Për herë të parë në histori, OKB-ja mund të mbetet pa udhëheqës
Për herë të parë në historinë e saj 81-vjeçare, Kombet e Bashkuara mund të gjenden pa një Sekretar të Përgjithshëm. Për shkak të përçarjeve të thella midis fuqive botërore, ekziston mundësia që mandati i drejtuesit aktual, António Guterres, të përfundojë në fund të vitit pa u emëruar një pasardhës.
“Është një mundësi reale – ndonëse një marrëveshje në momentin e fundit mbetet ende e mundshme – dhe zyrtarët e OKB-së tashmë po hartojnë plane emergjence për një skenar të tillë,” u shpreh Thibault Camelli, ish-diplomat pranë OKB-së dhe studiues në Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Universitetit të Nju Jorkut.
Që nga korriku, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka zhvilluar nëntë raunde votimi joformale për të zgjedhur një Sekretar të Përgjithshëm të ri. Rebeca Grynspan, ish-nënkryetare e Kosta Rikës dhe ish-kreu i UNCTAD-së, ka marrë më shumë vota në tetë prej këtyre raundeve.
Megjithatë, zgjedhja e saj nuk është e garantuar. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit mund ta bllokojnë emërimin e një kandidati përmes vetos, dhe Grynspan – ashtu si kandidatët e tjerë – ka marrë sinjale negative nga këto shtete.
“Për shkak të përçarjeve midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – veçanërisht midis Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – zgjedhja e një Sekretari të Përgjithshëm të ri mbetet e pasigurt,” tha Daniel Forti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (International Crisis Group).
Mosmarrëveshjet midis fuqive të mëdha lidhur me konfliktet në Sudan, Gaza dhe Ukrainë po e ndërlikojnë më tej rrugën drejt një marrëveshjeje. Ndërkohë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndjekur një politikë “Amerika e Para”, duke vënë në dyshim vetë parimet e bashkëpunimit ndërkombëtar mbi të cilat është themeluar OKB-ja. Mike Waltz, ambasadori i SHBA-së në OKB, ka deklaruar më parë se organizata ka nevojë për reforma që të funksionojë në mënyrë më efektive.
Disa anëtarë të stafit dhe diplomatë besojnë se Grynspan është tepër e lidhur me sistemin ekzistues për të zbatuar ndryshimet e nevojshme. Një kandidate tjetër është Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe; ndonëse përflitet se ajo mund të ketë mbështetjen e Uashingtonit, ajo ende nuk ka siguruar një mbështetje më të gjerë.
Ekziston gjithashtu mundësia e hyrjes në garë të kandidatëve të tjerë. Forti paralajmëron se mungesa e konsensusit, e shoqëruar nga presione politike dhe financiare, e bën këtë post më pak tërheqës sesa ka qenë dikur. OKB-ja po përballet me shkurtime buxhetore, ndërsa SHBA-ja po e shtyn gjithnjë e më shumë drejt periferisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas një zyrtari të një agjencie të OKB-së, morali i stafit ka qenë i ulët prej kohësh dhe shumëkush shpreson se një Sekretar i Përgjithshëm i ri do të sjellë një fillim të ri dhe një qasje ndryshe, pas mandatit dhjetëvjeçar të Guterresit.
Megjithatë, ekziston një konsensus midis shumë kombeve për një pikë: ato besojnë se, për herë të parë në historinë e saj, OKB-ja duhet të drejtohet nga një grua.



