Pengimi i ShBA-së – dëm strategjik
Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti është pengues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, qeveria Kurti ka ndërtuar një politikë të tërë mbi idenë se është më e mençur se aleatët e saj.
Ismaili-Ahmeti ka thënë se kjo qasje ndaj ShBA-ve nuk prodhon as sovranitet, as forcim të shtetit, por vetëm izolim dhe humbje besimi.
“Përplasja me ShBA-të nuk është epizodike por është strukturore. Kjo qasje ndaj SHBA-ve nuk prodhon as sovranitet, as forcim të shtetit, por vetëm izolim dhe humbje besimi. Në këtë realitet, pyetja se “kuj t’i shërben përplasja me ShBA-në?” ka një përgjigje të pakëndshme, por të qartë: përplasja dhe pengimi i SHBA-ve i shërben Serbisë, e cila menjëherë përfiton duke u paraqitur si palë më konstruktive para BE-së dhe duke hequr presionin nga vetja. Po ashtu i shërben Rusisë, sepse çdo çarje Kosovë-ShBA është pikërisht destabilizimi që Moska ka interes ta ushqejë në Ballkan. Në fund, me apo pa dashje, qeveria Kurti po e vendos Kosovën në linjë me interesat e Beogradit dhe Moskës. Dhe kjo vendosje nuk është vetëm gabim politik – është dëm strategjik. Shumë i kushtueshëm për Republikën tonë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.



