PD-ja prezanton planin për energjinë, Basha: Ulim faturat për 70 për qind të bizneseve

24 shkurt 2021 | 13:06

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) ka prezantuar programin për energjinë. Lideri i kësaj partie, Lulzim Basha, ka premtuar ulje të çmimit të naftës dhe të energjisë  elektrike.

Sipas Bashës, fatura e energjisë elektrike do të ulet për 70 për qind të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.

Po ashtu, Basha ka premtuar dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë.

“Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë”, ka thënë Basha.

Basha ka thënë se do të zhduken nga qarkullimi gjeneratorët, duke mundësua energji të pandërprerë.

Një tjetër pikë e prezantuar nga Basha ishte dhe bashkimi i tregut të energjisë me Kosovën.

“Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut”, ka thënë lideri i opozitës, duke shtuar se do të nxitet dhe prodhimi i energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit”, ka thënë Basha.

Lideri i PD-së ka thënë se “kemi marrë angazhimin e institucioneve prestigjioze që kanë punuar krah për krah me NATO-n dhe Bashkimin Evropian për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme të problemit të përmbytjeve në veçanti dhe erozionit dhe ndotjes në tërësi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë filluar tri ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll.…