PËR NËNKRYETARIN NGA KOMUNITETI SERB: KUR GJYKATA KUSHTETUESE, HUMB GUXIMIN PËR TË VENDOSUR!
Shkruan: Vigan Qorrolli
I. Kushtetuta nuk është hapësirë për kreativitet interpretues, por rend normativ i mbyllur, i cili e merr legjitimitetin nga teksti, jo nga frika politike. Çdo rend kushtetues demokratik që e humb besimin në fuqinë e normës dhe fillon ta korrigjojë atë përmes interpretimit, rrezikon të kalojë nga shteti i së drejtës në shtetin e improvizimit institucional.
II. Në çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e mjaftueshme në vetvete: kriteri material është përkatësia komunitare, kriteri procedural është shumica e votave të Kuvendit. Këto dy elemente përbëjnë një normë të plotë. Shtimi i një kriteri të tretë, siç është “legjitimiteti i brendshëm komunitar” i lidhur me shumicën e deputetëve të një komuniteti, nuk është interpretim sistematik, por ndërtim i një norme të re, të paautorizuar nga teksti kushtetues. Me fjalë të tjera, ajo çka ka vendosur GjK në rastin “Rashiç”, është konstrukt jashtëtekstor, pa bazë normative dhe pa autorizim kushtetues.
III. T’i jepet shumicës së deputetëve të një komuniteti e drejta ekskluzive për të prodhuar përfaqësim do të thotë t’i jepet atij komuniteti pushtet bllokues mbi institucionet e shtetit. Kjo nuk është mbrojtje e pakicave, por deformim i barazisë kushtetuese dhe shndërrim i përfaqësimit në instrument vetoje. Kushtetuta e Kosovës nuk njeh veto të tilla. Shkollat perëndimore të së drejtës kushtetuese na mësojnë se përfaqësimi nuk është kategori sociologjike, por kategori juridike.
IV. Mbrojtja e pakicave nuk realizohet duke i pajisur ato me të drejtë bllokimi ndaj institucioneve, por duke i integruar ato në funksionimin normal të shtetit. Funksionaliteti institucional nuk është vlerë dytësore, por parakusht i vetë demokracisë kushtetuese. Një normë që lejon paralizën e Kuvendit në emër të një legjitimiteti të paqenë, bie ndesh me vetë qëllimin e garancive kushtetuese për komunitetet jo-shumicë. Dhe çdo interpretim që e justifikon një paralizë të tillë, e tradhton vetë arsyen pse ekzistojnë normat kushtetuese.
V. Gjykata Kushtetuese ekziston për ta ruajtur kufirin mes interpretimit dhe krijimit të normës. Kur ky kufi mjegullohet, nuk dobësohet vetëm një vendim konkret, por vetë autoriteti normativ i Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të shpikë norma për ta qetësuar realitetin politik. Mandati i saj është ta zbatojë Kushtetutën ashtu siç është shkruar. Kur gjykata fillon të krijojë rregulla që Kushtetuta nuk i njeh, ajo nuk e mbron rendin kushtetues, por e dobëson atë maksimalisht.



