“PDK ka potencial demokratik”, intervista historike e Fatmir Limajt në RTK rikthehet në fokus (video)
Një intervistë e dhënë nga Fatmir Limaj më 17 shkurt 2006 për gazetarin e njohur të luftës Nuhi Bytyçi në RTK, po rikthehet në vëmendje pas zhvillimeve të fundit politike dhe sinjaleve për rikthimin e Limajt në Partia Demokratike e Kosovës.
Intervista ishte realizuar vetëm disa muaj pas lirimit të Limajt nga të gjitha akuzat e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe rikthimit të tij në jetën politike përmes PDK-së.
Në atë periudhë, Limaj konsiderohej një nga komandantët më të njohur të UÇK-së dhe një nga figurat më të fuqishme të PDK-së në periudhën e pasluftës. Vetëm një vit më vonë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, ai do të renditej ndër deputetët më të votuar në Kosovë.
Në pjesën e intervistës që po qarkullon sërish, Limaj flet për “potencialin demokratik” të PDK-së, nevojën për reformim të partisë dhe hapjen ndaj njerëzve me ide, vizion dhe iniciativa politike që, sipas tij, “i shërbejnë vendit”.
Rikthimi i kësaj interviste në aktualitet vjen në kohën kur Limaj ka shprehur publikisht gatishmërinë për rikthim në PDK – partinë që e bashkëthemeloi në vitin 1999.
Në letrën drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ai ka kërkuar përfshirjen në listën zgjedhore të partisë dhe bashkimin e potencialit politik me synim fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit.
Intervista e vitit 2006 merr sot edhe peshë historike, pasi ishte realizuar vetëm dy vite para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës – deklaratë që më 17 shkurt 2008 u nënshkrua edhe nga vetë Fatmir Limaj.
(Video: Pjesë nga intervista e Fatmir Limajt në RTK, 17 shkurt 2006)



