Patriotizmi jugosllav në shërbim të narrativës kundër shtetit të Kosovës

31 mars 2026 | 20:11

Shkruan: Hisen Berisha 

(Veteranët e luftës nuk janë turmë proteste, por bartës të legjitimitetit historik dhe institucional. Qëndrimet e tyre janë obligim për institucionet shtetërore, në përputhje me ligjin dhe me parimet e shtetndërtimit.)

Patriotizmi jugosllav i sojit e pjellës jugonostalgjike dhe produkt ideologjik i një mendësie të kultivuar nga rrethi politik i Albin Kurtit dhe Veton Surroit, po materializohet përmes ekspozitave, publikimeve dhe aktiviteteve që, në thelb, kontribuojnë drejtpërdrejt në përforcimin e pretendimeve të Prokurorisë Speciale në Hagë. Këto pretendime, të ndërtuara mbi narrativën e prodhuar nga Serbia dhe Rusia, synojnë kriminalizimin e UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” dhe delegjitimimin e sakrificës së shqiptarëve për liri dhe shtet.

Sot, kjo nuk është më vetëm propagandë e jashtme. Serbia dhe përfaqësuesit e saj tashmë po e përdorin një argument të ri dhe të rrezikshëm, se narrativën për “krimet e UÇK-së” nuk po e artikulojnë vetëm ata, por vetë shqiptarët.
Autorët e ekspozitave, këshilltarë të pushtetit aktual, deklarimet e përsëritura të kabinetarëve të kryeministrit për “krime të UÇK-së”, veprimet institucionale si dërgimi i dosjeve në Hagë, si dhe qëndrimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë ish- drejtues aksidental të Kuvendit dhe ministra aktualë, po përdoren si prova për të legjitimuar këtë narrativë kundër shtetit të Kosovës.

Ky nuk është më debat intelektual. Kjo është një ndërhyrje e strukturuar në vetë themelin e shtetit. Ky soj jugonostalgjikësh, të edukuar në frymën e patriotizmit jugosllav, të trashëguar nga gjenerata që kanë glorifikuar sistemin e dikurshëm komunist e socializmin jugosllav, sot po vetëprojektohen si “patriotë autonomistë”, ndërsa në realitet po veprojnë në kundërshtim me interesat strategjike të shtetit të Kosovës.

Në këtë situatë, mungesa e një reagimi të organizuar institucional dhe mungesa e një strategjie të qartë për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe Ligjit adekuat, ka krijuar një vakum të rrezikshëm. Ata që kanë përgjegjësinë historike për të mbrojtur këto vlera kanë mbetur jashtë funksionit të tyre, ndërsa veprimet sporadike dhe të paorganizuara vetëm sa kanë dëmtuar kauzën që pretendohet të mbrohet.

Veteranët e luftës nuk janë turmë proteste. Ata janë bartës të legjitimitetit historik dhe institucional. Qëndrimet e tyre duhet të artikulohen përmes përfaqësimit legjitim dhe të reflektohen si obligim për institucionet shtetërore, në përputhje me ligjin dhe me parimet e shtetndërtimit.

Ndërkohë, pasojat e kësaj narrative armiqësore tashmë janë të prekshme. Paraqitja sistematike e UÇK-së si organizatë kriminale dhe terroriste në arenën ndërkombëtare, e ushqyer nga Serbia dhe Rusia, por e mbështetur nga brenda, ka kontribuar në imponimin e modeleve të rrezikshme politike, si autonomia funksionale (vetëmenaxhimi/samoupravlanja) për serbët në Veri dhe tërë Kosovën përmes Asociacionit të hapur. Ky proces ka filluar të implementohet gjatë mandatit qeverisës “Kurti 2” dhe po vazhdon të konsolidohet në praktikë edhe gjatë këtij delegjitimiteti institucional, duke rrezikuar drejtpërdrejt sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.

Ekspozitat, librat dhe publikimet autoriale që synojnë etiketimin e luftës së UÇK-së nuk janë akte të izoluara. Ato përbëjnë një fushatë të koordinuar për devalvimin e luftës çlirimtare si vlerë themelore e shtetit dhe për rikthimin e një vizioni ideologjik të viteve ’90, sot po riciklohet përmes formave të reja, të ashtuquajtur “dokumentim”, publikime selektive dhe narracione të ndërtuara mbi pretendime armiqësor.

Heroizimi i figurave si Dick Marty dhe absolutizimi i pretendimeve të tij, krahas relativizimit dhe viktimizimit selektiv të dhunës, përbën një përpjekje të qëllimshme për të përmbysur të vërtetën historike. Kjo qasje synon të zbehë rolin e dëshmorëve dhe veteranëve, duke i zhvendosur ata nga themeli i shtetit në periferi të narrativës publike.

Në këtë kontekst, veprimet e tilla nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si ushtrim i lirë i mendimit apo si debat akademik. Kur këto veprime prodhojnë pasoja konkrete në dëm të rendit kushtetues, identitetit shtetëror dhe interesit kombëtar, ato marrin karakter të qartë të veprave që cenojnë bazat e shtetit.

Për rrjedhojë, është detyrim institucional që këto struktura dhe veprime të trajtohen në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Organet kompetente duhet të vlerësojnë bazën ligjore për hetim, ndjekje dhe penalizim të çdo aktiviteti që kontribuon në delegjitimimin e luftës çlirimtare dhe në fuqizimin e narrativave të prodhuara nga armiqtë e shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur mbështetjen e tij…