Rritet konsumi i rrymës, ASK-ja jep detaje

16 nëntor 2026 | 16:07

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 10.74 për qind gjatë shtatorit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga era dhe dielli ka shënuar rritje prej 96.23 për qind.

Këto të dhëna janë publikuar të hënën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin për statistikat e energjisë për muajin shtator 2026.

Sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike ka arritur në 386.10 gigavat-orë (GWh), nga 348.67 GWh sa ishte në shtator të vitit 2025.

Rritja e konsumit është evidentuar në amvisëri, sektorin komercial dhe industri.

Amvisëritë kanë konsumuar 200.41 GWh energji elektrike, duke shënuar rritje prej 11.01 për qind krahasuar me vitin paraprak. Sektori komercial ka regjistruar rritje prej 13.66 për qind, ndërsa industria prej 8.43 për qind.

Sipas strukturës së konsumit, amvisëritë kanë përbërë 51.9 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike, sektori komercial 30 për qind, ndërsa industria 12.9 për qind.

Prodhimi nga era dhe dielli rritet për 96.23 për qind

Të dhënat e ASK-së tregojnë se prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe burimet solare ka arritur në 38.16 GWh gjatë shtatorit 2026, krahasuar me 19.45 GWh në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo paraqet një rritje prej 96.23 për qind, ndërsa pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm ka qenë 11.20 për qind.

Rritje është regjistruar edhe në prodhimin e energjisë nga hidrocentralet, me 31.24 për qind, ndërsa prodhimi bruto nga termocentralet është rritur për 3.81 për qind.

Energjia elektrike bruto në dispozicion gjatë shtatorit ka arritur në 467.69 GWh, ose 4.42 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Kosova importoi më shumë energji sesa eksportoi

Sa u përket shkëmbimeve të energjisë elektrike, Kosova gjatë shtatorit 2026 ka regjistruar import prej 308.37 GWh dhe eksport prej 274.23 GWh, ku përfshihen edhe sasitë e transmisionit.

Krahasuar me shtatorin e vitit 2025, importi i energjisë elektrike ka shënuar rënie prej 2.66 për qind, ndërsa eksporti është rritur për 2.24 për qind.

Ndërkohë, prodhimi i thëngjillit gjatë shtatorit ka qenë 509.853 tonë, duke shënuar rënie prej 1.12 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të dhënat janë pjesë e raportit zyrtar të ASK-së, të publikuar më 16 nëntor 2026.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Harry Kane ka hyrë në historinë e futbollit, duke u…