PDK-ja: Qeveria të rrisë koordinimin me aleatët strategjikë

02 tetor 2023 | 18:27

Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, është mbajtur sot takimi i përbashkët i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Republika e Kosovës.

Në raport me situatën e sigurisë në vend, Partia Demokratike e Kosovës, edhe një herë, ka shprehur mbështetjen e plotë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila ka bërë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme dhe shumë profesionale në terren.

Për PDK-në, tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd.

“Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje”.

“PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

PDK-ja vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar.

Në këtë kontekst, PDK-ja kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në.

“Në të njëjtën kohë, PDK është mirënjohëse për përkushtimin dhe mbështetjen e aleatëve tanë ndaj Republikës së Kosovës në këtë situatë të vështirë për shtetin dhe popullin tonë. Për PDK-në, interesi nacional i vendit mbetet mbi të gjitha, e posaçërisht në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë”, theksohet në komunikatën e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Banjskë të Zveçanit është reduktuar prezenca e Njësive Speciale…