PDK mbështetë protestën e studentëve shqiptarë: Institucionet t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat
Partia Demokratike e Kosovës u ka dalë në mbështetje studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë protestuar sot për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përkatësisht për provimin e jurisprudencës.
Në reagimin e PDK’së thuhet se cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“E drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e garantuar me kornizën ligjore dhe kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar. Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse atje që t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat e studentëve shqiptarë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara me ligj. PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, thuhet në reagim./Reporteri.net



