
PDK-ja e dërgon në Kushtetuese vendimin e ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i cili, sipas tij, ka nxjerrë në mënyrë të dhunshme rreth 1 300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë.
Tahiri ka thënë se vendimi i ZRrE-së rrezikon qindra mijëra vende pune dhe dëmton rëndë ekonominë e vendit.
Ai në emër të PDK-së ka kërkuar edhe masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
“Në emër të PDK-së, në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të qindra mijëra vendeve të punës në dhe në mbrojtje të ekonomisë së vendit tonë, dorëzuam kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të ZRrE-së, e cila në mënyrë të dhunshme nxori rreth 1300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, sepse në Kosovë nuk ka treg të lirë”, ka thënë ai, duke shtuar se një vendimi i ZRrE-së rrezikon qindra-mijëra vende pune në vendin tonë. “Rrezikon edhe ata pak prodhues dhe ndërmarrës në vendin tonë që mbajnë gjallë ekonominë e vendit tonë. Ne sot kërkuam një masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të pezullohet implementimi i këtij vendimi dhe pastaj të shqyrtohet”, ka thënë Tahiri.