“Për Mëmëdhenë” përballë “Kallashnikov” dhe “nacionalistët” përballë kozmopolitanëve!

11 gusht 2021 | 14:44

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dy skaje të papërputhshme: “Për Mëmëdhenë”, këngë e shkruar nga shqiptari i vërtetë, patrioti, trimi dhe korçari Mihal Grameno, ishte dhe mbeti frymëzim i shumë gjeneratave që luftuan dhe u shkrinë për liri dhe bashkim kombëtar. Nuk ka këngë më motivuese dhe frymëzuese e që është bashkëdyzim dhe mishërim i ndjenjave më fisnike kombëtare. E kënduan edhe luftëtarët e Shaban Polluzhës në luftë kundër baballarëve politikë të Aleksandër Vuçiqit, Edi Ramës dhe Mustafa Nanos dhe ca horrave të tjerë që po identifikohen si kozmopolitanë, kurse ne që këngën “Për Mëmëdhenë” e kemi himn shpirtëror, jetësor dhe ekzistencial, na quajnë “patriotë” primitivë. Më herët lloji i kryebashkiakut të Korçës së sotme e që kanë jetuar në kohë të tjera skajshmërisht e kanë injoruar Mihal Gramenon, ndërsa sot me kozmopolitizmin e njësuar me Aleksandër Vuçiqin dhe Goran Bregoviqin, po e vrasin për së dyti, patriotin e madh shqiptar Mihal Grameno, duke e çiftëzuar promovimin e një shovinizmi serbomadh me një aktivitet artistik siç është Mbrëmja e Birra Korçës.

Goran Bregoviq ishte alfa dhe omega e rok grupit “Bijello Dugme” në ish-Jugosllavi. Pas shpërndarjes së këtij grupi e filloi një solo karrierë, por tani me një theks të veçantë duke promovuar kulturën rome përmes interpretimit orkestral. Kur nisi shkapërderdhja e ish-Jugosllavisë, jetën e kaloi në Paris dhe në Beograd. Parisi, si vend dhe qytet i modës dhe kulturës botërore, Beogradi si vend dhe qytet ku u planifikua, u orkestrua dhe u zbatua gjenocidi i Serbisë kundër kroatëve, kundër myslimanëve të Bosnjës dhe kundër shqiptarëve në Kosovë. Ishte mik i ngushtë i çetnikut Emir Kusturica dhe i Radovan Karaxhiqit. Edhe Karaxhiqi ishte roker dhe shkruante poezi për t’u transformuar në një kriminel lufte. Goran Bregovoqi thoshte se Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereza ishte rome dhe jo shqiptare. Një kohë kam jetuar në Sarajevë, si student dhe kam takuar edhe Bregoviqin, kurse Karaxhiqi ka qenë asistent në Fakultetin e Mjekësisë, në Kliniken e Psikiatrisë.  Ishte koha kur në horizont shihej shkatërrimi i federatës jugosllave dhe indikatorët më të mirë për këtë ishin ndeshjet e futbollit si dhe koncertet muzikore ku shfaqej edhe urrejtja e shtypësit (serbëve), por edhe urrejtja e të shtypurve kroatë, boshnjakë, shqiptarë dhe malazezë. Dëgjoheshin brohoritjet si çetnici,  ballije, shiptari dhe ustashe. Atëherë luanim futboll të vogël në sallën e Fakultetit të Kulturës Fizike, ku ishte edhe një pishinë ku studentët e Fakultetit të Mjekësisë, sipas zgjedhjes, kishin tri orë në javë not. Kur ishte koha e mirë luanim futboll në fushat ndihmëse të stadiumit “Koshevo”, që gjatë luftës së Bosnjës u shndërruan në varreza. Davorin Popoviq – Pimpek ishte frontman i rok grupit “Indeksi”, kroat dhe nuk i fshihte, sidomos para se të vdiste, ndjenjat kombëtare. Vëllezërit Musemiq, futbollistë të njohur, ishin myslimanë dhe identifikoheshin me organizatën “Mllada Bosna” që përfaqësonte ndjenjat nacionaliste të myslimanëve të Bosnjës. Neda Ukraden, ndonëse e familjes së përzier, ishte serbomadhe tipike dhe krenohej me këtë. Zdravko Çolliqi dhe Goran Bregoviqi ishin hermafroditë në aspektin kombëtar dhe oportunistë, deklaroheshin  sipas interesit momental dhe material. Pikërisht gjatë këtyre aktiviteteve sportive dhe ndejave në kafeterinë “Pimpek” të Davorin Popoviqit që ishte në Marijin Dvor, duke përfaqësuar dhe mbrojtur interesin  kombëtar, i “fitova” tri vjet burg, i dënuar për propagandë armiqësore e që i mbajta në burgun e Sarajevës, të Foçës dhe të Mostarit, bashkë me Rexhep Malën, Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin, kryesisht në vetmi dhe izolim. Në një ndejë ishin edhe Vojisllav Shesheli, atëherë marksist i përbetuar dhe Rajko Petrov Nogo, serbomadh i tërbuar dhe i përbetuar. Kur më arrestuan, gjatë marrjes në pyetje kuptova se disa prej të përmendurve më lart, para hetuesve të UDB-së më kishin cituar dhe në këtë mënyrë kishin kontribuar për dënimin tim. Unë flisja hapur dhe e mbroja atë që e thosha. Është interesant  që disa prej tyre apo shokë të tyre i pata takuar në burgun e Mostarit (Jadranko Topiq, kroat,  futbollist i Velezhit dhe kombëtares jugosllave sepse kishte kënduar këngë ustashe), Ipe Ivandiq, daullist i rok grupit “Bijello Dugme” ishte në Burgun e Foçës dhe gjithashtu në burgun e Foçës e pata takuar boshnjakun (më ka ikur emri i tij), që e vrau në Pale të Jahorinës krushkun serb e që serbët e shfrytëzuan si pretekst për ta filluar luftën në Bosnjë.

“Kallashnikov” është këngë identifikuese e përcaktimit  njerëzor, politik, kombëtar dhe kulturor i Goran Bregoviqit. Krejtësisht e kundërta me këngën e Mihal Gramenos. Kallashnikov është armë automatike e projektuar me urdhër të Stalinit nga Mihal Kallashnikovi, inxhinier rus e që arriti sukses të madh gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kjo armë është përdorur dhe keqpërdorur thuaja nga të gjitha regjimet shtypëse në Afrikë, Amerikën e Jugut, nga organizatat terroriste dhe ato mafioze. Nga kjo armë janë vrarë me dhjetëra dhe qindra milionë njerëz.

Kush e ka dëgjuar këngën “Kallashnikov”, lehtësisht e ka të qartë se teksti nuk ka të bëjë asgjë me kulturën, humanizmin apo tolerancën. Është pikërisht e kundërta, aty ka urdhra ushtarake dhe policore që për qëllim kanë vrasjen e atyre që i konsiderojnë armiq. Shqiptarët e Kosovës më parë, por edhe tani konsiderohen si armiq të Serbisë, prandaj gjatë historisë 150-vjeçare të gjitha përpjekjet e Serbisë dhe të serbëve ishin shfarosja e shqiptarëve. Është interesante se që nga koha e mbretit Ahmet Zogu, shqiptarët e Shqipërisë konsideroheshin dhe trajtoheshin si miq nga Nikolla Pashiqi dhe Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene, më vonë sidomos para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pra në kohën e Enver Hoxhës, shqiptarët nga Shqipëria trajtoheshin si rrogëtarë të Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshes, Tempos dhe Josip Broz Titos. Edhe tash, në kohën e absolutizmit të Edi Ramës në Shqipëri, shqiptarët konsiderohen miq nga Aleksandër Vuçiqi, Vulini dhe Ivica Daçiqi. Këtë trajtim e pranojnë me pasion të sëmurë Edi Rama dhe minjtë e tij përcjellës, Muç Nano Daija, Kulla e argjilës sikur edhe të tjerë që përjetojnë orgazëm vetëm kur të përmendet emri i Goran Bregoviqit dhe Aleksandër Vuçiq. Këta të pafytyrë nuk e kanë as ndjenjën më të vogël të solidaritetit me familjet e mbi 12 000 shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbi 1 400 varre të hapura ku pritet të vendosen shqiptarët e marrë pengë nga krimineli Vuçiq e që janë vrarë me “Kallashnikov” të Goran Bregoviqit sikur që as që iu bënë përshtypje dhunimi i dhjetëra mijërave grave shqiptare në Kosovë. Këta të pafytyrë  i dhanë kopjen e “Çelësit të Tiranës” pikërisht Goran Bregoviqit sikur që duan të organizojnë koncert të këtij krimineli artistik, Goran Bregoviq, mbi varrin e të pavdekshmit dhe të amshueshmit, korçarit dhe shqiptarit patriot dhe nacionalist, Mihal Grameno. Kur ne nuk pajtohemi me këtë, çifti i të pafytyrit, të mbuluar me mjekër na quan “nacionalistë”, nga pozita e kozmopolitit  ndërkaq, dylberi me të linjta të kuqe e shpërfaq mungesën elementare të karakterit njerëzor duke deklaruar haptas se: “Është më i afërt me Goran Bregoviqin se me nacionalistët primitivë apo policë të mendimit të cilët i identifikon shqiptarët e Kosovës, kundërshtarë të koncertit mbi varre të patriotëve korçarë e që mbahen nën përkujdesjen vëllazërore të Edi Ramës dhe kryeinjorantit të Bashkisë së Korçës, kondom politik i Edi Ramës. Merreni me mend deri ku shkon magjepsja e këtyre kozmopolitanëve me Bregoviqin dhe bregoviqët kur deklaron se: “nuk e di kush është Bregoviqi, por se do të shkojë në koncert…” të organizuar nga Edi Rama dhe kryedashi i Bashkisë së Korçës mbi varret e patriotëve shqiptarë, Themistokli Gërmenji dhe Mihal Grameno. Këta horra po e bëjnë përpjekje ta vrasin serenatën e mahnitshme korçare me pordhën artistike të quajtur “Kallashnikov” të Goran Bregoviqit.

Racizmi njerëzor, kombëtar, politik dhe kulturor ndaj shqiptarëve të Kosovës: Që nga koha e Ahmet Zogut e deri më tani shqiptarët e Kosovës janë trajtuar nga pozita e një racizmi. Ata që janë larguar nga Kosova për të vazhduar luftën kundër Serbisë, nga mbreti Zog janë trajtuar keq dhe më keq duke u dërguar në mjedise moçalike apo, nëse e kanë kundërshtuar zogun, janë vrarë për llogari dhe sipas kërkesës së Nikolla Pashiqit, sidomos patriotët e shkolluar. Kujtojeni Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerët. Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës shqiptarët e ikur nga Jugosllavia janë arrestuar dhe dënuar me burgje të rënda, si të dërguar të UDB-së, pa pasur asnjë provë apo duke nxjerrë prova me dhunë brutale.

Shqiptarët e Kosovës e kanë dashur dhe e duan Shqipërinë e cila është e përjetshme në ndërkohë që këta “Kalorësit e Apokalipsit”, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edi Rama, janë të përkohshëm. Të vdekur edhe për së gjalli. Enver Hoxha, në emër të një internacionalizmi proletar, zhveshi shqiptarët nga të gjitha vlerat që e karakterizojnë njeriun jo vetëm në planin anatomik nga vlerat njerëzore, kombëtare dhe morale dhe pikërisht Shqipëria e sotshme po korrë atë që e ka mbjellë Enver Hoxha. Edi Rama, nën maskën e një kozmopolitizmi, Aleksandër Vuçiqin, Damir Fazlliqin, Ivica Daçiqin i konsideron miq dhe vëllezër të përcaktimit, kurse Albin Kurtin dhe ata që nuk pajtohen me të i konsideron “nacionalistë primitivë”. Më të afërt e ka Vuçiqin se Albin Kurtin dhe Adem Demaçin. Vuçiqin e ka takuar shumë herë, Bacën Adem Demaçin asnjëherë! As në kohën kur ishte i sëmurë rëndë. Ramush Haradinaj e quajti gënjeshtar sikur që nuk mbeti kush nga Kosova, gazetarë, politikanë, artistë, këngëtarë pa u përqeshur dhe injoruar nga Goliati i Vuçiqit, Edi Rama. Edhe ata që e kanë përkrahur në fillim dhe unë kam qenë një nga ata, tash kanë ndërruar mendim sepse mendonim se Edi Rama është Piemont i bashkimit të shqiptarëve e po del të jetë anëtar i klubit kozmopolitan, që e shkel çdo vlerë kombëtare dhe njerëzore për ta shtyrë kozmopolitizmin përpara, si përcjellës i çetnikut Aleksandër Vuçiq. Realisht, kastat sunduese në Shqipëri, politikanët, akademikët, njerëzit e kulturës, shkrimtarët, gazetarët në të shumtën e rasteve i kanë konsideruar dhe trajtuar shqiptarët e Kosovës nga pozita raciste, ndërsa po kjo “elitë” është treguar inferiore ndaj Serbisë. Ekzemplari i fundit i këtij mendimi dhe qëndrimi racist është Edi Rama, para shqiptarëve të Kosovës dhe politikanëve të Kosovës, në tavolinë i nxjerrë koçet e elefantit, kurse para Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë këto koçe zvogëlohen me një progresion algjebrik duke u shndërruar në koçe të gjelit të tredhur. Merreni me mend, sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku shteti ka legalizuar trafikimin e qenieve njerëzore përmes agjencive të regjistruara që i shesin femrat e veriut të Shqipërisë dhe Shqipërisë së mesme, në Serbi dhe Maqedoni të Veriut. Shitja e femrave shqiptare bëhet në sy dhe prani të shtetit që udhëhiqet nga Edi Rama e që e kanë çmimin nga 3 000 deri në 5 000 euro. Dhe kujt ia shesin?! Ua shesin serbëve në Serbi që mund të kenë kryer krime ndaj shqiptarëve! Ka të tilla shitje të femrave shqiptare me qindra  dhe kozmopolitanët nuk e çajnë lulin për këtë!

Kryekozmopolitani i Shqipërisë, së bashku me spermatozoidet kozmopolitanë në Shqipëri dhe mbetjet e Millosheviqit dhe të Vuçiqit në Kosovë, aspak nuk e kanë problem Kosovën dhe çështjen kombëtare e aq më pak Vuçiqin dhe Daçiqin, por luftën po e bëjnë kundër Albin Kurtit dhe nacionalistëve primitivë. Ndërkaq që nacionalistët primitivë e bën Shqipërinë, e bën Kosovën dhe pashmangshëm do ta bëjnë bashkimin kombëtar. Pa nacionalistë primitivë nuk do të ekzistojnë as trojet shqiptare, kurse mungesën e kozmopolitanëve të çiftit të Edi Ramës, Mustafa Nanos dhe adashëve të tyre në Kosovë do ta ndiejnë vetëm ata që paturpësinë e tyre përpiqen ta mbulojnë me një gjethe fiku!

Albin Kurti, i Huaji për Ramën e jo për Albert Kamynë: Duhesh të jesh së paku i marrë e të besosh se Albin Kurti është kundër interesave kombëtare dhe se do të marrë vendime kundër interesave kombëtare dhe shtetit. Dikush po përpiqet ta portretizojë sipërfaqësisht intelektualizmin e Albin Kurtit duke bërë krahasim me atë që e tha për vdekjen e nënës së Ramë Lahajt dhe fillimit të romanit të Albert Kamysë, “I Huaji”. Kush e njeh Albin Kurtin e ka të qartë se ai ka qenë dhe është lexues pasionant i librave, i kupton ato dhe i përdorë edhe në terrenin politik. Këtë e ka bërë pjesë të retorikës të cilën e ka armë të kalibrit të rëndë me të cilët i mund të gjithë lojtarët dhe rezervistët e skenës politike të Kosovës. Thuaja është i vetmi nga Kosova që në lojën e shahut të retorikës është i barabartë me Edi Ramën dhe me Vuçiqin. Nuk e keni asnjë politikan që do ta përshkruajë me aq saktësi gjendjen në Kosovë. Në planin e veprimit nuk është autonom për marrjen e vendimeve. Prandaj, pas zgjedhjeve lokale, e që nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, mund të fitojë deri në 15 komuna, vetë Albini do t’i provokojë zgjedhjet e përgjithshme për të siguruar një mandat të tretë. Kjo opozitë nuk ka asnjë kapacitet ta rrëzojë Albinin. Nëse ndërkombëtarët mendojnë ta gjejnë një alternativë kundër Albinit, zgjidhjen do ta kërkojnë te Vjosa Osmani. Albini po fiton kohë me bisedime deri të përfundojnë zgjedhjet lokale. Opozitë e Albin Kurtit janë Aleksandër Vuçiqi, plotësisht e kuptueshme dhe Edi Rama, plotësisht e pakuptueshme. Albin Kurti nuk do të lejojë që kjo qeveri ta çojë mandatin deri në fund sepse nuk i konvenon, as politikisht e së paku kombëtarisht. Albin Kurti duhet të përkrahet sidomos në bisedimet me Serbinë. Edi Rama duhet ta thërrasë mendjen dhe ta kuptojë se Goran Bregoviqi është pordhë e ftohtë për ta luftuar Albinin dhe nacionalizmin shqiptar. Aktualisht, Albin Kurtin mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti dhe proceset politike si bisedimet dhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Goran Bregoviqi, Mustafa Nano, Kulla dhe Mulla nuk janë incidente të çastit apo gjendje afektive. Janë pasojë e një vetëdijeje shumëvjeçare të deformuar dhe përpjekje që me procesin alkimik nga bajga të bëhet ari përmes heqjes dorë nga vetëdija kombëtare dhe transformimit në kozmopolitan transgjinor. Le të na lejojnë neve nacionalistëve primitivë ta jetojmë ëndrrën tonë. Mos të na imponojnë si standard njerëzor, moral, kombëtar dhe politik kozmopolitizmin që e mohon qenien dhe vetëdijen kombëtare. Edi Rama po manipulon me liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk është në pyetje mospërmbushja e kushteve për liberalizim. Liberalizimi është çështje e kushtëzuar për arritjen e një marrëveshjeje politike me Serbinë. Le ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe do t’i kemi vizat… për Hajkobillë, Muçiverc dhe Muçibabë. Edi Rama është shndërruar në Brut, në Kain dhe në doktor Xhekil. Rast unik në botë, një i pafytyrë në të njëjtën kohë ka shumë fytyra. Po ne e duam Shqipërinë, e falim edhe Edi Ramën. E kemi falur edhe Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën.

Një dritë e shpresës në fund të tunelit: Se shqiptarët janë zemërmëdhenj dhe bujarë, jemi bindur gjatë historisë. Edhe në kohën kur udhëheqësit shqiptarë dhe udhëheqësit kozmopolitanë i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, ka të tillë që me sinqeritetin, konstruktivitetin, vullnetin, dashamirësinë dhe dashurinë kanë shfaqur gatishmërinë t’i pajtojnë shpirtrat e trazuar. Ky është Behgjet Pacolli të cilin e njohin jo vetëm në Kosovë, por anembanë globit. Si askush tjetër, Behgjet Pacolli i ka të gjitha vlerat më sublime njerëzore, politike, morale, kulturore e mos të flasim për vlerat kombëtare. Ma gjeni dikë që kombëtarisht është më në rregull se Behgjet Pacolli?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një turist holandez u mbyt pasi gëlltiti aksidentalisht çelësat e…