Për dialogun me Serbinë duhet delegacion me bazë të gjerë

24 qershor 2020 | 14:40

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Kosovës i duhet unitet në procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se për këtë proces Kosovës i duhet një delegacion me konsensus më të gjerë sesa qeveria dhe presidenti. Ajo ka shprehur optimizëm se procesi i dialogut është kthyer në binarët e duhur pas distancimit të administratës amerikane nga shkëmbimi i territoreve. Tahiri ka vlerësuar se ShBA-ja dhe BE-ja do ta plotësojnë njëra-tjetrën në fazën finale të dialogut. Sipas saj, delegacioni i Kosovës në këtë proces duhet ta mbrojë shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, shumë shpejt pritet të rifillojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë. A është e gatshme Kosova për këtë proces?
Tahiri: E gjithë bota është përfshirë në pandemi. Sigurisht se në këtë kohë prioritet janë shëndeti dhe rimëkëmbja ekonomike. Mirëpo disa procese që ndikojnë në paqe dhe stabilitet janë të pashmangshme. Prandaj, mendoj se angazhimet e Uashingtonit dhe të Brukselit që ta rinisin këtë dialog janë me vend. Kosova ka pasur disa ndryshime politike, tani kemi qeverinë e re dhe mendoj se ka mundësi dhe mund të ketë edhe vullnet që të jemi në dialog, qoftë në Bruksel apo në Uashington.

 “Epoka e re”: Tanimë janë caktuar edhe datat për rifillimin e dialogut. Fillimisht më 27 qershor në Uashington, pastaj në korrik në Bruksel. Cili është qëndrimi juaj për këto takime?
Tahiri: Së pari dua të them se Kosova është një çështje euroatlantike, pra kjo kornizë euroatlantike vjen që nga koha e pavarësimit dhe shtetndërtimit. Vizioni ynë është Kosova euroatlantike, prandaj angazhimi i ShBA-së dhe BE-së për ta ndihmuar arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i mirëpritur. Zgjidhja e këtij problemi duhet të çojë te njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa prekur kufijtë e dy shteteve. Nga ajo që kam informacione dhe po analizoj, proceset kanë ndryshuar në kuptimin e qëndrimeve në Bruksel dhe në Uashington. Pra, qëndrimet kanë ndryshuar për të mirë nga viti i kaluar, kur kancelarja Merkel në samitin e Berlinit ndërpreu rrugën e lojërave për ndryshim të kufijve. Tanimë ky qëndrim po forcohet në të gjithë BE-në. Gjithashtu kemi edhe qëndrimin zyrtar të përfaqësuesit special të ShBA-së për dialog, Richard Gerenell, i cili tha se administrata e Trumpit është kundër shkëmbimit të territoreve. Kjo tregon se procesi i dialogut mund të shkojë pikërisht në drejtim të krijimit të një paqe të qëndrueshme dhe të stabilitetit. Pra, tani mendoj se proceset po lëvizin në drejtimin e duhur.

 “Epoka e re”: Me këto takime të ndara në Uashington dhe Bruksel po fitohet përshtypja se ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë garë në këtë proces dhe po flasin për dy procese të ndara?
Tahiri: Në fakt, kjo përshtypje ishte krijuar më përpara. Mirëpo kur u bënë të njohura agjendat, sidomos nga Uashingtoni u pa se ka një komplementaritet në këto përpjekje. Uashingtoni po flet për një agjendë ekonomike dhe për një normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe u tha se çështjet politike ia lënë Evropës. Dialogu i Brukselit për atë kohë sa e kam udhëhequr unë është marrë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet të dy shteteve. Nga takimi që pata me z. Lajçak në Prishtinë, ai tha se vazhdimi i dialogut tash është përmbyllje e dialogut që ka filluar në vitin 2011. Ajo çka po shoh unë, është se BE-ja po provon të jetë e suksesshme për ndërmjetësimin dhe përfundimin e kësaj marrëveshje. Sa i përket bashkëpunimit të Francës dhe Gjermanisë, BE-së dhe ShBA-së si aktorët kryesorë për ne në këtë proces, z. Grenell tha se ka qenë në kontakt me këto shtete. Por, kryesorja është se në Kosovë jemi në këtë ekuacion. Dhe delegacioni i Kosovës duhet t’i mbrojë shtetin, pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës. Kosova duhet të bëjë dialog duke respektuar Kushtetutën e Republikës Kosovës. Pra, nuk mund të ketë ndikime ndërkombëtare që mund ta devijojnë pozicionin e delegacionit të Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vijë e kuqe në çdo proces negociator.

 “Epoka e re”: Kohët e fundit shumë liderë politikë në vend, duke përfshirë edhe presidentin, e shohin me skepticizëm rolin e BE-së në këtë proces. Sa është e  gatshme BE-ja ta përmbyllë këtë proces?
Tahiri: Z. Thaçi si president i Kosovës do të ishte më mirë që një herë të merret me veten, me gabimet që bëri duke hyrë në lojërat për kufij. Së dyti, as Thaçi dhe as Kosova nuk është në gjendje t’i vlerësojë kapacitetet që i ka BE-ja, që sot qartë po udhëhiqet nga Gjermania dhe Franca si dy shtete lidere që morën përsipër t’i korrigjojnë gabimet që bëri Mogherini si përfaqësuese e politikës së jashtme të BE-së. Derisa vetë Gjermania dhe Franca si udhëheqëse të BE-së u morën me korrigjimin e gabimeve, edhe Thaçit i takon të merret me korrigjimin e gabimeve të veta dhe t’i sigurojë qytetarët se ai ka hequr dorë nga lojërat e rrezikshme.
Në të arriturat historike për Kosovën si konferenca e Rambujesë, bisedimet e Vjenës dhe dialogu i Brukselit, ne i kemi parë bashkë ShBA-në dhe BE-në. Pra, ShBA-ja ka qenë udhëheqëse e ndërmjetësimit, kurse BE-ja ka qenë partnere. Ndërsa në dialogun e Brukselit BE-ja ka qenë udhëheqëse, ndërsa ShBA-ja ka qenë mbështetëse. Kjo praktika e re, e cila ka ndërmjetësim të veçantë nga BE-ja dhe ShBA-ja, nuk duhet të na shqetësojë neve si Kosovë. Ne si palë në këto bisedime e dimë se cilat janë objektivat tona dhe cili është vizioni ynë.

 “Epoka e re”: Kosova nuk është unike në këtë proces. Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të paraqiten sa më mirë në këtë proces?
Tahiri: Ne si problem kemi mungesën e unitetit. Kemi mungesë uniteti në kuptimin e një platforme të unifikuar dhe krijimin e një delegacioni me konsensus më të gjerë sesa një qeveri dhe një president. Pas takimeve në Bruksel dhe në Uashington, Kosova menjëherë duhet ta ketë fokusin në krijimin e delegacionit shtetëror, i cili do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Qeveria ka kompetencë që të jetë udhëheqëse e dialogut, pra kryeministri. Mirëpo kjo nuk mjafton, meqenëse po flasim për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. Meqenëse ky proces është historik, atëherë Kosova duhet ta ketë një delegacion me një bazë më të gjerë. Sepse, në fund, çfarëdo marrëveshje paqësore që do të arrihet, duhet të miratohet nga Kuvendi me dy të tretat e votave.

“Epoka e re”: Sa jeni optimiste se me këtë përfaqësim special të ShBA-së dhe BE-së do të mund të përmbyllet ky proces?Tahiri: Unë po shoh dy ndërmjetësues, me dy qasje që plotësojnë njëra-tjetrën. Uashingtoni shprehu angazhim për çështje ekonomike dhe BE-ja për çështje politike. Nëse e shikojmë për nga përmbajtja, mund të jetë një kombinim interesant për këtë proces dhe për një përfundim final të marrëveshjes. Në anën tjetër, dy ndërmjetësues, edhe pse mund të duket se nuk janë në koordinim, ata kanë një përvojë dhe një traditë të gjatë të koordinimit për çështje të Ballkanit. Pra, ekziston një traditë e bashkëpunimit që në këtë kohë mund të mos duket shumë intensive, në parime ka koherencë dhe dakordime.

 “Epoka e re”: Para takimeve për rifillimin e dialogut, presidenti serb do ta vizitojë Rusinë. Sa i rrezikshëm mund të jetë roli i Rusisë në këtë proces?
Tahiri: Siç po shihet, Vuçiqi nuk shkon as në Bruksel e as në Uashington pa shkuar në Moskë te Putini. Këtu përsëri vjen në shprehje lufta gjeopolitike që po zhvillohet për Ballkanin dhe tendenca e Rusisë që ta shtrijë ndikimin e saj në Ballkan. Pra, Rusia ende nuk ka hequr dorë nga ëndrrat që të ketë ndikim në Ballkan. Nëse Serbia bën këtë gabim, pra provon të luajë midis Rusisë dhe Perëndimit, humbëse do të jetë Serbia. Dhe në këtë mënyrë Serbia do të vazhdojë të luajë një rol destruktiv në Ballkan. Meqenëse çështja Kosovë – Serbi është çështja e fundit problematike në Ballkan, ky është një test për BE-në, se sa është e vendosur që ta marrë Ballkanin në Evropë. Sa po shoh, gjërat po shkojnë pozitivisht dhe më duket se BE-ja ka marrë një qëndrim më strategjik që Ballkanin mos ta lë me probleme. Procesi po zhvillohet në drejtim të duhur dhe distancimi i administratës së Trumpit nga koha e Boltonit, kur janë luajtur lojërat me kufij, është një ndryshim shumë pozitiv nga Uashingtoni.

 

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi së bashku…