Peci tregon se kur mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

10 janar 2022 | 12:02

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka deklaruar se nëse ekziston vullneti politik marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Ai ka thënë se kjo do të varet edhe nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare

“Marrëveshja mund të arrihet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi nëse ka vullnet nga të dyja palët. Unë mendoj se marrëveshjes Kosovë-Serbi nuk i nevojitet më shumë se 2-3 muaj që të arrihet, pasi dihen çështjet që duhen diskutuar, diskutimi i tyre nuk merr kohë më shumë se kaq. Mirëpo nevojitet vullneti politik i të dyja palëve por po ashtu edhe nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare që do ta ushtrojë në raport me Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë Peci.

Ai ka deklaruar për KosovaPress se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian i ka dhënë një avantazh shumë të madh Serbisë në Bruksel.

“Këtu e kemi një defekt shumë të madh për vendin tonë në aspekt struktural, sepse mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, i ka dhënë një avantazh shumë të madh Serbisë në Bruksel dhe në këtë aspekt unë mendoj që këto biseda, të cilat do të mbahen mes Kosovës dhe Serbisë, për rregullimin e raporteve të tyre, duhet të përcillen edhe me biseda paralele të Uashingtonit dhe të Brukselit me pesë vendet mosnjohjese, sepse ky nuk është një proces një dimensional, por duhet të bëhen negociata me këto shtete se në çfarë kondita do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe çfarë rezultati duhet të ketë ky dialog që ato të njohin pavarësinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Peci thekson se njohja nga pesë vendet e BE-së është e domosdoshme, në mënyrë që mosnjohja nga Serbia të mbetet problem vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës.

“Unë nuk pres që tani Serbia të njeh Kosovën në mënyrë eksplicite. Mirëpo, për ne është me rëndësi njohja nga pesë vendet e BE-së, apo nga katër të NATO-s, sepse me njohjen e tyre njohja e Kosovës do të bëhet problem i Serbisë dhe jo i Kosovës, ata do të kenë problem kur dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Peci.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 107 milionë euro është profiti i pastër…