PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë e fortë

07 tetor 2020 | 11:33

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti do të vazhdojë të jetë opozitë.

Ai ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete rreth mundësisë që kjo parti t’i bashkohet koalicionit aktual qeverisës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Hamza ka thënë se PDK-ja është opozitë parimore e qeverisë dhe jo opozitë e shtetit të Kosovës.

“Ne e kemi deklaruar rolin tonë në opozitë, nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Pa pasur diçka konkrete, ne vazhdojmë të jemi parti opozitare dhe ta luajmë rolin që na takon. Pra, do të jemi opozitë e fortë aty ku ka nevojë që të jemi të tillë. Por, ne nuk jemi opozitë ku është interesi i vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Pra, ne jemi opozitë, por qëndrimet tona janë parimore”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar se deri më tani asnjëherë në strukturat partiake nuk është diskutuar çështja e futjes së PDK-së në qeveri. “Në strukturat zyrtare udhëheqëse të PDK-së asnjëherë nuk është diskutuar kjo çështje, sepse nuk kemi pasur diçka konkrete që të bisedojmë. Pra, në kryesinë e PDK-së dhe në grupin parlamentar të PDK-së nuk është diskutuar kjo çështje”, është shprehur ai.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së ka kritikuar ish-qeverinë Kurti dhe tani qeverinë Hoti për dëmet që ia kanë sjellë vendit. Hamza ka thënë se këto qeveri nuk janë sjellë në nivelin e përgjegjësisë me sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë kësaj kohe.

“Partitë që fituan zgjedhjet vitin e kaluar kanë folur me pompozitet, duke e quajtur veten si koalicion i shpresës dhe sot shohin se nuk ishte ashtu. Realisht veprimet që janë bërë nga partnerët e koalicionit e kanë dëmtuar vendin. Pra, kanë dëmtuar interesat e vendit, kryesisht në përballje me pandeminë dhe në aspektin shëndetësor”, është shprehur ai.

Hamza ka kritikuar projektin e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike, duke thënë se iniciativa e PDK-së është më e mirë.

“PDK-ja iniciativat ligjore për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës i ka pasur nga fillimi i muajit prill, të cilat janë më përmbajtjesore se iniciativat e tjera, të cilat përmes pengesave administrative dhe burokratike janë vonuar deri tash dhe nuk janë futur në procedurë në Kuvend. Tani në disa seanca janë në rend të ditës, ku janë përfunduar diskutimet, por realisht nuk po ka vullnet politik prej partive të tjera politike që t’i përkrahë iniciativat ligjore të cilat i ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Hamza.

“Epoka e re”: Z. Hamza, Kuvendi i Kosovës ende nuk po mund ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Çfarë është duke ndodhur?
Hamza: PDK-ja iniciativat ligjore për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës i ka pasur nga fillimi i muajit prill, të cilat janë më përmbajtjesore se iniciativat e tjera e të cilat, përmes pengesave administrative dhe burokratike, janë vonuar deri tash dhe nuk janë futur në procedurë në Kuvend. Tani në disa seanca janë në rend të ditës, ku janë përfunduar diskutimet, por nuk po ka vullnet politik prej partive të tjera politike që t’i përkrahë iniciativat ligjore të cilat i ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës. Ne jemi të hapur që mbi bazën e këtyre iniciativave, kushdo që ka propozime, nga cilido grup parlamentar, t’i pranojmë ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj, në mënyrë që të jemi në përkrahje të sektorit privat dhe të kategorive të shoqërisë të cilat kanë nevojë për përkrahje.

“Epoka e re”: A mund të harmonizohet iniciativa e PDK-së me atë të qeverisë?
Hamza: Projektligji i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike ka ardhur shumë më vonë në Kuvend. Ai projekt nuk ka substancë dhe nuk i adreson nevojat e sektorit privat për të punësuarit në sektorin privat dhe kategoritë e tjera të shoqërisë. Pra, të dy projektligjet do të vendosen në votim në seancën e ardhshme, e cila do të mbahet të enjten. Ndërsa ne u bëjmë thirrje partive politike që ta përkrahin projektligjin dhe gjithçka që kanë propozime në mes dy leximeve ne jemi të gatshëm t’i trajtojmë.

“Epoka e re”: Cili propozim pritni të kalojë të enjten në seancë?
Hamza: Është në autoritetin e grupeve të tjera parlamentare se si do të vendosin.

 “Epoka e re”: Sërish është aktualizuar mundësia e futjes së PDK-së në koalicionin qeverisës. Mund të ndodhë një gjë e tillë tani?
Hamza: Në strukturat zyrtare udhëheqëse të PDK-së asnjëherë nuk është diskutuar kjo çështje, sepse nuk kemi pasur diçka konkrete që të bisedojmë. Pra, në kryesinë e PDK-së dhe në grupin parlamentar të PDK-së nuk është diskutuar kjo çështje.

“Epoka e re”: LDK-ja ka bërë me dije se i ka hequr vijat e kuqe për PDK-në. Çfarë nëse kjo parti jua bën ndonjë ofertë për të hyrë në koalicion?
Hamza: Ne e kemi deklaruar rolin tonë në opozitë, nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Pa pasur diçka konkrete, ne vazhdojmë të jemi parti opozitare dhe ta luajmë rolin që na takon. Pra, do të jemi opozitë e fortë aty ku ka nevojë që të jemi të tillë. Por, ne nuk jemi opozitë ku është interesi i vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Pra, ne jemi opozitë, por qëndrimet tona janë parimore.

“Epoka e re”: Është bërë një vit qyshkur PDK-ja e ka deklaruar rolin e vet opozitar. Cili është vlerësimi juaj për dy qeveritë që e kanë qeverisur vendin gjatë kësaj kohe?
Hamza: Partitë që fituan zgjedhjet vitin e kaluar kanë folur me pompozitet, duke e quajtur veten koalicion i shpresës. Sot shohin se nuk ishte ashtu. Realisht veprimet që janë bërë nga partnerët e koalicionit e kanë dëmtuar vendin. Pra, kanë dëmtuar interesat e vendit, kryesisht në përballje me pandeminë dhe në aspektin shëndetësor. Por, mbi të gjitha, aspektin socio-ekonomik nuk e kanë trajtuar në mënyrën e duhur dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha. Kështu që, parashikimet për normën negative të rritjes ekonomike janë goxha pesimiste dhe nuk janë të favorshme për vendin. Pra, të dyja subjektet politike që kanë udhëhequr ekzekutivin gjatë këtij viti, janë vonuar në procese. Madje, përveç vonesave, nuk i kanë marrë masat e duhura të cilat do ta ndihmonin ekonominë që të mos ketë rënie të nivelit të tillë.

 “Epoka e re”: Po në fushat e tjera, ku kanë ngecur këto qeveri?
Hamza: Edhe në fushat e tjera nuk kanë vepruar në mënyrën e duhur dhe në interes të vendit. Për këto çështje ne qëndrimet tona i kemi bërë publike në Kuvend dhe nëpër diskutimet e tjera publike.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta fajësojë PDK-në për zgjatjen e jetës të kësaj qeverie, duke thënë se nuk po i jep nënshkrime për mocionin. E ka diskutuar LV-ja këtë çështje ndonjëherë me ju?
Hamza: Po të ishte kjo iniciativë serioze, LV-ja paraprakisht është dashur të ulet me PDK-në, për të diskutuar me ne se çka përtej mocionit dhe si ka mundësi të sigurohen 61 votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë. Mirëpo kjo iniciativë nuk ka qenë serioze. Ne kemi deklaruar më herët dhe vazhdojmë të qëndrojmë në atë, se kurdo që ky mocion i plotëson kushtet për të ardhur në Kuvend, ne do të votojmë pro këtij mocioni.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar të martën me…