PËRBALLUESI I SFIDAVE TË MËDHA

08 maj 2020 | 13:42

Vesel Rexhep Haxha-Galica atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar (7)

Shkruan: Bedri TAHIRI

Suksesi vret së shumë se plumbi.
(Texas Guinan)

Gjithmonë e jetës botën e kanë mbajtur në këmbë dy shtylla të arta: mençuria dhe trimëria. Ato, njëra pa tjetrën, nuk bëjnë dot. Dorën në zemër, është e vështirë t’i gjesh të dyja njëherësh. Kur prinë e para, puna mund të ngel përgjysmë. Kur prinë e dyta, puna mund të dalë vëngër. Pra, e mira e së mirës është shkrirja dhe harmonizimi i tyre në një trup të vetëm dhe, mu atëherë ngjet mrekullia.

Gjatë shfletimit të faqeve më të ndritura të historisë, qoftë asaj kombëtare, qoftë asaj botërore, shohim se pikëtakimet e tyre janë fare të rralla dhe të pakëta. Mirëpo, kësaj here, fati e deshi dhe, familja Haxha paraqet një trung të shëndoshë, ku harmonizohen dhe fare natyrshëm gërshetohen këto dy komponente. Dhe, kjo, çdo herë e në çdo kohë. Brezi brezit amanet, duke nisur që nga mixha Rexhep, i cili, në kohën e Azem Bejtë Galicës, shuante gjakërat e pajtonte zemrat nëpër kuvende burrash.
Sidoqoftë, shembulli më emblematik i një sublimimi të tillë vlerash është prof. dr. Shyqyri Haxha, me të cilin, më 18 gusht 2009 zhvilluam një bisedë të ngrohtë vëllazërore, nga e cila hartuam këtë tekst në veten e parë:

Një fëmijëri e zakonshme

Jam i lindur në Manzë të Poshtme (ish Sfarqak i Poshtëm) Mësimet fillestare katërklasëshe i mora në vendlindje, kurse tetvjeçarën në Vushtrri. Në këtë qytet të lashtë të Hasan Prishtinës, në QMSH “Muharrem Bekteshi” i kam mbaruar edhe mësimet e mesme me një sukses shembullor. Gjatë gjithë shkollimit isha nxënës i shkëlqyer në mësime dhe në disiplinat sportive. Në vrapime kam qenë më i shpejti. Ngapak kam qenë edhe problematik, si në shtëpi, si në shkollë.
Nga fëmijëria më kujtohen shumë gjera. Rrija shumë me tim gjysh, me Vesel Haxhën, i cili më donte shumë dhe kurrë nuk më thoshte Shyqyri por Shoq i Ri. Ai qëndronte në odë dhe gjithë ditën e merrej me një foto të vjetër të Azem Galicës. Edhe mua vazhdimisht më rrëfente për trimëritë e tij, por unë isha i ri dhe pak i kuptoja ato gjera. “Azem Galica më Shotën dhe me shokët e vet trima kanë luftuar kundër hasmëve tanë shekullorë. Tashti është ndryshe dhe ju duhet të mësoni dhe vetëm të mësoni”. Kështu më thoshte sa herë që rrinim vetëm në të dy në odë. Sa e sa herë e kam gjetur duke “kuvenduar” me atë trim të madh. Vonë e kam kuptuar se ai kishte qenë i lidhur aq ngusht me Azem Galicën dhe veprimtarinë e tij luftarake, sa më dukej edhe në ënderr po e shihte.
Kur me morën ushtar, ishte viti 1986, i kuptova edhe më mirë shumë gjera të tjera. Atje, në Sombor, më pritën keq. Karakteristikat familjare kishin mbërritur para meje. Që nga dita e parë filluan maltretimet dhe torturat psikike. Sigurimcat nëpër intervistat e tyre më kërcënonin duke me quajtur kundërshtar të regjimit. Gjyshi yt ka qenë bashkëluftëtar i Azem Galicës e i Shaban Palluzhës dhe ka luftuar kundër nesh. Edhe ty sigurisht të kanë edukuar në atë frymë, më thoshin dhe nuk më linin rehat. Unë, sado që përpiqesha të paraqitesha se nuk isha i atillë, prapë se prapë shpërtheja dhe nuk përmbahesha para provokimeve të tyre. Vazhdimisht më qortonin, më dënonin e më ndëshkonin, por i përballoja. Dikur, kur në mesin e shtatëmijë ushtarëve e zura vendin e parë në vrapime e në fushat tjera sportive, filluan të silleshin pak më ndryshe. Unë tërë energjinë negative dhe mllefin tim e shprehja përmes sportit.

Jeta stundetore

Pasi e mbarova shkollën e mesme dëshiroja ta regjistrojë Fakultetin e Mjekësisë, por karakteristikat e këqia më penguan, si djalë ballisti nuk e gëzoja këtë të drejtë. U detyrova të regjitrohem në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë. Isha student shembullor dhe kam diplomuar i pari prej gjeneratës sime.
Si student kam qenë anëtar i Kryesisë Qendrore të Unionit të Studentëve dhe bashkë me Mehë Ukën, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Idriz Hysenajn, Fisnik Cukën, Skënder Sallaukën, Lindita Spahiun, Fatmir Behrami (disa prej të cilëve sot nuk janë në mesin tonë, Mehë Uka u vra etj.) dhe kemi punuar shumë për çështjën kombëtare. Jam njëri prej nismëtarëve kryesor për mbajtjen e mësimit nëpër shtëpitë private.
Edhe para se me u zgjedh në Kryesinë e Unionit të Studentëve kam marrë pjesë në organizimin e demonstratave studentore. Më vonë u delegova nga Fakulteti i Elektrosë në nivel qëndror të Universitetit të Prishtinës dhe bashkë me të tjerët kemi qëndruar në ballë të atyre organizimeve. Fillimisht i kundërshtuam masat e dhunshme, të cilat së pari u vendosën në Fakultetin e Mjekësisë. Thuajse për çdo natë organizonim protesta në Qendrën e Studentëve. Dhe çdoherë policia serbe ndërhynte dhe merrte masa ndaj nesh, na qitnin gaz lotësjellës, na ndiqnin, na rrihnin, na burgosnin. Mirëpo, të nesërmen, të gjithë shkonim në mësime normalisht. Këto aktivitete u bënë përditëshmëri jona.
Kështu zumë t’i koordinojmë punët edhe me Shoqatën e Arsimtarëve, me Eshref Ademajn (tashmë i ndjerë), me Sindikatën e Pavarur, më Xhafer Xhaferin dhe nuk e shkëputëm vazhdimësinë e mësimit. Krahas kësaj ne kërkonim me ngulm edhe largimin e trupave policore serbe nga Kosova. Me fjalë të tjera ato ishin demonstrata kundër regjimit pushtues të Serbisë. Ka pasur tendenca që Lëvizja Studentore të grabitet dhe të përvetësohet nga subjektet partiake. Por ne kemi qenë jopartiak, kemi qenë shumë unik dhe asnjëherë nuk jemi involvuar as nuk kemi dashtë me qenë krah i atij apo këtij subjekti politik. E kemi mbrojtur mësimin në gjuhën shqipe dhe kemi luftuar për të drejtat tona që na takonin.
Me seriozitetin më të madh e them se ne kemi qenë ata që e kemi organizuar mbajtjen e mësimit nëpër shtëpitë private. Jemi të kënaqur dhe krenar që kemi arritur ta ruajmë vazhdimësinë e shkollës shqipe. Më 27 qershor 1991 kemi organizuar Grevën e Urisë në Fakultetin e Elektrosë. Po atë ditë na kanë larguar dhunshëm forcat policore serbe. Fort mirë më kujtohet udhëheqësi i tyre, një kryepolic me sjellje arrogante e pa njërin sy, të cilin, siç mësuam më vonë, e kishte humbur në Prekaz, më 13 maj 1981, duke luftuar kundër Tahir Mehës.
Mos të harrojmë, para kësaj greve kemi organizuar edhe një protestë tjetër. Që nga ky moment i fillimit të organizimeve të protestave dhe demonstratave studentore ka nisur edhe ndjekja dhe burgosja e veprimtarëve. Mehë Uka u detyrua që për momentin të largohet krejt nga skena e veprimit. Në të gjitha këto veprime dorë të djadhtë e kam pasur vëllain tim, Bahri Haxhën, i cili bënte shumë, sepse ende nuk u kishte rënë në sy organeve të sigurimit dhe policisë. Sidomos na ndihmonte në komunikim, kur dihet mungesa e telefonave. Në këtë drejtim janë dalluar edhe Idriz Hysenaj, Xhemë Lajçi, Veton Zejnullahaj, Fatmir Behrami etj.
Meqë më nuk kishim mundësi të ktheheshim në Universitet, fill nisëm organizimin me profesorët tanë që mësimin ta vazhdojmë nëpër shtëpitë private. Me keqardhje duhet ta them se një numër i mësimdhënësve nuk qenë në gjendje ta përqafonin një formë të tillë. Eshref Ademaj, Xhafer Xhaferi e ndonjë tjetër ishin të gatshëm për çfarëdo veprimi. Tashmë Universitet i kishte dyert e hapura vetëm për studentët serbë dhe për shqiptarët e ndershëm, ndonjë student shqiptar ka shkuar në ndonjë provim dhe ndonjë profesor edhe më vonë ka punuar aty.
Unioni i Studentëve nuk e ndali aktivitetin. Me Skënder Sallaukën dhe Fisnik Cukën kemi dalë derë me derë dhe i kemi ftuar qytetarët e Prishtinës që t’i lirojnë shtëpitë e tyre për banesa pa pagesë dhe për dhoma mësimi. Kjo u realizua, por jo në masë të kënaqshme. Sindikata e pavarur na i lëshoi disa baraka në hyrje të qytetit, ku i mbanin takimet, por situata nuk përmirësohej fare. Unë u zgjodha arkëtar i Unionit Studentor. E kishim një fond të vogël, të cilin e shfrytëzonim për udhëtime, për ushqime, për shtypjen dhe shpërndarjen e komunikatave, shpalljeve etj. Me fjaë të tjera mezi mbesnim gjallë, por ia dilnim të përballonim.
Në lokalet e Sindikatës së pavarur mbanim takimet e Shoqatës së Arsimtarëve. Siç e ceka më lart, disa profesorë nuk donin të mbanin mësim nëpër shtëpi private. Rektori i sotëm, Mujë Rugova, ka qenë shumë aktiv dhe i gatshëm për çdo lloj veprimi. Këmbëngulësia e tij na forconte edhe ne derisa arritëm t’i bashkonim profesorët. Për 3-4 muaj kam qenë i vetmi përfaqësues i studentëve në Shoqatën e Arsimtarëve dhe me këmbëngulje kërkoja që të vazhdojë mësimi nëpër shtëpi private.
Gjatë asaj kohe filloi me të madhe edhe largimi i të rinjve tanë nga Kosova. Ajo dukuri na brengoste më së shumti. Mirëpo, si rezultat i këmbëngulsisë sonë, kemi arritur të organizojmë mbajtjen e mësimit nëpër shtëpitë private. Kjo qe meritë edhe e profesorëve tanë aktivë, të cilët i falënderojë shumë. Ata arritën t’i bindën kolegët e tyre të medyshur për t’u kthyer mbarë. Pra, këtë punë e nisi dhe e ka bërë Unioni i Studentëve dhe disa mësimdhënës atdhetarë. Thënë ndryshe këtë e ka bërë grupi ynë prej tre-katër vetash.

Shkëlqimi në auditoret e Anglisë

Përkundër të gjitha këtyre, gjendja nuk po përmirësohej. Përkundrazi, mua veçsa më vështirësohej. Në familjen time kishte bastisje, maltretime, burgosje. Ne, sipas porosisë së gjyshit iu kishim rrekur shkollës dhe kishim arritur rezultate të kënaqshme. Më 1992 u detyrova të migroi jashtë. Një kohë jetova në Gjermani.
Më 1997 kalova në Angli. Atje, pa humbur kohë, fillova kurset e gjuhës angleze dhe të komjuterëve. E përgatita magjistraturën dhe shumë shpejt e me sukses të kënaqshëm e mbrojta temën në Teknologjinë Informative. Më vonë, Universiteti më ka afruar fond për të vazhduar doktoraturën. Edhe atë e kreva me afat rekord e me rezultate të larta, duke e mbrojtur temën në lëmin e Telekomunikacionit
Edhe në Angli jam përpjekur t’u dalë në ndihmë njerëzve tanë. Mirëpo, që kur m’u vra vëllai, dëshmor Bahriu, u shtrëngova të jepem më tepër pas familjes e sidomos pas prindërve, të cilët e kanë përjetuar rëndë dhe janë traumatizuar. Pasi këtu çdo gjë u dogj shkrumb e hi, ata i mora atje në Angli, ku tashti jetojmë bashkë.
Nuk e thashë në fillim, ende pa e mbaruar doktoranturën, në dhjetor të vitit 2003, jam pranuar ligjërues në Universitetin e KENTIT, gjë që është rast unikat, sepse asnjë student pa i mbaruar studimet e plota nuk mund të punësohet si ligjërues i kualifikuar në Universitetin e Kosovës.
Edhe aty jam munduar t’u ndihmojë të tjerëve. Disa herë kam ardh në Universitetin e Prishtinës dhe kam bërë kërkesë që të më mundësojë për të dhënë kontributin tim, qoftë më ligjërata, qoftë me ndërlidhje universitetesh, por jo. Kurrë nuk kam qenë i mirëpritur. Përkundrazi, kam qenë i bllokuar, i injoruar dhe, për çudi, këto strukturime nuk i kuptoja fillimisht. Nuk më besohej se mund ta pengoja dikë. Këtë nuk e kam ndërmend ta fsheh. Unë, në fakt, nuk kisha tendencë të kthehesha. Unë tentoja që t’ua afroja njohuritë e mia, t’i inkorporoja në Universitetet më renome botërore, mirëpo, nuk i kuptoja pse frikoheshin nga unë dhe nuk insistova shumë, sepse nuk doja që t’i shkatojë dikujt ndonjë problem. Kurrë nuk kisha besuar se ka njerëz të tillë, por mjerisht, kjo është e vërtetë.
Disa studentë i kam marrë nga këtu dhe i kam regjistruar atje. I kam pasur dyert e hapura në Universitet që në çfarëdo mënyre ta ndihmojë Universitetin e Prishtinës për ta ngritur nivelin e cilësisë së studimit dhe arsimit në nivel evropian.
Gjatë punës sime në Universitetin e Kentit kam pas suksese të mëdha. Në lëmin që punoj jam llogarit në mesin e shkencëtarëve me renome botërore që publikojë të arritura shumë të larta hulumtuese- shkencore, i kam rreth njëqind publikime të tilla.

Menaxhues i suksesshëm

Ta them të drejtën, kurrë nuk kam menduar që do të vijë në këtë pozitë, menaxhues i PTK-së. Mirëpo kur doli konkursi, thashë, të konkurroj. CV-ja ime u kishte pëlqyer anëtarëve të Bordit dhe siç duket është një vendim i Qeverisë. Jemi duke punuar shumë. Rezultatet po duken çdo ditë, por ende nuk jam i kënaqur plotësisht.
Qëllim im është që këtë Kompani, nga pozicioni jo i kënaqshëm që e gjeta unë, ta kthej në një Kompani shumë profitabile, shumë të suksesshme dhe kjo të mbetet në karierën time se në Kosovë e kam dhënë një kontribut. Mirëpo, të shohim sa do të gjej përkrahje dhe sa do të më hapen dyert këtu. Më duhet të ceku se jam penguar nga disa individë në format më të ndyta. Shpresoj se institucionet përkatëse do të merren me ta…
Personalisht nuk kam pasur nevojë të kthehem këtu, as kurrëfarë beneficioni nuk kam pasur. I vetmi qëllim që më shtyri të kthehem është që të kontribuojë dhe eksperiencën time ta barti në Kosovë dhe kjo po jep rezultate.
Ana tjetër që më shtyri të kthehem është emocionale. Në Kosovë më është vrarë vëllau, u vranë shumë vëllezër e shumë motra, andaj e ndjeva si obligim moral e kombëtar që atë që di e mundem ta jap për këtë tokë të larë me gjak. Nuk mund ta harrojë gjithë atë kontribut të dhënë që nga gjyshi e deri tek lufta e UÇK-së e të mos i përgjigjem atdheut.
Unë e kam ndjerë si obligim, që në një moment të caktuar t’i lë të gjitha dhe të jap atë që më takon. Ne po e gëzojmë lirinë në saje të gjakut të të rënëve në Altarin e Pavdekësisë, andaj edhe na takon që këtë shtet ta forcojmë ekonomikisht e ta bëjmë shtet modern dhe kështu ta shpërblejmë atë gjak liridashës.
Edhe sot kërkohet sakrificë. Unë bëra sakrificë në karierë dhe në familje, se shpeshherë njerëzit në Kosovë shërbëhen me të pavërteta dhe përpiqën të të gadasin në karierë, mirëpo puna dhe rezultatet janë ato që i demantojnë të gjitha. Besoj se kështu e lava një borxh ndaj vëllait dëshmor, ndaj të gjithë atyre që ranë për liri, ndaj atdheut. Kjo nuk do shumë komente. Brenda një kohe të shkurtër kemi bërë shumë, kësaj Kompanie i është rritur vlera jo 100% por 150 %. Këtë më së miri e shohin vetë qytetarët e Kosovës dhe do të binden për çdo ditë.

(Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, pas vizitës së Komisionit Parlamentar…