AKB-ja: Protestat dhe tensionet në Shqipëri po frenojnë investimet kosovare dhe po rrisin pasigurinë ekonomike

16 nëntor 2026 | 14:43

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), si partner institucional shtetëror dhe i organizatave ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, shpreh shqetësimin për klimën e pasigurisë që po krijojnë tensionet dhe protestat e vazhdueshme në Shqipëri.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se institucioni që drejton respekton të drejtën demokratike për protestë, por konsideron se përplasjet politike nuk duhet të shndërrohen në pengesë për zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të

bizneseve.
Ai ka thënë se investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria.

“AKB-ja vëren se një pjesë e investitorëve kosovarë po tregohen më të rezervuar dhe po ngadalësojnë vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri. Pasiguria politike, tensionet institucionale dhe mungesa e një klime të qëndrueshme ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e kapitalit dhe në planet afatgjata të biznesit. Shqipëria nuk duhet të rrezikojë humbjen apo shtyrjen e investimeve për shkak të krizave politike. Pozita dhe opozita duhet ta kuptojnë se ekonomia nuk mund të mbahet peng i interesave partiake. AKB-ja u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë që, përmes dialogut dhe përgjegjësisë shtetërore, të garantojnë stabilitet politik, siguri juridike dhe një klimë të favorshme për investime. Shqipëria ka nevojë për më pak përplasje politike dhe më shumë investime, prodhim, eksporte dhe punësim. Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen, jo të pengohen nga pasiguria politike. Kapitali nuk pret pafundësisht – ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë”, është shprehur Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një grua ka vdekur në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit,…