
PDK-ja në Lipjan publikon fotografi të parkingut nëntokësor në gjendje të mjerueshme
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka reaguar për gjendjen reale të parkingut nëntokësor sot në Lipjan.
PDK-ja ka publikuar fotografi të këtij parkingu, derisa thekson se punët janë të papërfunduara, hapësirat mbi parking janë të lëna përgjysmë pasi ka mungesë planifikimi dhe keqmenaxhimi.
“Mirëdita nga Lipjani; Kjo është gjendja reale e parkingut nëntokësor sot në Lipjan! – 50% e hapësirës – jo funksionale; – Punët të papërfunduara; – Hapësirat mbi parking të lëna përgjysmë; – Përurime në kohë fushate për marketing, jo për qytetarët; – Mungesë planifikimi, keqmenaxhim dhe dyshime për keqpërdorime financiare. Dhe ndërkohë, kryetari del e promovon në rrjete sociale sikur ka përfunduar një sukses të madh. Në realitet është manipulim të opinionit publik, mashtrim dhe abuzim me paranë publike!”, është thënë në reagimin e degës së PDK-së në Lipjan.
Sipas kësaj partie, kjo nuk është qeverisje, por vazhdimësi e një pushteti që ka në funksion si mjet vetëm propagandën, duke përdorë gjitha mekanizmat e mbi të gjitha buxhetin e qytetarëve.
“Kjo gjendje do të marrë fund. Do të ketë llogaridhënie, transparencë dhe punë të kryera me standard, jo për fushatë, por për qytetarët e Lipjanit!”, ka theksuar në reagimin e saj dega e PDK-së në Lipjan.