Për hakmarrje, paraburgosën të gjithë ushtarët shqiptarë që shërbenin në Kazermën e Paraqinit (7)

22 janar 2021 | 12:17

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie 

Shkruan: Lulzim Sahiti

Fill pas rastit të Paraqinit kishte nisur transferimi për gjithë personelin e kazermës, me arsyetimin se ka pësuar trauma. Më 7 shtator 1987 ushtarët shqiptarë i marrin me një autobus nga Garnizoni “Branko Krsmanoviq” dhe i transferojnë në Kazermën Ushtarake “Stefan Singjeliq” në Nish, nga aty më pastaj i transferojnë në kazerma të tjera të Serbisë. Në shenjë hakmarrje nga data 13-23 shtator 1987, policia ushtarake pa asnjë faj kishte paraburgosur gjashtë ushtarë shqiptarë, një boshnjak-mysliman dhe një rom që shërbenin në Kazermën e Paraqinit:

  1. Rizah Xhakli (1967) nga Ferizaj, i paraburgosur më 19.9.1987
  2. Abdylxhemil Alimani (1968) nga Bogovina-Tetovë, i paraburgosur më 19.9.1987
  3. Afrim Mehmeti (1968) nga Firaja (Shtërpcë), i paraburgosur më 14.9.1987
  4. Pajazit Aliu (1966) nga Pakashtica e Epërme (Podujevë), i paraburgosur më 13.9.1987
  5. Shefqet Paçarizi (1965) nga Dragobili (Malishevë), i paraburgosur më 14.9.1987
  6. Enver Behluli (1967) nga Dobri Do (Gostivar)i paraburgosur më 19.9.1987
  7. Rizo Alibashiq (1967) nga Babiqi i Graçanicës (BiH) i paraburgosur më 23. 9. 1987
  8. Islam Mahmuti (1967) nga Gjakova (rom), i paraburgosur më 19.9.1987

Në stilin o tash o kurrë, inteligjenca e KOS-it kishte nisur një dramë të jashtëzakonshme duke përdorur ushtarët shqiptarë si kurban për ta kurdisur Procesin e Paraqinit. Për këtë duhej të bëhej arrestimi i të gjithë ushtarëve shqiptarë të Kazermës së Paraqinit, përpos atyre që fatbardhësisht nuk ishin atë natë brenda kazermës. Disa prej tyre arrestohen mu në ditën kur duhej ta përfundonin shërbimin ushtarak njëvjeçar. Brenda dhjetë dite dikush më herët e dikush më vonë u burgosën tetë ushtarë të rinj, të cilët as vetë nuk e dinin pse po arrestoheshin. Të gjithë i dërguan nëpër qelitë skëterrë të Burgut Ushtarak të Nishit, ku vinte vetëm erë vdekje. Faji i vetëm i tyre ishte vetëm pse ata janë shqiptarë. Burgosja e tyre do të mbetet fund e krye një turp i madh i krerëve të KOS-it jugosllavë, të cilët gjatë hetimeve me muaj të tërë duke përdorur dajakun bën sajimin e akuzave me metoda të tmerrshme të dhunës të ushtruar ndaj rekrutëve të rinj shqiptarë. Në burgun hetues të Nishit, gardianët me sy gjarpërinjsh dhe drejtori i tyre, Stanko me shpirt krimineli, ushtronin dhunë e terror si xhelat ndaj shqiptarëve të përvuajtur saqë është e pakapshme për trurin dhe mendjen e shëndoshë të njeriut se si ka mundësi që njeriu-njeriut t’i shkaktojë kaq shumë dhimbje e vuajtje shpirtërore. Gjatë netëve të gjata pa gjumë dhe ditëve skëterrë me muaj të tërë, të akuzuarit e pafajshëm shqiptarë nuk kanë ditur se çka të deklaronin për diçka që nuk ishte bërë nga ta, por për të mbetur gjallë ata është dashur të sajonin e trillonin duke dhënë deklarata të rrejshme ashtu siç kërkonin inspektorët e sigurimit ushtarak. Vërtet për këta tetë ushtarë të mbyllur nëpër qelitë e burgut pa ajër dhe dritë të mjaftueshëm ishte bërë tmerr e hata duke ju fyer atyre përditë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat më elementare njerëzore. Çdo ditë janë rrahur me shkopinj gome, grushte, shqelma… me të vetmin qëllim që t’i thyenin shpirtërisht dhe të pranonin akuza të rreme dhe të akuzonin vetveten dhe të tjerët me të pavërteta.

No description available.

Rrëfimi i dëshmitarëve për ngjarjen e Paraqinit

Si ndodhi ngjarja e papritur në natën e 3 shtatorit 1987, tregon dëshmitari i rastit në fjalë, ish-rekruti Rizah Xhaklinga Ferizaj: Kam dëgjuar të shtëna të ndërprera të automatikut por më është dukur që jam në ëndërr dhe pas pak është hapur dera e dhomës tonë ku flinim. Është ndezur drita dhe një nga ushtarët e dhomës ka bërtitur “Uzbuna” (Alarm)! U zgjova dhe filloi rafali edhe te ne. Unë fytyrën e personit që ka shtënë nuk e kam parë sepse kam qenë duke fjetur në skaj të dhomës. Dera ka qenë në mes, kurse shtretërit ishin dykatësh. Unë kam fjetur, në katin e dytë të shtratit, kurse nën shtratin tim ka fjetur Islam Mahmuti. Gjatë të shtënave, unë dhe Islami jemi futur nën shtratin tonë, kur pas një intervali shumë të shkurtër kohor, nën shtratin tonë ka ardhur rrëshqitazi ushtari Nikola Vidoviq, që ka qenë prej rrethit të Novi Sadit. Ndodhën krismat, britmat, qarjet… Nuk e dija njëherë çka u bë? Mendova se po japin alarm me të shtëna, i pashë gëzhojat që nuk ishin të municionit shkollor. Gjithashtu të shtrirë e pashë ushtarin Hasim Gjananoviq, i cili vdiq pas pak kohe. I plagosur në këmbë kishte mbetur, Huso Kovaçeviq, të cilin e pyeta: “Çka u bë?”. “Ai vendasi yt shtiu”, përgjigjet Kovaçeviq. E pyes tjetrin, të njëjtën përgjigja mora: “Ai vendasi yt”. Në dhomën time të plagosur ishin edhe rekrutët: Andrej Presheren dhe Petar Gjekiq. Në rrethanat e krijuara prej frike nga dritarja ka kërcyer ushtari Nazif Axhoviq, shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, i cili asnjëherë nuk fliste në gjuhën amtare dhe prezantohej si mysliman. Në momentin e parë kam dalë në korridor. Aty kishin dalë edhe ushtarët tjerë, të cilët qanin e britnin. Ishte diçka e papritur! Ushtarët shqiptarë ishin të shqetësuar por asnjë nuk qante. Në dukje ndjeheshin të frikësuar kur morën vesh se çka u bë dhe kush e bëri? Tash mendonin çka do të bëhet me ne sepse kishin parandjenjë të keqe. Kam shkuar në dhomën tjetër ku flinin Shefqet Paçarizi dhe Pajazit Aliu. Aty pashë tre ushtarë të vdekur. Në anën e djathtë të dhomës ka qenë Safet Dudakoviq nga Bosnjë-Hercegovina, përballë derës Srgjan Simiq nga Serbia dhe në anën e majtë Goran Begiq nga Kroacia. Në këtë dhomë kishin mbetur të plagosur Ante Jazhiq dhe Nexhid Mehmedoviq. Ndërkohë në pavijon ka ardhur Alibashiqi i frikësuar dhe ka shpjeguar duke quajtur se si kishte shkuar Azizi te tenda e tij duke ju kërcënuar me armë dhe ia kishte marrë municionin.

No description available.

Dikur filloi veç të zdritet dhe nisën të vijnë eprorë e policë ushtarakë nga anë të ndryshme. Neve na dërguan në dhoma të mësimit, ku në mbrëmje zakonisht shkonim ndonjëherë për të këqyrë televizorin. Kah ora 8:00 një ushtar po thotë se po të thërret oficeri. “Hajde me shkuar me marrë ushqimin” më thotë oficeri në fjalë. Unë, oficeri dhe një ushtar i kuzhinës u nisëm për në Çupri. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë ka pasur kontrollime të hatashme nga policia ushtarake dhe civile. Ishte hera e parë dhe e fundit që unë dola nga Kazerma sepse me atë ditë që unë e mora mëngjesin kur u ktheva mi morën çelësat. Madje kur kemi hyrë në kazermë, na kanë bastisur edhe pse kamioni ishte me tabela ushtarake. E morëm ushqimin bashkë me oficerin, i cili rrallë herë vinte me mua, kurse për ta shpërndarë atë në dy vendet e rojës nuk vinte asnjëherë. Mirëpo, atë ditë erdh së bashku me mua. Ndërkaq, kur erdh koha e drekës për të shkuar me marrë sërish ushqimin, po më thërret oficeri dhe më thotë: “Mi jep çelësat. Ia dhashë dhe kurrë më nuk më dhanë kamionin për të vozitur.

Dikund pas dreke, kufomat e ushtarëve të vrarë i futnin në një kamion ushtarak “Dajc” për t’i dërguar në Spitalin Ushtarak të Nishit për obduksion. Po e shoh një kufomë, të cilën refuzonin ta bartin ushtarët serbë dhe të nacionaliteteve tjera. Unë nuk e dija njëherë se ishte trupi i pajetë i të ndjerit, Aziz. Me këtë rast, e kuptova se për kënd bëhet fjalë. Jam afruar dhe e kam kap lesën te koka duke e ngritur për ta ngarkuar në kamion. Trupi i të ndjerit ishte i mbuluar me çarçaf të bardhë dhe e pashë një pjesë të trurit të kacavjerrtë mbi çarçaf.

No description available.

Atë ditë ka nisur marrja në pyetje për të gjithë ushtarët e kazermës tonë. Realisht pyetjet ishin të rëndomta: “Ku keni qenë, çka ka ndodhë, çka keni parë…?” Pra, gjithçka bëhej në mënyrë të mirë e të çetë. Gjatë kësaj dite, erdhi një kapiten shqiptar që quhej Xhavit Teneqja nga ana e Kaçanikut. Edhe ky nisi të më merr në pyetje! Filloi të më provokoj, maltretoi por jo fizikisht. Më bënte fyerje të ndryshme, unë rrija gatitu, ai qëndronte ulur dhe më thoshte: “Mos e shiqo Titon se me pas dashur ju Titon nuk e kishi bërë këtë. Pse e keni bërë këtë, s’keni lexuar historinë jugosllave por keni mësuar për Naim Frashërin – “Bagëti e Bujqësinë”! Çka ju kanë nevojitur ato gjëra?”. Kështu na bënin maltretime të tilla që nuk ka pasur nevojë të bëhen fare por ky i bënte, bashkë me oficerët e tjerë jugosllavë, tregon ndër të tjera Rizah Xhakli.

No description available.

Abdylxhemil Alimani nga fshati Bogovinë i Tetovës tregon se natën kritike, më 3 shtator të vitit 1987, kam qenë në vend rojën numër 1 prej orës 2:00 – 4:00 të mëngjesit, ndërkaq në vend rojën numër 2 ishte Shemsudin Selimoviq. Dikund pas orës 2:00 të natës, Aziz Kelmendi kishte ardhur i paarmatosur te mësonjëtorja dhe kishte hyrë nga dera brenda. Kur më pa se jam në rojë, doli nga dritarja. Po e pyes: “Çka po lypë në dhomën e mësimit? Azizi u përgjigj: “Jam sonte kujdestar dhe dola me marrë diçka për të lexuar por nuk gjeta asgjë”. Ai u kthye në kazermë pa e zgjatur më shumë. Ndërkohë, të shtënat ndodhën në ora 3 e 5 minuta, kështu rastisi që në atë kohë unë të gjendem në rojën e kazermës. Unë e kam pas vështirë t’i vërej lëvizjet te kazerma gjatë natës, pasi kam qenë në rojë dhe kam qenë i kufizuar në lëvizje. Vendi i ngjarjes ka qenë larg rreth 200 metra nga vendi im i rojës, ku kam mundur të dëgjoj vetëm krismat. Kur dëgjova rafalët, kam tentuar që përmes telefonave ushtarakë të vë lidhje me komandantin e rojës, dhjetarin Rizo Alibashiq, por pa sukses. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i njohur në futbollin e Kosovës, Përparim Islami, është…