Për temat kombëtare duhet konsensus i gjerë

30 gusht 2018 | 12:56

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka thënë se ky subjekt politik po tregon përgjegjësi në qeverisjen aktuale në vend me ministritë që drejton dhe në qeverisje në nivelin lokal.

Ai ka thënë se Nisma do t’i mbajë premtimet për realizimin e projekteve si ai “çdo familje nga një të punësuar”.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut Kosovë – Serbi, Hoxha ka theksuar se lideri i partisë së tij, Fatmir Limaj, disa herë u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike mos t’i ikin kësaj përgjegjësie në këtë proces.

“Për temat kombëtare duhet të gjendet konsensus sa më i gjerë”, është shprehur ai.

Hoxha ka folur edhe për qeverisjen në Gjakovë, ku pjesë e saj është edhe Nisma.

Sipas tij, shumica e projekteve që ky subjekt ka prezantuar gjatë fushatës zgjedhore tashmë janë duke u zbatuar.

“Epoka e re”: Z. Hoxha, ju jeni këshilltar politik i ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, si ishte gjendja në këtë ministri?

Hoxha: Menjëherë pas pranimit të detyrës ministri Skender Reçica ka vendosur të bëhet incizimi i gjendjes aktuale në ministri. Pas një pune intensive dhe ekipore, në koordinim edhe me stafin civil në MPMS, kemi bërë identifikimin e temave të cilat kërkojnë zgjidhje dhe vendimet të cilat duhet të miratohen nga Qeveria për ta ndryshuar gjendjen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Epoka e re”: Cilat janë ato vendime më të rëndësishme që janë miratuar në Qeveri me propozim të ministrit?

Hoxha: Është punuar në të gjitha fushat që janë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në Qeveri janë miratuar dokumente të rëndësishme si Strategjia Sektoriale për Punësimin dhe Politikën Sociale 2018-2022 dhe miratimi i Planit të Veprimit 2018-2020 për zbatimin e strategjisë. Këto dokumente nuk janë vetëm dokumente që do të mbesin në letër, por do të zbatohen në përpikëri.

“Epoka e re”: Në kuadër të fushatës zgjedhore Nisma ka prezantuar projektin në çdo familje nga një të punësuar. Edhe tani në kuadër të MPMS-së po e proklamoni këtë projekt. Sa është duke u realizuar në praktikë ky projekt?

Hoxha: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale angazhohet për rritje të mirëqenies nëpërmjet ofrimit të mundësisë për punësim. Projekti i ofruar nga Nisma Socialdemokrate për punësimin e një anëtari të secilës familje, përfituesit e asistencës sociale të cilët nuk kanë asnjë të punësuar dhe që kanë të paktën një anëtar të familjes të aftë për punë (kategoria e dytë e skemës së ndihmave sociale), është pjesë e programit të Nismës Socialdemokrate dhe e përkrahur fuqishëm nga Qeveria e Kosovës. Anëtarët e këtyre familjeve të cilët nuk janë të përgatitur profesionalisht vazhdojnë t’i vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional, që të trajnohen në një mori profilesh. Gjithashtu, bizneset janë duke vizituar zyrat e punësimit dhe Qendrat e Aftësimit Profesional, dhe aty po gjejnë fuqinë punëtore që u nevojitet. Të gjithë ata të cilët janë të përgatitur profesionalisht ne po bëjmë përpjekje t’i bëjmë pjesë të masave aktive të tregut të punës. Në kuadër të kësaj ne kemi marrëveshje bashkëpunimi me partnerët tanë, si: GIZ, UNDP, pastaj vizitat e shumta të ministrit Reçica, organizimi i panaireve të ndryshme të punës që kanë këtë qëllim etj. Zëvendëskryeministri Limaj, ministri Reçica dhe bartës të drejtpërdrejtë të angazhimeve nga niveli i departamenteve të MPMS-së, në bashkëpunim me drejtoritë për mirëqenie sociale nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, kanë zhvilluar takime të shumta me përfituesit e asistencës sociale – kategoria e dytë me qëllim informimin dhe orientimin përkatës lidhur me përfshirjen dhe zbatueshmerinë në kuadër të realizimit të projektit “Një i punësuar nga ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe që kanë së paku një anëtar të aftë për punë”.

“Epoka e re”: Ju jeni anëtar i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe kryetar dege në Gjakovë. Cili është mendimi juaj për fazën e fundit të dialogut Kosovë – Serbi?

Hoxha: Faza finale e dialogut Kosovë – Serbi do të jetë një proces jo edhe aq i lehtë, duke marrë parasysh se në këtë proces synohet arritja e një marrëveshje përfundimtare rreth normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve. Mendojmë se është e domosdoshme barasvlerësimi në nivelin institucionalë dhe barasvlerësimi në nivelin profesional, atë të përfaqësimit të ekspertëve që do duhej të jenë të angazhuar në këtë proces dialogues. Aspekti legal i arritjeve dialoguese në këtë proces gjithsesi duhet të konfirmohet nga pozicionet institucionale demokratike dhe normativave shtetërore. Ne si Nismë Socialdemokrate besojmë se për të pasur sukses dialogu duhet gjithëpërfshirje dhe konsensus kombëtar. Z. Limaj si lider partie dhe si zëvendëskryeministër u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që mos t’i ikin kësaj përgjegjësie. Për temat kombëtare duhet të gjendet konsensus sa më i gjerë.

“Epoka e re”: Çfarë shtirrje të Nismës keni në Gjakovë?

Hoxha: Nisma në Gjakovë tani është e shtrirë në të gjithë territorin e kësaj komune. Në muajin prill të këtij viti kemi mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm të Punës në Degë, ku janë mbajtur kuvendet nga nëndega, Kuvendi i Rinisë, i Gruas dhe Kuvendi i Përgjithshëm i Degës. Nga ky kuvend kanë dalë 42 nëndegë dhe strukturat drejtuese të degës.

“Epoka e re”: Në Degën e Nismës në Gjakovë në vazhdimësi ka aderime. Dega e AKR-së në Gjakovë ka kaluar te Nisma?

Hoxha: Vazhdimisht Degës së Nismës në Gjakovë i janë bashkuar anëtarë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarë që më parë nuk ishin të inkuadruar në politikë. Disa muaj më parë është bashkuar edhe kryetari i degës së AKR-së, Edmind Dushi, i cili është edhe këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë. Ai i është bashkuar Nismës me të gjitha strukturat e Degës së AKR-së. Gjithashtu, kemi shumë personalitete të respektuar në Gjakovë që kanë aderuar në Nisma Socialdemokrate. Subjekti ynë politik ofron mundësi për të gjithë qytetarët për ta dhënë kontributin e tyre politik në të mirë të zhvillimit të shtetit. Sot Nisma Socialdemokrate në Gjakovë është forca e tretë politike. Besojmë se kjo besueshmëri e qytetarëve të rritet në vazhdimësi në të ardhmen, sepse Nisma Socialdemokrate nga fillimi i saj ka proklamuar një politikë e cila bashkon njerëzit. Po të shohim sot Nisma në nivel vendi është subjekt politik që ka përgjegjësi në qeverisje në nivel qendror dhe lokal. Nisma po ecën me hapa të sigurt drejt rritjes si forcë politike. Fuqia e saj politike do të shihet në zgjedhjet e ardhshme.

“Epoka e re”: Nisma në Gjakovë është në bashkëqeverisje me AAK-në. Si po shkon bashkëqeverisja?

Hoxha: Në zgjedhjet lokale ne garuam si parti e vetme me kandidatin për kryetar të komunës dhe kandidatët për këshilltarë komunalë. Arritëm rezultat të kënaqshëm në balotazh për kryetar të komunës, pastaj marrëveshje politike me AAK-në për bashkëqeverisje në këtë mandat katërvjeçar. Nisma në asamble përfaqësohet me tre këshilltarë komunalë, një drejtori, si dhe përfaqësim në pozita të tjera në Komunën e Gjakovës.

“Epoka e re”: A po gjen vend për realizim programi të cilin ju e keni prezantuar gjatë zgjedhjeve lokale në Gjakovë?

Hoxha: Pas pranimit të detyrës, kryetari i komunës, z. Adrian Gjini, ka mbajtur takim me të gjitha partitë fituese në koalicion. Pjesë të programit politik janë fuzionuar në programin komunal për katër vjetët e ardhshëm. Tani është bërë miratimi i kornizës afatmesme 2019-2021. Në këtë kornizë janë miratuar shumica e projekteve të Nismës Socialdemokrate në Gjakovë. Kanë mbetur disa projekte pa u përfshirë në këtë kornizë, siç është asfaltimi i rrugës për në Sukë të Cërmjanit, ku në atë vend janë xhamia dhe tyrbja që vizitohen nga qytetarë anekënd Kosovës. Megjithatë, besojmë se me miratimin e buxhetit ky projekt do të gjejë vend në mënyrë që të realizohet pasi ka një rëndësi të veçantë për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për Punë të Brendshme i Bashkimit Evropian (BE), Dimitris…