Aliu mohon akuzat për faljen e dhjetëra miliona eurove borxhe për ambalazhuesit e ujit

23 prill 2024 | 13:30

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i ka quajtur shpifje raportimet e mediave për shlyerjen e borxheve në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Aliu ka thënë se të gjitha këto akuza janë politike dhe se raportimet nuk qartësojnë nëse është i përfshirë në këto akuza.

Ai fillimisht ka kërkuar sqarime se nga kanë ardhur falja e këtyre miliona eurove, ku përfshihet edhe Naser Hafizi, zëvendësues i frejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.

“E para kjo nuk është akuzë, është shpifje. Kur të akuzon duhet të ketë një bazë, një farë lloj lidhje logjike. Kur flasim për borxh, ata do të duhej të flasin një herë sasinë. Pra, thonë 90 milionë euro borxh apo si është ajo. Si kanë ardhur tek ai 90 milionë euro? E dyta, ku lidhet kjo me ministrin Liburn Aliu që ata dëshirojnë me thënë, në çka lidhet, si e paskam falur unë? Kam pasur ndonjë vendim siç ka qenë përpara, vendim për falje apo diçka tjetër? A ka pasur ndonjë vendim të tillë ndonjëherë nga ana ime? A ka ndonjë marrëveshje me dikë? Ku dhe me kënd ajo marrëveshje? Vetëm le të dalin ta thonë, krejt në rregull. Por, të gjitha janë shpifje dhe e nuk kuptoj cili është motivi mbrapa, mbase mund të jetë vetëm thjesht politikë, po mund të jetë edhe çka tjetër”.

“Por, kur thuhet 90 milionë euro i kanë ambalazhuesit, fillimisht e kanë thënë 90, mandej e kanë thënë, mirë 11 milionë euro borxh, që 10 milionë euro borxh. Kur thua janë 11 milion euro borxh, sipas udhëzimit administrativ të 2006-ës është 0.09 cent për litër të shitur. Pastaj kjo ka ndërruar në 0.001 cent, 0.009 dhe pastaj është zvogëluar në 00.001 cent për litër. Kur të thuash 10 milionë euro borxh, ose 11 milionë euro borxh, kjo i bije që qenkan shitur 1 miliardë ose një miliard e 200 milionë. Nëse thua 11 milionë, diku 200 milionë litra ujë nga të cilat taksa duhet me u llogarit kaq. Ose kur ta zbret në 0.001, i bie nëntëfishti i kësaj. Pra prej nga kanë ardhur këto shifra le të dalin le të thonë ata, shumë thjeshtë kështu edhe krejt në rregull”, ka thënë Aliu.

I pyetur për publikimin e disa dokumenteve që e ndërlidhin atë me këto pretendime, Aliu ka thënë se nuk vërtetojnë një gjë të tillë. Vendim të gabuar e ka quajtur edhe atë të ish-kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve ambalazhuesve të ujit.

“Ato nuk janë vërtetime të asaj. Ato shumë thjesht nëse paska pasur hetim për këto, ku është hetimi, ku ka mbërri jemi në rregull? Unë mendoj që ai vendim i asokohshëm ku është thënë falet borxhi nuk ka një bazë të caktuar ligjore sepse nuk është i definuar borxhi, pra është dashtë të definohet cilin borxh”, ka Aliu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Werder Bremen ia ka vënë syrin sulmuesit të Rapid Bukureshtit,…