
Pensionohet inxhinieri i Trepçës dhe ish ushtari i UÇK, Enver Tahiri, babai i nënkryetarit të Mitrovicës
Enver Tahiri, inxhinier në Trepçë dhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pensionuar në moshën 65-vjeçare. Ai është babai i nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Arian Tahiri përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar për kontributin e babait të tij në periudha të rëndësishme për vendin, përfshirë grevën e minatorëve të vitit 1989 dhe luftën çlirimtare.
Në mesazhin e tij, Tahiri ka përmendur edhe vitet e vështira të mësimdhënies pas luftës dhe angazhimin e babait të tij në edukim, duke e cilësuar atë si shembull frymëzimi për brezat e rinj.
Postimi:
Urime ditëlindjen e 65-të, Babush!
Jeta jote ka qenë një rrugëtim i gjatë – i ndërtuar me sakrificë, dinjitet dhe dashuri të pamasë për atdheun.
Që nga ditët e ftohta të grevës së famshme të minatorëve të Trepçës në vitin 1989, ku zëri yt u bashkua me mijëra të tjerë për liri e dinjitet, e deri te vitet e vështira të mësimdhënies në shkollat ku mungonte drita, por kurrë jo drita e dijes – ti ke qenë gjithmonë në ballë.
E pastaj, pa u hamendur, u rreshtove në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur lirinë që sot e gëzojmë. Krenaria që ndjej për ty nuk shprehet dot me fjalë – ajo është e gdhendur thellë në zemrën time dhe në kujtesën e brezave që do të vijnë pas teje.
Energjia jote, mënyra si e sheh jetën me dritë edhe në ditët më të vështira, janë mësime që do t’i mbaj gjithmonë me vete.
Sot, teksa feston ditëlindjen dhe kalon në një kapitull të ri – pensionimin – dua vetëm të them:
Faleminderit që ishe shembull i tillë. Faleminderit që je ky njeri.
Krenar.