PE-ja miraton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

23 prill 2024 | 13:31

Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.

Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë, raporton rel.

Nga Aeroporti i Prishtinës nuk është e mundur të udhëtohet me pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd për qytetarët e Kosovës, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, poseduesit e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë nga çdo vend i rajonit.

Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e këtyre pasaportave, si arsyetim dha qëllimin që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë. Ky propozim i Komisionit Evropian erdhi pasi ishte e qartë se nga 1 janari shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit.

Vendimi i së martës u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime.

Ky votim në Parlamentin Evropian është hapi i fundit në këtë institucion të BE-së drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e këtyre pasaportave. Raportin, i cili u votua të martën në seancë plenare, e ka përpiluar deputeti nga Sllovenia Matjazh Nemec.

Ai ka thënë se me raportin e tij nuk ka për qëllim të zgjidhë ndonjë çështje politike apo mospajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por, siç u shpreh ai, një problem praktik dhe teknik për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të siguruar trajtimin e barabartë.

Ai, madje, tha se ky problem ishte krijuar nga vetë BE-ja në vitin 2009, kur u hoqën vizat për Serbinë por jo edhe për bartësit e këtyre pasaportave, dhe tash BE-ja duhet ta përmirësojë këtë gabim. Nemec theksoi në fjalimin e tij se ky vendim, i propozuar nga Komisioni Evropian, është mbështetur edhe nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe ka pajtimin e Këshillit.

Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i…