
“Përçarje” mes Guxo dhe Vetëvendosje në Mitrovicë: Visar Syla që s’iu pranua kandidatura në VV, hyn në listën e Faton Pecit
Në prag të zgjedhjeve lokale, një zhvillim i papritur politik ka ndodhur në Mitrovicë. Visar Syla, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur të kandidojë për Asamblenë Komunale jashtë këtij subjekti politik.
Syla, i cili nuk mori mbështetjen e degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë ka aderuar në listën e subjektit Guxo, të udhëhequr nga ministri Faton Peci, duke kandiduar për asamblist nga ky formacion.
Burime brenda dy subjekteve kanë bërë të ditur se kjo lëvizje po shihet nga shumë anëtarë të VV-së si një veprim hakmarrës. Të njëjtat burime thonë se tashmë ka një ftohje të theksuar në raportet mes figurave kryesore të VV-së në Mitrovicë dhe kandidatit të Guxo-s, Faton Peci.
Përkeqësimi i marrëdhënieve duket të ketë nisur që me kandidimin e Faton Pecit si kandidat për kryetar komune nga radhët e Guxo, në kohën kur në Mitrovicë ende nuk kishte një dakordim të brendshëm në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje për listat dhe përfaqësimin.