PDK-ja në kapitullin e ri, momentin e bashkimit, maturisë dhe rimëkëmbjes politike
Hisen Berisha
Sot u mbledhëm në Konventen Zgjedhore të PDK-së, në një moment të rëndësishëm për PDK-në, një moment që nuk është as i dobësisë e as i pasigurisë, por një moment reflektimi, bashkimi dhe mbi të gjitha, përgjegjësie politike.
Dorëheqja e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës është një vendim që e respektojmë. Është një akt i pjekurisë politike dhe i përgjegjësisë personale. Është dëshmi se lidershipi matet jo vetëm me atë që merr, por me atë që jep, dhe sidomos me mënyrën se a mund jep më, dhe si e hap rrugën për energji të reja.
Ky nuk është fundi i një kapitulli. Ky është fillimi i një kapitulli të ri.
PDK është ndërtuar mbi parime të qarta: liri, përgjegjësi dhe shtetndërtim.
Këto vlera nuk janë pronë e askujt, por themel i përbashkët i të gjithë neve që besojmë në këtë parti dhe në këtë vend. Prandaj, vazhdimësia e PDK-së nuk ka qenë kurrë e varur nga një emër, por nga institucioni, kultura politike dhe struktura e saj e fortë.
Kemi ardhur deri këtu me vizion e konsistencë në abc-në e rrugës së kombit, sepse PDK ka institucione të brendshme të qëndrueshme, ka demokraci të brendshme, dhe ka kapacitet politik që e garanton jo vetëm mbijetesën, por rritjen e saj.
Sot është momenti të reflektojmë.
Sot është momenti të bashkohemi.
Sot është momenti të forcojmë organizatën tonë.
Ne duhet ta kthejmë fokusin tonë tek misioni themelor: mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
PDK ka kaluar dhjetëra sprova në historinë e saj, dhe çdo herë është ringritur. Çdo herë ka dalë më e fortë, më e bashkuar dhe më e qartë në vizion.
Edhe këtë herë do të ngrihemi.
Edhe këtë herë do të dëshmojmë maturi politike.
Edhe këtë herë do të ecim me përkushtim institucional drejt rrugës që na bashkon.
Reflektimi i Kryetarit në detyrë, Memli Krasniqi, është për t’u respektuar. Ai mori drejtimin e partisë në një moment të jashtëzakonshëm, në një moment kur shumë kush mendonte se PDK mund të rrëshqiste, ai arriti ta ndalë rënien dhe të nisë rritjen politike. Ky është fakt. Ky është kontribut. Ky është realitet.
E riktheu idenë se PDK është alternativë reale karshi qeverisjes aktuale, e cila çdo ditë e më shumë po e humb besimin publik.
Por politika ka cikle, dhe lidershipi ka momente kur duhet të reflektoj a mund të jap më, dhe të hapë rrugë për energji të reja.
Ky rrugëtim politik është edhe një mësim i nxjerrur për të gjithë ne, asnjëherë më nuk duhet të lejojmë demonizimin e njerëzve që përfaqësojnë historinë, sakrificën dhe rrugëtimin e PDK bashkë me historinë e shtetësisë së Kosovës.
PDK hyn sot në një fazë të re. Kjo fazë kërkon nga ne tri gjëra: besueshmëri, përgatitje dhe përgjegjësi.
Ky është momenti të rikthejmë besimin e qytetarëve. Jo vetëm sepse PDK ka histori, por sepse PDK ka profesionalizëm, ka përvojë institucionale, ka ekspertizë dhe ka vizion modern për të udhëhequr shtetin.
Duhet të hapemi edhe më shumë.
Duhet të forcojmë debatet e brendshme.
Duhet të afrojmë gjeneratën e re të profesionistëve, dhe të rifreskojmë energjinë politike me standarde të reja udhëheqjeje.
Sot PDK-së i duhet një projekt i qartë për Kosovën: për ekonominë, për sigurinë kombëtare, për drejtësinë funksionale, për dinjitetin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Sot PDK-së i duhet orientim i qartë strategjik pro integrimeve euro-atlantike dhe aleancës së përhershme me aleatin e kombit shqiptar SHBS, jo thjesht zgjedhja e kryetarit.
Pikërisht sepse më e rëndësishme se emri i kryetarit është drejtimi që marrim si parti, sot ne zgjedhim jo një individ, por një vizion. Ne zgjedhim përgjegjësinë për ta çuar PDK-në në fazën e saj të re politike me maturi, integritet dhe vendosmëri.
Kryetari i ri z. Bedri Hamza, që u zgjodh sot, do ta ketë mbështetjen tonë të plotë për t’i hapur rrugë këtij drejtimi të ri.
E uroj paraprakisht për besimin që do t’i japim, me bindjen e plotë se do ta udhëheqë PDK-në drejt bashkimit dhe fitores së merituar për Kosovën.
Historia e PDK-së është historia e vetë shtetësisë së Kosovës.
Detyra jonë është që, siç e ndërtuam këtë shtet, të ndërtojmë edhe të ardhmen e tij. Me përgjegjësi. Me vizion. Me bashkim të sinqertë.
Ky është momenti ynë.
Ky është momenti i bashkimit.
Ky është momenti i PDK-së.
Zoti para ne mbrapa – Fitorja është jona! 327



