PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë

26 korrik 2018 | 20:33

Pas lajmit se ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare dhe i burgosuri politik, Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur ngushëllime familjes Demaçi dhe popullit të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi”, thuhet në mesazh.

“Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave”, ka thënë PDK.

“Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë”, ka shtuar PDK.

“Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë. I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin”, përfundon mesazhi.

Demaçi ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare pas një sëmundje të rëndë nga e cila po vuante.

Ai ka qenë i burgosur politik për 28 vjet gjatë jetës së tij dhe më pas u bë I njohur si “Mandela i Ballkanit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari i çështjes kombëtare, dhe ish i burgosuri politik, Adem…