Për librin “Trajtat e shkurtra” të Qëndrim Morinës

21 dhjetor 2020 | 16:44

Dorëshkrimin e studiuesit të ri Qëndrim Morina, Trajtat e shkurtra (vështrim drejtshkrimor dhe morfologjik në domenin publik), kam filluar ta lexoj me një ndjenjë të trefishtë. E para, ndjenja e albanologut, pra e histo­rianit të gjuhës që edhe tekstet më të shkurtra në fushë të gjuhësisë më bën t’i lexoj mbi rrafshin e trashëgimisë së kësaj dijeje; e dyta, pozita e ligjëruesit të gjuhës dhe shqetësimet për arritjet e studentëve në zotërimin e saj; dhe e treta, nisur nga shqetësimet e përditshme për nivelin e zbatimit të shqipes standarde në jetën tonë kulturore, arsimore dhe të komunikimit publik.

Ndjenja e parë e këtij leximi më ka kthyer parafy­tyrimin në tri rrafshe të studimit të gjuhësisë shqip­tare në Prishtinë. E para, studimi i gjuhësisë shqiptare si përpjekje për ta realizuar atë në shkallë të një standardi, deri në vitin 1968; e dyta, studimi i saj mbështetur në arritjet e shkollës europiane (vitet ’70-’80); dhe e treta, studimi i saj mbështetur në shkallën e zbatueshmërisë (pas viteve ’90).

Më gëzon fakti se dekadën e fundit një brez i ri i studiuesve të gjuhësisë po merren me përkushtim me fazën e tretë të gjuhësisë shqiptare, brenda së cilës hyjnë jo vetëm përpjekjet për pushtimin e dijeve të reja dhe reflektimin e tyre në arritjet e saj, po edhe me përmasën e zbatimit të standardit në jetën publike. Kërkime të kësaj natyre tash e disa vjet po bëjnë stu­dentët e Fakultetit të Filologjisë, sidomos studentët e Fakultetit të Edukimit. Këto hulumtime po bëhen në kontekst të ligjërimit të gjuhës në shkollë dhe në kontekst të botimeve shkollore të teksteve të gjuhës dhe letërsisë, të leksikut të teksteve të tjera shkollore: historisë, gjeografisë, edukatës qytetare dhe biologjisë, brenda të cilave po diskutohen përpjekjet për ngritjen e përkatësisë kuptimore dhe didaktike të nocioneve, termave shkencore dhe strukturës morfologjike, sintaksore dhe stilistike.

Hulumtimi i studiuesit të ri Qëndrim Morina, me titull Trajtat e shkurtra (vështrim drejtshkrimor dhe morfologjik në domenin publik), është një përpjekje për të realizuar kërkime të kësaj natyre, mbi rrafshin historiko-gjuhësor dhe teorik, në rrafshin e zbatimit të tyre në domenin publik, si dhe praninë e tyre në tekstet letrare.

Në kapitullin e parë, brenda të cilit është trajtuar evolucioni historik i trajtave të shkurtra të përemrave, autori u është referuar studiuesve dhe literaturës më të arrirë në këtë fushë, duke marrë me vete mendimet e studiuesve, si Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti etj., por duke i kurorëzuar mendimet e tij me ato rezultate që i ka shënuar së fundmi profesor Besim Bokshi.

Në këtë rrjedhë autori propozon që në gramatikat e gjuhës shqipe dhe në studimet e reja të përdoret termi trajtë e shkurtër e thjeshtë në vend të trajtë e shkurtër, kur ajo është e vetme dhe jo e bashkuar.

Në këtë studim të karakterit monografik objekt hulumtimi janë bërë veprat letrare, emisionet televizive, gazetat, portalet, faqet zyrtare të Republikës së Kosovës etj., dhe janë sjellë tri konstatime përmbajtjesore: 1. Trajtat e shkurtra përdoren gabimisht në domenin publik; 2. Trajta e shkurtër ju ngatërrohet me përemrin vetor ju; 3. Trajtat e shkurtra në domenin publik në Kosovë kanë ndërtuar gramatikën e tyre.

Duke e hapur shtegun e parë të zhvillimit historik të trajtave të shkurtra të përemrave vetorë dhe duke shquar rëndësinë e tyre, studiuesi ynë ka trajtuar çështjet: 1. A janë përemra trajtat e shkurtra?; 2. Varianti (i) i dhanores dhe (e) i kallëzores; 3. Varianti (u) i dhanores së vetës së tretë shumës; 4. Varianti (i) i kallëzores së vetës së tretë shumës; 5. Trajtat e shkurtra të përemrave vetorë; 6. Vendi i trajtave të shkurtra; si dhe 7. Pasqyra e trajtave të shkurtra të bashkuara.

Në kapitullin e dytë, gjithnjë duke u mbështetur në përvojën teorike-gjuhësore dhe gramatikore të tyre, autori konstaton dy aspekte të përdorimit të gabuar të trajtave të shkurtra: gabimet në numër dhe gabimet në vetë.

Është mjaft me interes ideja e autorit që në këtë studim të sjellë një hulumtim kureshtar në letërsinë shqipe, përkatësisht në tri vepra të zgjedhura e me ndikim te lexuesit: novelën Tregtar flamujsh (1935) të Ernest Koliqit, romanin e Foqion Postolit, Lulja e kujtimit, si dhe romanin e Ernesto Sabatos Tuneli, një kërkim ky mjaft i qëlluar pavarësisht se duket përzgje­dhje ad hoc. Në këtë mënyrë autori ka hulumtuar në dy vepra të shkruara në të dy dialektet e shqipes, që në një studim më të hapur mund t’i përfshinte edhe tregimet e Sterio Spasses, të shkruara në vitet ’30, në toskërisht dhe romanin e Adem Demaçit në gegërisht, në vitet ’50, po edhe përzgjedhje veprash me ndikim të shkruara brenda standardit të shqipes, sikur janë ato të Dritëro Agollit, të Rexhep Qosjes e të Ismail Kadaresë.

Nëse tre kapitujt e parë kanë më shumë karakter dhe orientim akademik, kapitujt e tjerë kanë karakter praktik dhe zbatues dhe janë mbështetur kryesisht në hulumtimin e kësaj strukture gramatikore në institu­cionet publike. Në këtë rrjedhë, brenda kapitujve të veçantë autori ka identifikuar përdorimin e trajtave të shkurtra në shtypin e përditshëm, duke u mbështetur te të përditshmet Koha ditore, Zëri, Kosova sot etj.; përdorimin e trajtave të shkurtra në emisione televizive, mbështetur në disa emisione ditore të televizioneve tona: Opinion, Përrallë me tupan, Rubikon etj.; si dhe në portalet tashmë të njohura të hapësirës sonë Insajder, Koha.net, Malishevapress etj. Një pamje të pasur ka edhe kërkimi i trajtave të shkurtra në faqet zyrtare të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, faqen zyrtare të Komunës së Malishevës, faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës etj.

Libri përmbyllet me literaturën dhe përfundimet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, ndërsa porosi e tij thelbësore mbeten jo vetëm shpjegimet orientuese, kryesisht me karakter akademik dhe zbatues, po edhe me karakter iniciues.

Në këtë rast do të theksonim se kërkimi i tij nuk mbahet i hapur vetëm për faktin premtues të autorit se me këtë temë do të merret edhe në të ardhmen, po për arsye se tema të kësaj natyre kërkojnë hulumtim, vlerësim dhe rivlerësim duke filluar nga fusha e fonetikës e deri tek ajo e sintaksës dhe semantikës. Një detyrë e ngutshme mbetet kërkimi dhe hulumtimi në shkollat tona, në mjetet e informimit dhe në insti­tucionet shtetërore, për ta parë zbatimin e shqipes standarde dhe mundësitë e diskutimit të saj, si vëllim dhe si strukturë. Studiuesit e ri dhe të përkushtuar si Qëndrim Morina e kanë moshën, rastin dhe hapësirën t’i japin përgjigje një sfide të tillë.

 

Prof. dr. Begzad Baliu

Prishtinë, më 20 qershor 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBZhR) në Komunën e…