PDK duhet të nisë me një vendim të thjeshtë, por themelor: të kesh qëndrim!

24 gusht 2025 | 15:16

Shkruan: Albinot Maloku

Që nga 9 shkurti i këtij viti, Kosova ka hyrë në një krizë të thellë institucionale, e cila po cenon demokracinë funksionale dhe parimet mbi të cilat duhet të qëndrojë një shtet. Tanimë nuk kemi mungesë të ndonjë interpretim juridik kompleks, nga se gjërat u sqaruan nga Gjykata Kushtetuese, as mungesë mundësie për t’i bërë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit që po e mban të bllokuar jetën parlamentare, por arroganca politike e një partie që kërkon të sundojë me mandat relativ. Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse doli subjekti i parë nga zgjedhjet, nuk ka shumicën parlamentare dhe, si e tillë, nuk mund të sillet sikur përfaqëson vullnetin absolut të qytetarëve. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që po ndodh: përmes injorimit të thellë të realitetit parlamentar dhe duke e refuzuar dialogun, ajo po tenton të vendosë rregulla të njëanshme në një sistem që duhet të ndërtohet mbi kompromise dhe bashkëpunimin.
Fatkeqësisht, kjo logjikë e përjashtimit dhe dominimit nuk po sfidohet seriozisht nga partitë tjera. Edhe pse të përjashtuara që në start nga çdo diskutim i sinqertë, – PDK-ja dhe AAK-ja në mënyrë të hapur, Nisma Socialdemokrate që ka treguar fleksibilitet për bashkëpunim e trajtuar me përbuzje, ndërsa ftesa sa për hir ndaj LDK-së – nuk po arrijnë të formulojnë qëndrime të qartë dhe të qëndrueshëm përballë deviacionit institucional që e ka kapërdi Republikën.
Në këtë situatë, Partia Demokratike e Kosovës është veçanërisht në fokus. Në vend se të jetë forcë që dikton agjendë dhe mban pozicione të artikuluara, ajo po rrëshqet në një rol dytësor: ndjekëse e kalkulimeve të Vetëvendosjes. Mungesa e një linje politike të qartë e ka bërë PDK-në të duket më shumë si aktore që bën blofe politike sesa si alternativë e besueshme. Veprimet sa për sy e faqe nuk zgjasin gjatë në politikë – elektorati e kupton kur mungon përmbajtja edhe në këtë dekadencë të fjalës publike që është duke i ndodhur shoqërisë e vendit.
Një shembull konkret është rasti i fundit me kandidaturën për kryetar të Kuvendit. PDK-ja kishte deklaruar publikisht, përmes kryetarit të saj Memli Krasniqi, se nuk do të mbështeste asnjë figurë që ka qenë pjesë e kabinetit Kurti II për kryetar/kryetare të Kuvendit. Megjithatë, përballë kandidaturës së Dimal Bashës, një prej figurave më autentike të përfaqësimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë, kështu duke e plotësuar edhe standardin PDK-së nuk i mori votat e saj. Këto lëkundje nuk janë vetëm çështje taktike, ato i japin sinjal qytetarëve se fjala e thënë nuk ka peshë. Dhe në politikë, besueshmëria është kapital.
Partia Demokratike e Kosovës që të shihet si opsion real për qeverisjen e Republikës, duhet të bëjë një kthesë të qartë: të lërë pas politikën e formalitetit, të ndalojë të sillet si parti në defanzivë dhe të fillojë të ndërtojë qëndrime të konsoliduara, të qarta dhe të mbrojtshme. Jo çdo hap duhet të jetë taktikë, disa duhet të jenë qëndrime. Nëse PDK nuk arrin të bindë qytetarët se ka ide të qarta, vlera të qëndrueshme dhe vendosmëri për t’i mbrojtur, nuk do të konsiderohet kurrë si alternativë reale, pavarësisht dështimeve të pushtetit aktual. Republika nuk ka nevojë për aktorë që presin gabimet e të tjerëve për të fituar pikë. Dhe kjo nis me një vendim të thjeshtë, por themelor: të kesh qëndrim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-gjyqtari i njohur spanjoll, Antonio Mateu Lahoz, ka dalë hapur…