dhe gjatë këtij intervenimi në asnjë rast nuk kishte tejkalim të autorizimeve zyrtare. Policia e Kosovës nuk mund të fajësohet pse ka intervenuar dje por pse nuk ka intervenuar më herët dhe ka lejuar që kjo pjesë e Kosovës është shndërruar në parajsë të krimit të organizuar.
Është krejtësisht e parëndësishme nëse Policia ka intervenuar në prag të zgjedhjeve lokale apo në kohën kur ka intervenuar. Policia ka intervenuar në bazë të vlerësimit të situatës.
KMDLNj është kundër zbatimit të standardeve të dyfishta në luftimin e krimit të organizuar siç kërkon zoti Borell që edhe më parë nuk e ka pasur si virtyt paanshmërinë dhe objektivitetin. Përkundrazi, është sjell si të ishte i deleguar i Aleksandër Vuçiqit.
KMDLNj kërkon që i tërë spektri politik në Kosovë të përkrahë Policinë e Kosovës në përpjekje për zbatim të ligjit pa bërë asnjë dallim në baza etnike dhe të tjera. Ky duhet të jetë standard i pranuar nga të gjithë; vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rosie Huntington-Whiteley ka ngritur temperaturat në të brendshme derisa ka…