
Peja pëson humbje nga Vllaznia
Peja e ka humbur ndeshjen e parë të fazës së dytë të Ligës Ballkanike në basketboll. Të martën mbrëma në Shkodër, Peja ka pësuar nga Vllaznia me rezultatin 78:62, ka njoftuar BIBL.
Peja në këtë ndeshje është paraqitur pa dy lojtarët kryesorë, kapitenin Drilon Hajrizi dhe liderin Dardan Berisha. Hajrizi e Berisha kanë pasur një periudhë shumë të ngarkuar dhe janë lënë të lirë për këtë ndeshje. Javën e kaluar ata i luajtën dy ndeshje të vështira me Kosovën. Ndërkohë më herët Peja luajti tri ndeshje të forta për Kupë. Kupën e Kosovës e fitoi dhjetë ditë më parë.
Peja kërkon suksesin edhe në Ligën Ballkanike, ndërsa pjesën e parë të garave e përfundoi në vend të dytë me bilanc prej pesë fitore e tri humbje.
Të martën në Shkodër, Peja fitoi çerekun e parë, ndërsa u mbajt mirë edhe në të dytin. Por në çerekun e tretë dhe të katërt u dominua nga Vllaznia, që fitoi në fund me shifrat 78:62.
Brett Prahl ishte më i miri te Peja me 17 pikë e gjashtë kërcime. Nigel Johnson realizoi 19 pikë, shtatë asistime e tri kërcime, ndërsa Richard Jackson kontribuoi me 11 pikë e gjashtë kërcime.
Të mërkurën ndeshje në Ligën Ballkanike luan Rahoveci, që e pret Ibarin (Ibrin) e Rozhajës, nga ora 19:00. /Koha.net/