PDK-ja kërkon nga Kushtetuesja vlerësim për Ligjin për Fondin Sovran

26 dhjetor 2023 | 11:31

Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se qeveria përmes këtij ligji po orvatet të vendosë një superstrukturë për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja tjera të kontrollit mbi asetet publike.

“Ne sot po e fillojmë këtë proces politik dhe jemi të bindur se do të duhej të kthehej apo të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvartet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë të resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet”, shtoi Shala.

PDK-ja vlerëson se me Ligjin për Fondin Sovran po krijohet një institucion jashtë parimeve të sundimit të ligjit, dhe kërkesa për vlerësimin e këtij ligji e pamundëson dekretimin e tij nga ana e presidentes.

Ndërsa, avokati Faton Fetahu tha se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së qysh në fillim kanë paralajmëruar se një nismë e tillë është jokushtetuese, pasi disa ndërmarrje do t’i nënshtrohen kësaj ndërmarrje, duke krijuar kështu pabarazi juridike dhe ekonomike.

“Në tërësi kemi evidentuar, kemi vlerësuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës dhe i tillë është edhe neni, i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, të cilat do t’i mbështesë Fondi. Pra, në këtë mënyrë krijon monopol në treg, sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere, do të investojë”, theksoi Fetahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banorët e Big Brother VIP Kosova sonte i kanë bërë…