Kurti: Inovacioni dhe teknologjia do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW2026), e organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK), nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se ndërmarrësia është e rëndësishme për ekonominë dhe rritjen e saj, por edhe mundësi që njerëzit të jetojnë nga dija dhe puna e tyre.
Ai ka bërë të ditur se në dekadën e fundit në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar eksporti i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese ka arritur rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë.
Sipas Kurtit, synimi për vitet e ardhshme është ndërtimi i një ekonomie që prodhon dhe eksporton më shumë, duke krijuar vlerë më të lartë.
Ai ka theksuar se inovacioni dhe teknologjia do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të vendit, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe zhvillimin e produkteve e shërbimeve me potencial eksportues.
Në këtë drejtim, Kurti ka paralajmëruar funksionalizimin e Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe themelimin e Fondit për Inovacion, për të mbështetur idetë inovative, startup-et, kërkimin shkencor, digjitalizimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Ai ka përmendur gjithashtu fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve hulumtuese dhe sektorit privat, si dhe mbështetjen e ndërmarrësve përmes programeve të inkubimit, mentorimit dhe qasjes në financim.
Kurti ka thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion e ndërmarrësi, si dhe integrimit të Kosovës në programet dhe rrjetet evropiane të kërkimit shkencor dhe zhvillimit të inovacionit.



