Iu përkeqësua gjendja para fillimit të intervistimit nga Policia, vdes një grua në Spitalin e Prizrenit

16 nëntor 2026 | 14:42

Një grua ka vdekur në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar në momentin kur po fillonte intervistimi në Polici.

Ajo ndodhej në veturë me një person të dyshuar për posedim të narkotikëve, i cili ishte ndaluar në Vërmicë me veturën e tij të markës “BMW”.

Policia ka bërë me dije se gruas, e cila tashmë ka vdekur, i ishte ofruar ndihma mjekësore menjëherë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

“Sipas procedurës, palëve u është caktuar avokati mbrojtës, ku pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa të dyshuarës femër kosovare, përderisa po fillonte intervistimi në prani të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, për çka është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vendngjarje, nga ekipi i emergjencës ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, e kanë njoftuar Policinë se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sa i përket drejtuesit të veturës, Policia ka bërë me dije se në automjetin e tij janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.

Policia ka bërë me dije se, me urdhër të prokurorit kompetent, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar një detektor për identifikimin e pajisjeve GPS dhe kamerave.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Elita e pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria do të mblidhet…