Për universitetin në kohë rezistence dhe lirie

06 mars 2023 | 22:16

Shkruan: Haxhi Kamberi

Ishte viti 1990. Kosova po përballej me një agresion të paparë nga Serbia. Pas heqjes së dhunshme të autonomisë të Kosovës, u nxor vendimi për masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, i cili së pari u aplikua në klinikat e Fakultetit të Mjekësisë me datën 08.08.1990, ndërsa në qershor te vitit 1991 masat e dhunshme u futën në Universitet dhe të gjitha fakultetet.

Në këtë periudhë kritike për fatin e Kosovës dhe arsimit shqip, pata fatin të isha student i Fakultetit të Mjekësisë dhe një nga udhëheqësit dhe organizatorët e rezistencës studentore në Universitetin e Prishtinës. Pas ndërprerjes së procesit mësimor dhe largimit të profesorëve dhe studentëve shqiptar nga Fakulteti i Mjekësisë, u pamundësua vazhdimi i vitit akademik 1990/1991. Në një situatë të tillë disa nga studentët udhëheqës të asaj kohe filluam të bisedonim dhe  mendonim për të gjetur rrugë për të vazhduar procesin mësimor paralel.

Për këtë qëllim fillimisht biseduam me profesorët tanë për të mbajtur provimet jashtë fakultetit. Kjo ide mirëpritej nga disa profesorë, ndërsa disa të tjerë hezitonin dhe ishin skeptik. Për të artikuluar idenë tonë ne studentët e Fakultetit të Mjekësisë organizuam dy tribuna të studentëve dhe profesorëve në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovë me temën “Fakulteti i Mjekësisë në udhëkryq: Si të veprohet më tutje?” Në të dy takimet kishte mendime pro dhe kundër fillimit të mësimit paralel, por më tepër u artikulua ideja e vazhdimit të  procesit mësimor me çdo kusht. Këto tribuna dhe debatet e zhvilluara u pasqyruan gjerësisht në shtypin e kohës. Lidhur me vazhdimin e mësimin ne u takuam edhe me liderët e kohës, me kryetarin e LDK-së Dr. Ibrahim Rugovën, Prof. Fehmi Aganin, Prof. Eshref Ademajn, Prof. Selman Brymen etj. Pas marrjes së vendimit në nivel të Kosovës për organizimin e mësimit paralel në gjuhën shqipe, ne studentët e Fakultetit të Mjekësisë filluam përgatitjet për vazhdimin e procesit mësimor në shtëpi-shkolla në vitin akademik 1991/1992. Në këtë proces u angazhuam një numër i studentëve dhe disa profesorë të këtij fakulteti (emrat e të cilëve do t’i bëj të njohur në një shkrim më të gjerë). Puna jonë në kushte të jashtëzakonshme dhe jo pa rrezik u fokusua në gjetjen e hapësirave për fakultet, sigurimin e inventarit, bartjen dhe rregullimin e tij në shtëpi private, dhe krijimin e kushteve për mësim. U punua me ditë të tëra  në formimin e dosjeve dhe dokumentacionit të nevojshëm për studentë, në një shtëpi në Aktash. Duhet theksuar se puna e këtyre studentëve dhe profesorëve misionar për vazhdimin e arsimit shqip dhe vitit akademik 1991/92, nën kushte të okupimit ishte e jashtëzakonshme dhe do të mbetet pjesë e ndritshme e historisë sonë të re, e rezistencës dhe përpjekjeve për liri.

II. Në vitin akademik 2011/12 u angazhova të punoja si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Mjekësisë dega në Gjakovë. Dega e Mjekësisë ishte hapur me iniciativën dhe nën përkujdesjen e prof. dr. Bajram Nurës. Për mua ishte kënaqësi të punoja edhe në këtë kohë me ish profesorët e mi nga Universiteti i Prishtinës. Edhe në vitin 2013 kur Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” po pavarësohej nga Universiteti i Prishtinës, si mësimdhënës, por edhe drejtor ekzekutiv në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë isha pjesë e këtij procesi. Pavarësimi  kërkonte angazhim dhe punë të jashtëzakonshme të menaxhmentit të asaj kohe dhe stafit akademik, për fillimin e suksesshëm të viti akademik 2013/2014. Sot duhet kujtuar e theksuar në veçanti kontributi i menaxhmentit të asaj kohe në krye me Prof. Bajram Nuraj, u.d Rektorit, Prof. Kastriot Buza, u.d prorektor, Prof. Isa Elezi, u.d prorektor, Prof. Gazmend Qorraj, u.d prorektor, Prof. Kamber Kamberi fillimisht u.d i dekanit të Fakultetit Filologjik, pastaj dekan i zgjedhur i këtij  fakulteti 2015-2023, Dr. Sci Ali Iljazi u.d i Fakultetit të Mjekësisë i pasuar nga  Prof. Selami Sylejmani u.d i  Fakultetit të Mjekësisë dhe  Prof. Idriz Berisha, dekan i zgjedhur i Fakultetit të Mjekësisë 2015-2022, Prof. Skender Beqa, u. d i dekanit në Fakultetin e Edukimit, pastaj  Prof. Ilir Kelmendi dekan i zgjedhur i Fakultetit të Edukimit 2014-2023.

Isha dëshmitar i punës dhe angazhimit të tyre të jashtëzakonshëm për themelimin dhe zhvillimin e suksesshëm të këtij universiteti. Këta njerëz punuan me përkushtim të pashoq duke vënë themelet e qëndrueshme për të arriturat dhe frytet e çmueshme të veprimtarisë së Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” në këtë 10 vjetor që po e festojmë tani.

Misionarët dhe kontribuesit për ngritjen dhe edukimin e brezave duhet të kujtohen e nderohen gjithmonë.

Kolegëve, studentëve, stafit administrativ dhe të gjithë atyre që kontribuan për themelimin dhe sukseset e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” urime për 10 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë!

Për një të ardhme të ndritur e rritë të vazhdueshme, duke siguruar arsim cilësor, me përkushtim ndaj mësimit dhe inovacionit që sjell ndikim të rëndësishëm në jetën e studentëve dhe kontribut në rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë sonë në përgjithësi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, pas fitores…