PDK-ja në Prishtinë: Nuk ka bazë ligjore për ndërtime në Badovc

23 janar 2020 | 13:08

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e kësaj partie, Leotrim Retkoceri, kanë mbajtur të enjten një konferencë për media.

Gjatë kësaj konference, deputetja Hoxha dhe asamblisti Retkoceri kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të tërheqin lejen për kushtet e ndërtimit për kompaninë e cila ka planifikuar aktivitet banesor në liqenin e Badovcit dhe të zbatojnë të gjitha ligjet në fuqi të cilat e përcaktojnë këtë zonë të mbrojtur me ligj.

“Ftojmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, Drejtorinë Urbanizmit dhe Drejtorinë e Inspekcionit, që të anuloj dhënien e pëlqimit për kushtet ndërtimore të lëshuara në afërsi të liqenit të Badovcit. Të kthehet diskutimi në Kuvendin Komunal të Prishtinës ku do të mund të sqarohen të gjitha rrethanat dhe në fund të vendoset në përputhje me ligjet dhe interesat e qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka njoftuar se tashmë nënshkrimet e nevojshme të asamblistëve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme janë dorëzuar në komunë sipas procedurës së kërkuar me Ligj. “I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që sa më parë të caktojë datën dhe orën e seancës në mbrojtje të liqenit të Badovcit”, ka thënë Retkoceri.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinorë dhe Komuna e Prishtinës që të sqarojnë çdo bazë ligjore në lidhje me situatën e krijuar në liqenin e Badovcit. “Me ligjet aktuale në fuqi, Badovci është një zonë e mbrojtur ujore. Kjo nënkupton që aty nuk duhet të lejohen ndërtime përfshirë edhe zonën e dytë, duke e ruajtur qëllimin primar të liqeni, që është furnizimi me ujë të pijes për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë deputetja Eliza Hoxha.

Deputetja Hoxha ka thënë se Plani Zhvillimor Urban në vitin 2012, parasheh dhe trajton Badovcin dhe Gërminë si park regjional, që në të ardhmen mund të përcillet me funksione rekreative por asnjëherë rezidenciale.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet, është se Plani Zhvillimor Urban, si organ që përcakton zonën zhvillimore urbane, për 10 vite nuk përfshinë këtë zonë të vilave brenda kufirit urban. Kjo nënkupton që zona në fjalë nuk e ka statusin e tokës ndërtimore dhe potenciale për zhvillim dhe ndërtim sepse është e pozicionuar jashtë unazës së jashtme të Prishtinës e cila e përkufizon një pjesë të kufirit urban”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka treguar se të dyja këto plane janë miratuar pas vendimit të shpalljes së Badovcit zonë të mbrojtur.

Plani rregullues urban për zonën Prishtina e Re (2017), nuk e përfshinë këtë zonë brenda territorit të tij. Ky plan është reviduar sërish për shkëmbimin e disa pronave me interes publik në vitin 2019.

Hoxha ka bërë me dije se deri në miratimin e hartës zonale, plani rregullues urban vazhdon të mbetet instrumenti bazë përmes të cilit lëshohen kushtet urbanistike dhe ndërtimore.

“Pyetja që kemi për Komunën e Prishtinës se mbi cilën bazë juridike Komuna i ka lëshuar këto kushte? Prandaj, unë përgëzoj asamblistët e PDK-së për iniciativën por edhe të gjithë asamblistët tjerë që kanë mbështetur këtë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme. Uroj që kjo të caktohet sa më shpejtë dhe të shpjegohen të gjitha paqartësitë në lidhje me këtë shqetësim qytetar. Më e rëndësishmja, ne do të kërkojmë që të zbatohet secili ligj në lidhje më këtë çështje”, ka përfunduar Hoxha.

Seanca e jashtëzakonshme në Komunën e Prishtinës për liqenin e Badovcit, e inciuar nga asamblistët e PDK-së dhe e mbështetur nga asamblistët e partive të tjera, pritet të mbahet javën e ardhshme.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Rinia për Kosovën” është një projekt i përbashkët 18 muajsh…